Ministeriali në Tiranë, Gërvalla: BE të ngrijë statusin e vendit kandidat për Serbinë! Daçiç refuzon foton familjare! Kryediplomatja gjermane i merr në takime të ndara

TIRANE - Tensionet mes Kosovës e Serbisë kanë qenë në qendër të diskutimeve në ministerialin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, vendeve anëtare të procesit të  Berlinit si edhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian të mbledhur sot në Tiranë. Ky është një takim përgatitor Tiranë, i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Për herë të parë në Tiranë ishte e pranishme edhe Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerboc e cila u konsultua mbi perspektivën e afrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nën sfondin e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe  Serbisë.

Baerboc përsëriti disa herë se tensionet Kosovë – Serbi rrezikojnë dhe procesin e Berlinit. Në takimin bilateral të mbajtur me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, përcolli mesazhin e qartë të BE-së dhe të Berlinit se Serbia se nuk duhet të dërgojë ushtrinë në kufi me Serbinë dhe të hetohet sulmi i 2 shtatorit.

Provokimet e palës serbe përmes rritje së trupave në kufi me Kosovën e kanë nxehur situatën edhe më tej për këtë biseduam gjatë këtij takimi, ndodhi pas një sulmi tinëzar të një bande terroriste ndaj policisë Kosovës.  Presim nga Serbia të çojë para hetimet dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Situata është aq e tensionuar sa NATO ka rritur praninë e KFOR dhe ne bëjmë të qartë se qëndrojmë vigjilentë dhe do kontribuojmë në afatgjatë për stabilitet” tha  Baerboc

Më pas vijoi takim të ndarë edhe me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Në konferencën për media ministrja e Jashtme e Kosovës nuk dha shumë detaje nga biseda me dyer të mbyllura por bëri të qartë se Kosova nuk do të ulet në tryezë për dialog pa u ndëshkuar më parë Serbia. Gërvalla ka theksuar se Kosova e ka të vështirë të ulet në tryezën e dialogut me një shtet që nga ana tjetër stërvit grupe paramilitare që kryejnë sulme në Kosovë.

“Asnjëherë nuk kemi refuzuar të jemi konstruktiv në këtë proces por sot është momenti për të siguruar edhe partnerët tanë çfarë ka ndodhur në të vërtetë më 24 shtator për të nxjerrë konkluzionet dhe shtetet demokratike të marrin masat e nevojshme.  Masa më e vogël që do të duhej të ndodhte është ngrirja e statusit të shtetit kandidat Serbisë. Sepse një shtet që pretendon të hyjë në BE duhet ta dijë që nuk mund ta ketë atë shans kur vendos që me forca të armatosura dhe njerëz të trajnuar në kazermat e tyre ushtarake të sulmojë një shtet fqinj" tha Gërvalla pas takimit në një prononcim për median.

Duke vënë të parë prioritetin e institucioneve të Kosovës për të forcuar sigurinë në vend, Gërvalla tha se dialogu mund të vazhdojë vetëm nëse Serbia sanksionohet nga ndërkombëtarët. 

Serbia vijon të mbajë linjën e ashpër të mos njohjes së Kosovës. Madje Daçiç refuzoi të ishte pjesë e fotofamiljes, edhe pse aty ishin edhe përfaqësuesit e BE, Oliver Varhelyi dhe ministrja gjermane, pasi në listën e flamujve pjesëmarrës ishte dhe ai i Kosovës. Fotoja familjare është pjesë e protokollit të procesit të Berlinit dhe në të dalin të gjithë pjesëmarrësit dhe pas tyre janë  flamujt e vendeve përfaqësuese, por Daçiç s’ka pranuar që të jetë flamuri i Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani deklaroi se kishte zbatuar vetëm një protokoll.   

"Nuk do të doja të flisja për qëndrimet e kolegëve. Ata komentojnë vetë çfarë bëjnë. Unë respektoj protokollin e formatit të procesit të Berlinit. I ftova që të gjithë të pranishmit të më bashkoheshin e foton e familjes ta bënim pranë flamurëve tanë respektivë." 

Tirana mirëpriti sot ministerialin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (BP) dhe ata të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit në një takim përgatitor në Tiranë, i cili  i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit ishin pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm. Përveç Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe ata nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit. Në takim marrin pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, Oliver Varhelyi, Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal,  (RCC) dhe Zyra e Bashkëpunimit Rajonal  Rinisë, ( RYCO)

Në fokus të takimit ishin forcimi i dimensionit rajonal në Procesin e Berlinit dhe rëndësia e veçantë e këtij procesi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.  Një fokus tjetër ishte dhe përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër liritë themelore, Agjendën e Gjelbërt, atë Digjitale dhe përafrimin e BP me Tregun Unik të BE.

Takimi i radhës i Procesit të Berlinit që sivjet mbahet në Tiranë do të jetë i pari në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Të gjitha të rejat dhe mesazhet e këtij samiti mund ti ndiqni më poshtë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:18
FOTO/ Rama pret në zyrë ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock

1696609286_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim në zyrë ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e cila vizitoi sot Tiranën, pasi mori pjesë në punimet e ministerialit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit.

"Kryeministria - Takim me Ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë", shkruan Rama krahas fotove të takimit të publikuara në rrjete sociale.

24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit u mblodhën sot në Tiranë në takimin e ministrave të Jashtëm, i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Ora 16:23
Marrëveshja për asociacionin? Gërvalla: Nuk është momenti! Pas 24 shtatorit asgjë s'mund të vijojë me avazin e vjetër

1696604222_64001696599013x14864.jpg

Në një deklaratë për mediat pas ministerialit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Gërvalla tha se nga ndërkombëtarët duhet të merren masa një agresion i tillë nga ana e Serbisë të mos ndodhë më. E pyetur për marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Gërvalla tha se pas sulmit në Veri asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Ajo theksoi se është e rëndësishme siguria e qytetarëve.

"Në këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë. A do ta marrë përgjigen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për asociacion."

Ora 15:55
Gërvalla pas takimit me ministren e Jashtme të Gjermanisë: Kërkesa jonë e qartë, pa sanksione Serbia nuk merr mësim

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla ka dhënë detaje për takimin që ka zhvilluar me ministren e Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerboc. Para gazetarëve ajo tha se kërkesa e Kosovës për ndërkombëtarët është që të vendosin sanksione ndaj Serbisë në lidhje me sulmin në Veri, ndaj shtoi se kjo gjë ishte e qartë dhe për Baerboc.

Pyetje: A i keni kërkuar Gjermanisë të vendosë sanksione Serbisë?

Gërvalla: Ne i kemi kërkuar ndërkombëtarëve t'i vendosin sanksione Serbisë. Sot nuk i kam kërkuar këtë gjë sepse është e qartë kërkesa jonë. Nuk ka pasur nevojë, kemi diskutuar detaje të thella, por pa sanksionuar Serbinë ajo nuk ka për ta mësuar mësimin nga aktet e dhunës që ka ushtruar tani nga agresioni i hapur. Pa sanksionuar Serbinë edhe qytetarët do ta kenë të vështirë të ngrenë zërin për qeverinë e cila sillet në mënyrë të vazhdueshme ndaj vendeve fqinje.

Ora 15:40
Qëndrimet e Ramës, Gërvalla: Konferenca paqeje bëhen gjatë luftërave! Veriu është pjesë e Kosovës! Duhen deklarata më të matura, jo të hapim më shumë probleme

 

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk i ka përqafuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për situatën në Veri, ndërsa theksoi se sovraniteti i Kosovës nuk duhet të diskutohet nga askush. Në lidhje me deklaratën e Ramës për veriun e Kosovës, në Financial Times, që u keqinterpretua, Gërvalla bëri thirrje për deklarata më të matura.

"Bëj thirrje që në vend të deklarimeve të pamatura që më shumë hapin probleme se sa që zgjidhin, duhej një koordimin dhe një bashkërendim dhe një bisedë më e sinqertë mes autoriteteve tona, në mënyrë që idetë t’i shërbejnë më shumë zgjidhjes së situatës se sa prodhimit të lajmeve”, tha Gërvalla.

Sa i përket idesë për konference paqeje, ajo u shpreh se kjo nuk është e nevojshme, pasi sipas saj, konferencat e paqes kanë treguar se nuk kanë sjellë asgjë konkrete.

“Nuk ka nevojë për konferenca paqeje, janë zhvillluar gjatë luftërave në Ballkan dhe atëherë e kemi parë që nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Nuk ka nevojë për konferenca të tilla ndërkombëtare. Kosova nuk është objekt, Kosova është subjekt. Për objekte që organizohen çështje për të zgjidhur çështjen, ndërsa Kosova ka subjektivitetin e saj. Si subjekt i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare Kosova merr pjesë në të gjitha bisedimet multiaterale."

Ajo theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar që në një proces dialogu të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë.

