TIRANE-Gjykata Penale ka lënë në burg pa afat dy autorët e vrasjes gjatë tentativës së grabitjes në Kamëz në datë 24 Prill, Vladimir Kurti dhe Rrushdi Hoda. Kurti në tentativë grabitje vrau pronarin e marketit Agim Buci, ndërsa gruaja mbeti e plagosur. Hoda është bashkëpunëtor në krim.

Report Tv ka siguruar pamjet e dy autorëve para gjykatës Penale në Tiranë. Autori i krimit Vladimir Kurti kishte veshur një bluzë “Gucci”, ndërsa shfaqi pendesë. Të dy ishin të braktisur nga familja, pasi asnjë pjesëtar nuk ishte i pranishëm në gjyq.



Report Tv mëson se familja e kishte denoncuar Vladimir Kurtin 5 herë në polici për dhunë në familje. Babai i Vladimir Kurtit u shpreh pas ngjarjes se e ka mohuar të birin, ndërsa kërkoi që të varet për krimin që ka bërë. Kurti dhe Hoda mbrohen nga avokatë të zgjedhur nga shteti.

Para se të futeshin në dyqan, Vladimir ka nxjerrë pistoletën, ndërsa Rrushdiu thikën duke u futur në dyqan. Vladimiri është afruar tek kasa për të marrë lekët, aty ndodhej edhe fëmija i Agim Bucit. Autorët qëlluan Agim Bucin dhe gruan e tij. Pas ngjarjes autorët u larguan me vrap, ndërsa kanë marrë makinën duke u larguar në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat.

Pas ngjarjes ata u shoqëruan nga policia, por më pas u liruan. Policia u ngriti një kurth pas shoqërimit, Kurti dhe Hoda u liruan dhe gjatë bisedës telefonike të përgjuar ndërmjet, 28-vjeçari i thotë mikut të tij Hoda“…i fshehe ato se, mua më morën në pyetje…”. Disa minuta më pas të dy u arrestuan nga policia. Vladimir Kurti është një person me precedent penal, pasi më parë është dënuar për vjedhje.


Vladimir Kurti sot para gjykatës


Ruzhdi Hoda sot para gjykatës


Viktima Agim Buci