Vrau kushëririn e parë në Greqi, prangoset gjatë marrjes në pyetje në komisariatin e Policisë së Fierit. Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnje dhe me banim në Durrës u vu në pranga gjatë ditës së djeshme me akuzën e vrasjes së kushëririt të tij Vladimir Murrizi.

Siç bën të ditur Policia e Fierit, më datë 7 gusht, Zaka së bashku me babain e kushëririt të tij (të vrarë) kanë shkuar në Policinë e Fierit ku kanë bërë denoncimin për vrasjen e tij. Mersin Murrizi ka kallëzuar se djali i tij Vladimiri është vrarë në Greqi, duke sjellë edhe si dëshmitarë Denis Zakën, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi, pa e ditur se do të ishte pikërisht ai autor i vrasjes së djalit.

Policia nisi menjëherë hetimet duke marrë në pyetje katër persona që kishin dijeni për veprën penale, si dhe bëri këqyrjen e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale me të cilët kishte komunikime.

Nga kryerja e veprimeve proceduriale lindën dyshime të bazuara se i dyshuari për vrasjen ishte Denis Zaka, kushëriri i parë i tij. Ai është intervistuar nga hetuesit dhe ka rezultuar se kishte kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike.

I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të
hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen, dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi.

Bashkëpunimi i Policisë së Fierit me Ineterpolin dhe Policinë greke bëri që autoritetet atje të gjejnë të groposur trupin e viktimës, pikërisht në vendin ku rrëfeu kushëriri.
Policia thotë se Zaka akuzohet për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare

Autori dhe viktima ishin kushërinj të parë me njëri-tjetrin. Policia ka mësuar se motivi i ngjarjes ka qenë një konflikt banal mes viktimës dhe autorit që më pas përfundoi fatalisht për të parin. 

Motivi i sherrit/ Autori i tha viktimës se e tradhton gruaja
Vrasja e Vladimir Murizit nga fshati Shën e Premte i Lushnjes ndodhi për shkak të një fyerje që autori bëri në adresë të gruas së viktimës. Autori Denis Zaka kishte shkuar pranë kushëririt të tij për të punuar bashkë me të si bari ndërsa natën e vrasjes kishin planifikuar të vidhnin një korrëse bari në fshatin Ksioneri të Larisës të Greqisë. Përpara se të niseshin për të vjedhur kishin pirë disa birra në një lokal të fshatit. Rrugës autori i tha viktimës se gruaja që jetonte në Shën e Premte e tradhëtonte. Viktima nuk e ka pritur mirë dhe i është përgjigjur duke e goditur me një shufër hekuri, të cilin e kishte marre me vehte si mjet mbrojtës gjatë vjedhjes që do kryenin. Kushëriri iu kundërpërgjigj duke e goditur me thikë, të cilën gjithashtu e kishte marrë për mbrojte. Viktima u godit me thikë në pjesën e djathte të barkut duke mbetur i vdekur në vënd.

Pas kësaj Zaka e ka groposur në afërsi të stanit ku punonin si barinj. Dy ditë më pas në dt. 6 gusht u kthye në Shqipëri iu u tregoi familjarëve të viktimës se ky i fundit u vra nga dy persona nga Elbasani. I ati i viktimës bashkë me autorin shkuan në policinë e Fierit ku në cilësinë e dëshmitarit autori rrëfeu vrasjen me detaje por duke ndryshuar autorësinë.

Ai u tha oficerëve të policisë së Fierit së Vladimiri u vra nga dy persona nga Elbasani duke dhënë edhe identitetin e tyre. Policia e Fierit nisi hetimin për të verifikuar thëniet e tij duke zbuluar brenda 10 orëve të marrjes në pyetje se dëshmitari kishte kontradikta në dëshminë e tij. Pas disa orësh marrjesh në pyetje Zaka dorëzohet duke treguar se vrasjen e kreu ai vetë dhe madje u tregoi edhe vendin se ku e lishte varrosur kushëririn. Policia e Fierit dërgoi të dhënat në policinë greke ku kjo e fundit zbuloi viktimën të varrosur në stan dhe armën e krimit që autori e kishte lënë në banesën e tij.

Vrasja e tmerrshme e kushëririt e kishte tronditur autorin duke e bërë depresiv. Një ditë pas vrasjes ai e kishte zhvarrosur kufomën për të parë nëse ishte e vërtetë ajo që ndodhi një natë më parë. Po atë ditë ai komunikoi me SMS me telefon me familjarët e viktimës duke u shtirur si Vladimiri e më pas e shkatërroi telefonin dhe u kthye në Shqipëri. Ngjarja ndodhi në 3 gusht në fshatin Ksioneri të Larisës, në Greqi. 
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com