“Një nga këto çështje për të cilën sipas mendimit tonë kanë gabuar, me një model të Republikës serbe në Bosnje, nuk mund të aplikohet. Aty nuk jemi vetëm, kemi përfaqësuesit e SHBA-ve dhe BE-së të cilët thonë se nuk mund të ketë një Republikës Serbe në Kosovë. Asgjë nuk mund të vazhdojë me avazin e vjetër. Duhet të shohim sigurinë e qytetarëve tanë dhe më pas të shohim nëse do ketë sanksione nga bashkësia ndërkombëtare më pas të shohim për dialog. Momenti sot është për t’u siguruar dhe partnerët tanë se çfarë ka ndodhur në Kosovë më 24 shtator”, u shpreh Gërvalla.

Pyetje: Rolin e Shqipërisë si e keni parë, marrë shkas edhe nga deklaratat e Ramës që KFOR të kontrollojë veriun e Kosovës, por edhe që veri u është tokë e askujt

Gërvalla: Veriu është pjesë e Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur dhe Kosova si e tillë është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sovraniteti i Kosovës nuk duhet të diskutohet nga askush. Nganjëherë ka deklarata që të bëjnë të habitesh shumë. Nuk do doja të komentoja kryeministrin e Shqipërisë dhe të ndikojë në thellimin e keqkuptimeve, përveç një arsye sepse Kosova nuk ka asnjë shtet më afër sesa Shqipëria dhe bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm. Pavarësisht deklaratave publike, ministritë tona, bizneset tona qytetarët tanë bashkëpunojnë në një rrafsh të jashtëzakonshëm si kurrë më parë, prandaj të gjithë së bashku do të duhej të flisnim më pak dhe të shihni si mund ti ndihmojmë situatës më shumë

Ora 15:34
Gërvalla: Prioriteti jonë siguria! Negociatat të pamundura nëse ndërkombëtarët s'e sanksionojnë Serbinë! Të gjithë ta respektojnë Kosovën si shtet i pavarur

 

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, duke folur për gazetarët pas ministerialit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë theksoi gjithashtu prioritetin e institucioneve të Kosovës për të forcuar sigurinë në vend, ndërsa shtoi se nëse ndërkombëtarët nuk sanksionojnë Serbinë, vijimësia e dialogut është i vështirë. 

“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet mesazhi që na ka dërguar Serbia dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe të merren masat e nevojshme. Serbia sillet si një mini Rusi e cila çdo shtet fqinj të saj e trajton në atë mënyrën që mendon se ata kanë të drejtë, që ata duhet t’u kthehen shteti serb. Prioritet kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës është siguria. Duhet të sigurohemi që armatimi që kemi gjetur është shumica  e armatimit. Kemi gjetur armë nëpër vetura, ndërtesa, nëpër shtëpitë e terroristëve që kanë kryer sulmin. Nëse bashkësia ndërkombëtare e lë Serbinë të kalojë pa pasoja, atëherë e shohim të pamundur vëzhdimësinë e negociatave. Duhet të ketë prioritet siguria, procesi i dialogut nuk duhet të jetë sa për të bërë foto, por duhet të jetë i dizajnuar në atë formë që të prodhojë sukses. Me një partner dialogu në tavolinë, në të njëjtën kohë trajnon terroristë që të sulmojnë Republikën tonë, është shumë e vështirë për ne që të ulemi. Është e qartë që pa sanksionuar Serbinsë, ajo nuk ka për ta mësuar. Qytetarët e Serbisë do kenë të vështirë të ngrenë zërin për të disiplinuar qeverinë e tyre për kërkesa”, u shpreh ministrja e Jashtme e Kosovës", tha Gërvalla.

"Kosova është shtet i pavarur. Ashtu sikurse nga Serbia të njohë Kosovën, kërkojmë nga të gjitha shtetet ta respektojnë këtë fakt dhe të mos bëjnë deklarata të pamatura”, shtoi ajo.

Ora 15:28
Osmani apo Kurti, kush do jetë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë? Gërvalla: Atë s’e vendos askush përveç institucioneve të Kosovës

 

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla në një deklaratë për mediat është pyetur se kush do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë, presidentja Vjosa Osmani apo kryeministri Albin Kurti. Ajo nënvizoi se këtë nuk e vendos askush tjetër përveç institucioneve të Kosovës dhe ky vendim ende nuk është marrë.

“Me datë 16 tetor se kush merr pjesë në Samit atë s'e vendos askush tjetër përveç institucioneve të Kosovës. Ne e mendojmë mirë kush merr pjesë për pjesëmarrje dhe mospjesëmarrje. S’ka vendosur kushte organizatori as nuk kemi vendosur. Të gjithë përfaqësuesit tonë kemi një gjuhë që e përdorim dhe ajo gjuhë jo vetëm që shpreh shqetësimin e Kosovës por tregon edhe rrugëdaljen”, tha ajo.

Ora 14:40
Daçiç bojkotoi foton familjare në ministerialin e Tiranës, reagon ministri i Jashtëm i Shqipërisë

 

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani, ka reaguar lidhur me bojkotin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç për të dalë në foton familjare për shkak se në mes të flamujve të shteteve pjesëmarrëse ishte dhe flamuri i Kosovës.

 "Nuk do të doja të flisja për qëndrimet e kolegëve. Ata komentojnë vetë çfarë bëjnë. Unë respektoj protokollin e formatit të procesit të Berlinit. I ftova që të gjithë të pranishmit të më bashkoheshin e foton e familjes ta bënim pranë flamurëve tanë respektivë" tha Hasani në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e jashtme gjermane dhe komisionerin e BE-së. 

Ora 13:35
FOTOLAJM/ Avioni gjigant me të cilin zbriti për herë të parë në Tiranë ministrja e Jashtme Gjermane

1696591741_avioniluftwave.jpeg

Avioni i Ministres së Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock

Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ndodhet për herë të parë në Tiranë, ndërsa po merr pjesë në ministerialin e ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit. Report Tv ka siguruar edhe foton e avionit me të cilin ministrja Baerbock ka mbërritur në Tiranë.

Ministrja gjermane do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama ditën e sotme rreth orës 17:00.

Baerbock para nisjes për në Shqipëri bëri thirrje që të gjitha palët duhet të intensifikojnë angazhimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Ky samit po mbahet në sfondin e një e ashpërsimit të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës pas sulmit në veri më 2 shtator ku u vra dhe një pjesëtar i policisë së Kosovës.

Sot nga Tirana, ministrja e jashtme gjermane Baerbock shprehu shqetësimin se këto tensione rrezikojnë procesin e Berlinit dhe i bëri thirrje Serbisë të tërheq trupat nga kufiri.

Ora 13:27
Ministeriali në Tiranë, Rama sot takim me ministren e jashtme gjermane dhe më pas me ministrin grek

1696591707_georgiosgerapetritisedirama.jpg

Rama, Baerbock dhe Gerapetritis

Në kuadër të samitit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, kryeministri Edi Rama pritet që të takojë sot ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe ministrin e Jashtëm grek, George Gerapetritis. Takimi i Ramës me homologun grek vjen pas situatës së tensionuar me shtetin fqinj, për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit, për vjedhje votash.

Ora 13:18
Samiti i Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë, Varhelyi: Mbajtja për herë të parë jashtë BE, dëshmi se rajoni është praktikisht një pjesë e integruar e unionit

Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi ka reaguar në twitter për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor. Várhelyi ndodhet në Tiranë për ministerialin e Ministrave të Jashtëm. Ai shkruan se mbajtja e Procesit të Berlinit për herë të parë jashtë Bashkimit Europian dëshmon se rajoni është praktikisht një pjesë e integruar e BE-së.

“Pritja e Procesit të Berlinit për herë të parë është një dëshmi se rajoni është praktikisht një pjesë e integruar e BE-së është e përkushtuar për të përfunduar punën dhe për ta vulosur atë. Ne ofrojmë të gjitha mjetet për të përshpejtuar procesin e Zgjerimit duke sjellë integrim të përshpejtuar edhe para anëtarësimit”, shkruan Várhelyi.

Ora 12:19
Çfarë është procesi i Berlinit dhe ministeriali përgatitor që solli Ministren e Gjermanisë për herë të parë në Tiranë

 

Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike, e inicuar nga ish Kancelarja gjermane Angela Merkel ne Gusht 2014 për t"i dhënë impulse të reja dhe përshpejtuar ritmet e hyrjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka shndërruar në një prioritet gjeo-strategjik të BE përshpejtimin e ritmeve te procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Nisma e Procesit të Berlinit synon arritjen në këto vende të standardeve, normave dhe praktikave të BE-së. Me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë ndërkohë po zhvillohen bisedimet e antarësimit. Bosnje-Hercegovina konisderohet si kandidate për antarësim ndërsa Kosova si kandidate e mundshme për antarësim.

Sot në Tiranë mbahet një takim përgatitor për samitin e radhës së këtij procesi mes ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (BP) dhe ata të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit. Në Tiranë ndodhet për herë të parë edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e cila do të konsultohet në Tiranë mbi perspektivën e afrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Baerbock, nga partia Të Gjelbërit,  para nisjes për në Shqipëri bëri thirrje që të gjitha palët duhet të intensifikojnë angazhimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. "BE-ja duhet ta mbajë fjalën e dhënë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë përpara reformat e nevojshme", deklaroi Baerbock.

