Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë ndaj shtetasit Adil Doçi.
 
Ky i fundit akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje në dëm të shtetasit Olsi Kaptina.
 
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin korrik 2016, ndërkohë që pas 3 muaj hetime, autori i krimit ka pranuar autorësinë e vrasjes së 34-vjeçarit duke shfaqur pendesë.
 
Pritet që shumë shpejt Doçi ti nënshtrohet procesit të gjykimit, ku mësohet se do kërkojë gjykim të shkurtuar.
 
 Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrugën “Parisi”, në Kamëz, në një lokal që kohë më parë ishte mbyllur për shkak se aty ushtrohej prostitucion.
 
Por, kohët e fundit lokali ishte rihapur dhe viktima Olsi Kaptina dhe autori Adil Doçi, në muajin korrik kanë qenë në të njëjtin ambient të lokalit.
 
Të dy protagonistët e kësaj ngjarjeje kanë qenë të dehur. Prokuroria thotë se konflikti mes viktimës dhe autorit ka nisur rreth orës 22:00 të mbrëmjes dhe shkak dyshohet të jetë për një femër.
 
Adil Doçi 55 vjeç, gjatë momentit të konfliktit ka marrë një thikë, të cilën ka goditur në bark 34-vjeçarin, Olsi Kaptina.
 
Ky i fundit është dërguar menjëherë në QSUT, por nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ndërkohë, autori i këtij krimi është vënë në pranga pak ditë pas krimit.
 


d.b/shqiptarja.com