Nga kryeministria, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që drejtësia e re të zbardhë vrasjet e 4 qytetarëve në Bulevard në protestën e 21 janarit 2011. Duke ju referuar edhe vendimit të gjykatës së Strasburgut, kreu i qeverisë shqiptare tha se ai ishte një krim shtetëror dhe duhet që drejtësia e re ta zbardhë. Sipas Ramës, prokuroria e trajtoi si leckë provën e dalë para disa kohësh.
'Mirëdita, mire se keni ardhur! Së pari, dua të sjell në vëmendjen e të gjithëve se jemi në përfundim të një viti dhe në prag të fillimit të një viti tjetër, i cili qysh në nisje të tij do të risjellë në këtë godinë prindërit, bashkëshortët, fëmijët, familjarët e katër qytetarëve të vrarë nga shteti, nga qeveria, nga dritaret dhe gardhi i kësaj godine në 21 janar.
Është për të ardhur keq që në ndërkohë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka nxjerr një vendim shumë domethënës, shumë kuptimplotë, shumë të qartë lidhur me një krim shtetëror, që prej më shumë se një dekade është mbuluar nga pluhuri i jo vetëm harresës, por edhe i pabesisë së institucioneve të drejtësisë, reagimi i përgjithshëm në mexhlisin e debatit publik dhe mbi të gjitha i zëdhënësve të opinionit publik, pra i mediave ka qenë fare i zbehtë, por unë nuk jam këtu për të kritikuar mediat, por jam këtu për të risjellë në vëmendje peshën e jashtëzakonshme të këtij vendimi të Gjykatës Europiane mbi jetën shoqërore të vendit tonë. E kam thënë qysh në krye të herës që krime shtetërore si ai i 21 janarit, historia mëson se vonojnë shumë për tu zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur.
Në ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin dhe natyrisht pastaj edhe me dhimbjen dhe të drejtën e familjareve të viktimave në radhe të parë, por edhe të gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë, një provë të re të dalë para disa muajsh, është koha që drejtësia e re të reagojë pasi në ndërkohë, qysh se ky krim ka marrë rrugët e Prokurorive dhe Gjykatave të vendit ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë.
Leximi i vendimit të Gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite dhe vendosja e gishtit drejtpërdrejtë tek autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë, jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri, i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, Gjykata nënvizon, vë gishtin dhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është shumë e qartë në vendim se autoritetet ekzekutive më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale, (kriminale) drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.
Unë e kam bindje të palëkundur edhe sot e gjithë ditën, që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por sigurisht mund të vonohet. Mund të vazhdojë të vonohet. E për këtë arsye jam këtu duke i shprehur këto konsiderata sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e reformës në drejtësi, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos vazhdojë të rrijë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e mos këputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund drejtësi për mbi janarin.
Përballë 21 janarit dhe krimit shtetëror të 21 janarit, të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të peshuar në vendosjen e plotë të të gjithë themelit të ri të drejtësisë, i cili sapo ka nisur të ndërtohet. Nëse 21 janari mbetet në ajër, atëherë dhe themeli i ri i drejtësisë nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik, në një vend ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për të marrë jetë njerëzish te pafajshëm.
Kjo ishte hyrja ime, por natyrisht përderisa ju kam ftuar, jam i gatshëm për pyetjet tuaja sepse ka dhe gjëra të tjera që janë me interes në këtë fazë. '- tha Rama.
Lajmi kryesor: