TIRANE-Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një person të dyshuar për vrasjen që tronditi zonën e 'Astirit'  mbrëmjen e djeshme. Blutë e Tiranës dyshojnë se në vrasjen e Vilson Tafçiut është përfshirë edhe personi me inicialet N.D. Ende nuk dihet saktësisht roli i tij, nëse është ai që e qëlloi apo që e nxori në pritë. I shpalluri në kërkim është identifikuar nga përshkrimi që miqtë e viktimës kanë bërë në polici për shkak të ngjashmërisë. Mbrëmjen e djeshme pas vrasjes dhe sot në mëngjes është kontrolluar banesa e tij, por nuk është gjetur.

Tafçiu, që mbeti viktimë e këtij atentati mësohet se përveç Francës ku ishte arrestuar për trafik droge në mars të vitit 2018 dhe ku kishte qëndruar në paraburgim për 8 muaj para se të deportohej drejt vendit tonë në nëntor të vitit të kaluar, ka jetuar edhe në Belgjikë. Pista e parë ku janë fokusuar hetimet është pikërisht e kaluara e tij në Francë dhe në Belgjikë dhe konfliktet për shkak të drogës, pasi në familje nuk ka pasur precedent. Megjithatë nuk përjashtohen edhe konfliktet e kohëve të fundit që mund të kenë sjellë vrasjen. Për vrasjen ende nuk ka asnjë të arrestuar. Sipas burimeve nga policia pas ngjarjes kamerat e sigurisë kanë kapur dy makina që kanë ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Njëra prej tyre është identifikuar dhe drejtuesi është ndaluar, por ka rezultuar se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se ishte larguar nga frika pas atentatit. Ndërkohë që makina tjetër me ngjyrë të zezë që u largua me shpejtësi rezulton se është e autorëve të vrasjes, por ende nuk ka asnjë gjurmë të saj. 28-vjeçari Vilson Tafçiu prej tre ditësh qëndronte në Tiranë, pasi kishte ardhur nga Dibra për varrimin e gjyshes, që jetonte në Institut, raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra. Mësohet se viktima që i njihej edhe me mbiemrin Noka mbrëmë ishte në një lokal në rrugën "Teodor Keko" në zonën e 'Astirit' me një grup shoqëror, mes tyre dy vajza, kur është thirrur në emër për të dalë jashtë dhe është qëlluar për vdekje me tre plumba në gjoks nga një person.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:55
Dalin pamjet pas vrasjes së të riut në Tiranë, i shtrirë në tokë pranë lokalit

Policia ka shpallur në kërkim një person që dyshohet se është autori i vrasjes mbrëmë në Tiranë të Vilson Tafçiut, ndërsa kanë dalë edhe pamjet e para pas momentit të ekzekutimit, ku i riu duket i shtrirë në tokë në mes të rrugës ku u qëllua për vdekje, pasi u nxor nga lokali në zonën e 'Astirit'.

Trupi i Vilson Tafçiut në mes të rrugës pranë lokalit ku u vra në zonën e 'Astirit'
Ora 09:35
Vrasja në Tiranë, s'u gjet në banesë, shpallet në kërkim personi që e nxori të riun në pritë

Policia ka shpallur në kërkim një person për vrasjen e djeshme të Vilson Tafçiut. I shpalluri në kërkim është me inicialet N.D. Policia dyshon se është është i përfshirë në vrasjen e  28-vjeçarit, por nuk dihet saktesisht nese eshte personi qe e nxori ne prite, apo e qelloi. Mbrëmjen e djeshme pas vrasjes dhe sot është kontrolluar banesa e personit me inicialet N.D. por nuk është gjetur.

Ora 09:05
'Gjithmonë në zemrat tona do të jesh'! Dedikimi i miqve për të riun e vrarë në Tiranë

Postimi ne Facebook i njerit prej miqve te viktimes

Familja në Dibër ka hapur dyert e mortit pas vrasjes së Vilson Tafçiut që u vra mbrëmë në Tiranë. 28-vjeçari njihej edhe me mbiemrin Noka, ndërsa njëri prej miqve të tij në rrjetet sociale shkruan se do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre.