Komisioneri për Zgjerimin në Bruksel Olivér Várhelyi ka prezantuar sot para Parlamentit Europian metodologjinë e re për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe europiane. Por ku bazohet metodologjia e re? Várhelyi theksoi se katër janë parimet kryesore. "Së pari, procesi duhet të jetë më i besueshëm. E dyta natyra politike e procesit. Ne synojmë të sigurojmë një angazhim të nivelit të lartë me vendet kandidate përmes samiteve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe takimeve ministrore. Ne duam t'i përfshijmë shtetet anëtare më fuqishëm dhe t'u japim atyre mundësi më të mira për të monitoruar dhe rishikuar procesin.
Parimi i tretë adreson nevojën për ta bërë tërë procesin më dinamik me një përqendrim më të fortë në sektorët bazë. Pika e katërt ka të bëjë me procesin më të parashikueshëm për të dy palët. Kjo do të nënkuptojë që vendet kandidate të kenë qartësi më të madhe për kushtet që duhet të plotësojnë, dhe cili është ndikimi pozitiv kur ka përparim dhe cilat janë pasojat negative në rast të mos plotësimit" tha ai.
Olivér Várhelyi kishte një mesazh të drejtpërdrejtë për liderët e BE-së duke u kërkuar të hapin negociatat në mars për disa arsye. "Ne kemi nevojë për stimuj të qartë dhe të prekshëm për të inkurajuar reformat. Komisioni qëndron në rekomandimet për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe shpresojmë që këto të mund të hapen para samitit të Ballkanit Perëndimor në Zagreb. Të dy vendet kanë dhënë atë që u kërkuan.
Gjatë vizitave të mia të fundit në Shkup dhe Tiranë, nënvizova rëndësinë e reformave dhe kërkova që zbatimi i tyre të vazhdojë. Të dy vendet janë angazhuar në përpjekje të mëtejshme për reformat. Në të njëjtën kohë për të qenë një partner i besueshëm, BE-ja duhet të përmbushë premtimet e saj. Ne jemi të bindur se çdo shtyrje e mëtejshme do të shkaktonte një rrezik të fortë, duke dëmtuar stabilitetin në të gjithë rajonin. Ne gjithashtu do të rrezikonim ndërhyrjen nga aktorët e vendeve të tretë dhe të tjerët.
Objektivi ynë është të intensifikojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor, të rrisim investimet dhe të ndihmojmë në mbylljen e hendekut të zhvillimit ekonomik midis nesh. Ne duhet të shohim se çfarë masash konkrete mund të ndërmarrim për të sjellë investime në Ballkanin Perëndimor për të rritur mundësinë e hyrjes në tregun e vetëm të BE-së, krijimin e vendeve të punës dhe mundësive të sipërmarrjes, përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve dhe ndalimin e ikjes së trurit nga rajoni" deklaroi ai.