Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas statusit që i ka kushtuar ish- kryeministri Sali Berisha ngjarjes në Bulerat të Gjirokastrës, ku u vra nga RENEA një ekstremist grek.

Më herët Berisha, ka thënë se për ngjarjen duhet hetim dhe distancim nga të dyja palët, që sipas tij e kanë përdorur politikisht ngjarjen.

“Duke denuar disa reagime zyrtare te Athines por edhe te Tiranes, qe duan te perdorin rastin per qellime politike, konsideroj te nevojshme nje hetim te plote dhe transparent te kesaj ngjarje.”-shkruante Berisha sot.

Ndërkohë që Rama e quan këtë deklaratë “një pisllëk”, që sipas tij është një materie e biodegraduar deri në palcë.

“Deklarata e SB për Bularatin një pisllëk që mund ta bëjë vetëm një materie e biodegraduar deri në palcë. Sa shumë i dha Shqipëria këtij njeriu që do iki nga kjo botë pa lënë pas qoftë dhe një fjali për t'ua treguar fëmijëve apo një fjalim ku të mos duhet pulla e kuqe e alarmit”-shkruan Rama.

Deklarata e plotë e ish-kryeministrit Berisha për ngjarjen e Bularatit

Deklarate per ngjarjen ne Bularat!

Te dashur miq, dje nje banor i Bularatit, anetar ne forcat e armatosura te Greqise ka hapur zjarr per motive ekstremiste edhe ndaj policise. Natyrisht ne çdo rast qe hapet zjarr drejt policise kesaj te fundit i lind e drejta ligjore te neutralizoj burimin e zjarrit.

Kur them te neutralizoje nenkuptoj me kete dorezimin e kriminelit qe hap zjarr, plagosjen e tij dhe se fundi edhe asgjesimin e tij kur dy te parat jane ta pamundura.

Pavaresisht aktit te denueshem qe vuri ne rrezik forcat e rendit, i shpreh ngushellime njerezore familjes se viktimes. Duke denuar disa reagime zyrtare te Athines por edhe te Tiranes, qe duan te perdorin rastin per qellime politike, konsideroj te nevojshme nje hetim te plote dhe transparent te kesaj ngjarje.

Me kete rast bej thirrje per nderprejen e histerise primitive antishqiptare ne Athine dhe asaj antigreke ne Tirane, qe nuk i sherbejne as te vertetes dhe as bashkepunimit mes popujve dhe vendeve tona! Sb

Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, pasditen e djeshme, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protest ditën  e djeshme. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare.