Vrasja e dy të rinjve në Manëz pas një debati për një kafe në një lokal, ka tronditur opinionin publik. Sociologu Gëzim Tushi i ftuar në ‘Shtypi i ditës dhe Ju’, thotë se këto konflikte banale që përfundojnë deri në fatalitet ndodh pasi shoqëria jonë ka një mungesë të thekuar komunikimi për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
“Pse më pe, pse nuk më bëre kafe, pse më pe të dashurën tregon se çmimi i jetës shqiptare është shumë i ulët. Krimi është kaq i përhapur në çdo shtresë të shoqërisë. Ne kemi një mungesë komunikimesh për të zgjidhur konfliktin. Norma e krimit është shumë shqetësuese. Si mund të vritet njeriu për një kafe”, shprehet Gëzim Tushi.
Ndër të tjera ai thekson se ky rast është një kambanë alarmi për shoqërinë, ndaj edhe institucionet duhet të merren më shumë me edukimin e fëmijëve - në veçantoi shkollat dhe familja.
“Ata që janë në bordin e shoqërisë janë në një alarm se çfarë duhet të bëjnë. Rasti i Manzës është një alarm kambani, duhet të bëjmë një diagnostikim të krimit në shoqëeri. Krimi po ulet në moshat më të reja. Familja, shkolla, institucionet kanë kapitulluar për edukimin e fëmijëve tanë. Në çdo shoqëri ka konflikte, por ideja është si ti zgjidhim ato. Shumë krime janë kryer për shkak se kemi një drejtësi që nuk është shumë e balancuar”, shtoi ai.
Sipas sociologut kriminaliteti do të vijojë të rritet edhe më shumë ndaj shoqëria duhet të reagojë sa më shpejt, para se zgjidhja e këtij problemi të bëhet më i vështirë.
“Më vjen keq që ka një lloj miopie që nuk e vlerësojnë rritjen e krimit, dhe problemet që ka shoqëria. Shikoj një lloj mungese të edukimit të rinjve. Kriminaliteti do të rritet më tej. Krimi ka filluar të strukturohet dhe zgjidhja e këtij problemi është shumë i vështirë. Një nga shkaqet e krimit është edhe indiferenca sociale. Në vendet e Perëndimit ku kanë një edukim dhe kulturë denoncimi i krimit bëhet në të gjitha format. Ndaj kjo shoqëri duhet të reagojë jo të presë t’i ndodhi atij”, përfundoi ai.
Komente











