Sarandë-Policia ka marrë në pyetje familjarët e Agron Xhezairit për të mësuar më shumë për autorët, që e ekzekutuan me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në hyrje të banesës së tij.
 
Në momentet e fundit ka qenë pranë kunata e tij, e cila ka dëshmuar në polici se fjalët e fundit të 53-vjeçarit kanë qenë 'Më vrave o qen!'.
 
Agron Xhezairi është qëlluar disa herë me automatik te dera e shtëpisë. Ai doli për të lidhur qenin e tij dhe në këtë moment autori ka qëlluar disa herë me automatik.
 
Pavarësisht se 53-vjeçari tentoi të futej brenda në shtëpi, ai nuk ka mundur pasi autori është afruar dhe e ka qëlluar përsëri.
 
Agron Xhezairi, babai i Albi Xhezairit i shumëkërkuari për vrasjen e Aleksandër Bardhit.
 
53-vjeçari Agron Xhezairi është vrarë me breshëri arme, ndërsa burimet thanë se ka dyshime të forta që vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, pasi djali i tij është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator në fshatin Shëndëlli.
 
Për vrasjen e Aleksandër Bardhit janë arrestuar Dhimitër Ciko 20-vjeç dhe Amarildo Lame 18-vjeç, ndërsa policia ka shpallur në kërkim edhe 20-vjeçarin Albi Xhezairi.


dy.b/shqiptarja.com