Ky samit po mbahet në sfondin e një e ashpërsimit të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës pas sulmit në veri më 2 shtator ku u vra dhe një pjesëtar i policisë së Kosovës.

Sot nga Tirana, ministrja e jashtme gjermane Baerbock shprehu shqetësimin se këto tensione rrezikojnë procesin e Berlinit dhe i bëri thirrje Serbisë të tërheq trupat nga kufiri.

Takimi i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Për herë të parë mbahet një samit i procesit të Berlinit në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Ora 11:20
Ministeriali në Tiranë, ministrja e Jashtme gjermane takohet me ministrin serb Ivica Daçiç

 

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila ndodhet në Tiranë në kuadër të samitit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, po zhvillon një takim me ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç. Takimi ven pas tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një prononcim për mediat, Baerbock tha se përplasjet mes dy vendeve rrezikojnë procesin e Berlinit. Pas takimit me Daçiç, mësohet se ministrja gjermane do të takohet me ministren e Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla.

1696584428_WhatsAppImage20231006at11.10.30.jpeg

Dhoma ku po zhvillohet takimi mes Dacic dhe Baerbock
Ora 11:01
VIDEO+FOTO/ 'Nuk pranoi flamurin e Kosovës', ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç bojkoton foton familjare në Ministeriali në Tiranë

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, si edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian janë mbledhur në Tiranë në kuadër të Ministerialit të ministrave të Jashtëm për Procesin e Berlinit. Ministrat janë mbledhur për një foto familjare, siç tashmë është kthyer në një traditë në çdo samit.

Por, ajo çfarë vihet re është se ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç ka zgjedhur që të bojkotojë foton familjare edhe pse aty ishin edhe përfaqësuesit e BE, Oliver Varhelyi dhe ministrja gjermane.

Shkak për këtë është bërë flamuri i Kosovës. Fotoja do të zhvillohej nga pas me flamujt e vendeve përfaqësuese, por Daçiç s’ka pranuar që të jetë flamuri i Kosovës.

 

Ora 10:24
FOTOGALERI/ Tirana i uron mirëseardhjen ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit

 

Tirana mirëpret sot ministerialin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të BE në Procesin e Berlinit. Pjesë e ceremonisë është edhe komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi si dhe kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani i mirëpriti ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të BE në Procesin e Berlinit, përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, si dhe përfaqësues të organizatave rajonale.

Hasani priti me radhë George Gerapetritis, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Olivér Várhelyi, Komisionerin e BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, ministren e Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock, ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç, ministren e Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç, njëkohësisht ministri në Detyrë për Punët e Jashtme.

Në ministerial merr pjesë dhe përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; ministri i Jashtëm i Bosnje Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria.

Ora 09:44
Ministeriali i Ministrave të Jashtëm në Tiranë, Baerbock: Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik Procesin e Berlinit! Beogradi të tërheqë trupat

 

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock ka mbërritur në Tiranë, në kuadër të samitit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.

Në nisje të këtij takimi, ministri për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock, foli shkurt për mediat mbi tensionet më të fundit mes Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.Baerbock u shpreh se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë rrezikojnë procesin e Berlinit.

"Ne nëvizojmë se tensionet e ditëve të fundit në Serbi në Kosovë po rrezikojnë procesin e Berlinit dhe kjo është arsyeja pse bëj thirrje të fortë së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Europian por dhe të SHBA-së se Serbia duhet të reduktojë forcat që kemi parë së fundmit. Duhet të tregojmë vendosmëri më të madhe me prezencën e KFOR-it në komunat me shumica serbe”. tha Baerbock.

Ora 09:29
Samiti i Ministrave të Jashtëm në Tiranë, Hasani pret homologët! I pranishëm edhe Varhelyi

 

Në Pallatin e Brigadave, ku do të mbahet sot Ministeriali ka mbërritur një pjesë e mirë e delegacioneve të vendeve të Procesit të Berlinit.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani po pret një e nga një krerët e delegacioneve në hyrjen e Pallatit të Brigadave.Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi si dhe kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.

 

M.T/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndergjegja: 06/10/2023 18:53

    Ky dobiçiDaçiçi ndjehet ne Tirane sikur eshte ne Beograd? Sjellja dhe informacioni qe jepet e bejne rastin e ketij ministri serb shume sinjikativ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë