Ish-efektivi i policisë së komisariatit nr.2 në Tiranë Mirsad Kuçanaj, u paraqit të dielën në Gjykatën e Tiranës, për t’i komunikuar masën e sigurisë, ndërsa dyshohet si një nga personat që morën pjesë në vrasjen e Enton Nikës, në parkingun e restorant Muragës në Linzë.
 
Kuçanaj vihej re se kishte të fashuar dorën e tij dhe sipas burimeve ai dyshohet se mund të jetë plagosur ditën e ngjarjes. Ende nuk dihet nëse ai është plagosur nga arma e zjarrit që mund të ketë shkaktuar vrasjen e Nikës, apo ka mbetur i dëmtuar për shkak të dhunës së ushtruar ndaj viktimës dhe pronarit të restorantit Ismet Gaxheri.
 
Gjykata vendosi të lërë atë në masën e sigurisë “burg pa afat”, duke pranuar kërkesën e prokurorisë. Kuçanaj, ish- efektiv i policisë së komisariatit nr.2 në Tiranë dhe i Policisë së Durrësit, u arrestua të premten nga policia në Durrës, në një banesë të marrë me qira, ndërsa dyshohet se ishte duke u larguar nga Shqipëria.
 
Prokuroria kërkoi që Kuçanaj të qëndronte në masën e sigurisë në “burg pa afat”. Kjo pasi sipas saj ishte e provuar se Kuçanaj kishte qenë në vendin e ngjarjes në momentin e krimit. Nga ana e tij Kuçanaj nuk pranoi të fliste dhe po ashtu avokati i tij tha se në këtë fazë të hetimit, nuk do të flisnin. Me prangosjen e Mirsad Kuçanajt dy ditë më parë dhe të Tashos këtë të shtunë policia tashmë ka në kërkim Ervis Martinaj dhe Bujar Hasanin, ndërsa Oliver Gjoka i shoqëruar gjithashtu të shtunën për disa orë u la i lirë pasi rezultoi se s’kishte lidhje me vrasjen.

Shkak për ngjarjen sipas hetimeve ka rezultuar një borxh prej 200 mijë eurosh që Gaxheri i kishte Martinaj por moskthimi i parave krijoi konfliktin midis grupeve e më pas vrasjen e Nikajt dhe plagosjen e Gaxherit. Ervis Martinaj i njohur dhe si biznesmen në llotaritë sportive dy ditë më parë u dënua dhe nga Gjykata e Tiranës me 90 ditë burg i kallëzuar penalisht pas operacionit “Fund Marrëzisë”.

Ja dinamika e ngjarjes sipas Prokurorisë

Prokuroria e Tiranës, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Mirsad Kuçanajt, ka paraqitur disa të dhëna hetimore mbi ngjarjen e ndodhur në Linzë, më datë 13 nëntor, ku mbeti i vdekur 30-vjeçari Enton Nikaj dhe u plagos Ismet Gaxheri.

Nga hetimet rezulton se shtetasit e dëmtuar, konkretisht viktima Enton Nikaj dhe Ismet Gaxherri, kanë hyrë në parkimin e lokal “M....”, në Linzë, mesditën e së premtes. Sapo kanë parkuar makinën, me të cilin kishin udhëtuar nga Tirana në drejtim të Linzës, janë drejtuar për në hyrjen e brendshme të restorantit. Pak para hyrjes, para këmbëve të tyre ka ndaluar automjeti tip Mercedez, nga i cili kanë zbritur katër persona. Nga ana e autoriteteve gjyqësore janë krijuar dyshime të arsyeshme se cilët janë këta persona që kanë zbritur nga mjeti.

Menjëherë, ndërmjet personave të dëmtuar nga ky konflikt dhe personave që kanë zbritur nga mjeti Mercedez ka pasur një shkëmbim bisede, e cila duket se ka qenë e tensionuar. Pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, njëri prej personave që ka zbritur nga mjeti ka nisur të godasë me grushta shtetasin Enton Nikaj. Në këtë moment, dy prej shoqëruesve të agresorit kanë mbajtur në duar mjete, të cilat krijojnë dyshimin se janë objekte luftarake, tip pistoletë.

Në këtë moment, ka ndërhyrë me qëllim për t’i ndarë shtetasi Ismet Gaxherri, i cili shoqëronte viktimën e mëvonshme, Enton Nikaj. Menjëherë, personat agresorë kanë goditur me pjesën fundore të pistoletës, shtetasin Gaxherri, i cili është rrëzuar në tokë, i gjakosur. Më pas, veprimet e dhunshme kanë vijuar mbi shtetasin Enton Nikaj. Brenda pak çasteve, agresorët kanë hipur në mjet, ndërkohë që shtetasi Nikaj ka qenë i shtrirë në tokë, i qëlluar me armë zjarri në pjesën e qafës, i cili kishte pësuar vdekje të menjëhershme.

Në vijim të dinamikës, disa persona që gjendeshin në atë moment në vendin e ngjarjes kanë tentuar të afrohen për të shuar konfliktin, si edhe për t’i dhënë ndihmën personit të shtrirë në tokë, por njëri prej personave agresorë, i ka bllokuar, duke i frikësuar me armë. Ky person, pasi ka hipur në mjetin me të cilin kishin ardhur, ka dalë sërish, në kërkim të një objekti në tokë (ka dyshime se po kërkonte gëzhojën e plumbit me të cilin ishte qëlluar viktima Nikaj).
Në pak çaste ka kërkuar për këtë objekt dhe, pasi nuk e ka gjetur, ka hipur sërish në mjet, ku gjendeshin edhe tre personat e tjerë që kishin zbritur fillimisht me të, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Nga veprimet e policisë gjyqësore, si edhe nga aktet e deritanishme hetimore, rezulton se të dyshuar për këtë ngjarje janë shtetasit: Mirsad Kuçanaj, Emiljano Tasho (aktualisht të arrestuar), si edhe persona të tjerë, për të cilët po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale.
Ndërkohë, po vijohet me hetimin për të saktësuar plotësisht motivin e kësaj ngjarje.

 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)