TIRANE - Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit të ri që po heton vrasjen e 22-vjeçarit, Marvi Mihalit, për të ndryshuar masën e sigurisë për tre të rinjtë që u liruan në datë 11 maj. Pak ditë më parë gjykata vendosi që të lironte nga burgu Eugen Bitrajn, Kridens Allën dhe Marsel Allën, ndërsa i vetmi që mbeti në qeli është Dejvi Bitraj.

Por, Report Tv mëson se para dy javësh, pas lirimit të tre të rinjve, babai i Marvit, Pavllo Mihali ka zhvilluar një takim me Kryeprokuroren Arta Marku. Pas takimit, Marku ka kërkuar ndryshimin e prokurorit nga Artan Lulaj te Gjergji Tako dhe ky i fundit rihapi hetimin.

Sot me kërkesë të Gjergji Takos, gjykata pranoi kërkesën për të ndryshuar masën. Tre të rinjtë që u liruan fillimisht u akuzuan për ‘Mos kallëzim krimi’, por prokurori Tako kërkoi ndryshimin e akuzës në ‘Vrasjes në bashkëpunim’, që u konfirmua sot nga gjyqtarja Shefkie Demiri.

Për të vlerësuar nëse të rinjtë do të rikthehen në burg do të duhet një tjetër seancë nëse do të kërkohet nga prokurori, ndërsa deri atëherë nëse ndodh, do të hetohen në gjendje të lirë. Pas vendimit të sotëm të gjykatës, qe ndryshoi masen per tre te rinjte, i ati i viktimës Pavllo Mihali u shpreh për mediat se pret të vendoset drejtësia plotësisht.

Beteja ndërmjet së keqes dhe së mirës sapo ka filluar. Sot gjykata dhe Prokuroria vendosën që tre të liruarve t’u ndryshohet masa e arrestit ashtu siç është e vërteta. Presim që të vendoset drejtësia plotësisht pas vendimit që do jepet në themel

Pavllo Mihali

Pak ditë më parë Pavllo Mihali, babai i 22-vjeçarit Marvi Mihali i cili u vra me thikë pas një sherri për një karikues telefoni në datë 31 korrik 2017 denoncoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda prokurorin e çështjes Artan Lulaj, dy gjyqtarët Bedri Qorri dhe Sokol Pasho dhe oficerin e policisë gjyqësore Kliton Zharri si të korruptuar. Mihali akuzoi se ata kanë marrë ryshfet për të liruar nga burgu 3 nga 4 të rinjtë e arrestuar për vrasjen e djalit të tij. Sipas tij, prokurori dhe gjyqtarët këmbyen gjakun e tij me shumat me para që morën.