Lufta/ Izraeli sulmon përsëri bazat e UNIFIL, plagosen 2 'kaska blu'! 22 të vrarë në Bejrut, mes tyre komandanti i Xhihadit Islamik! Nga Libani hidhen 85 raketa

Lufta/ Izraeli sulmon përsëri bazat e UNIFIL, plagosen 2 'kaska blu'! 22 të vrarë në Bejrut, mes tyre komandanti i Xhihadit Islamik! Nga Libani hidhen 85 raketa

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë komandantin e grupit militant palestinez Xhihadi Islamik, në kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor të pushtuar. Mes të vrarëve edhe kreu i Njësisë Raketore të Hezbollahut.

Sipas La Repubblica, Muhammed Abdullah dyshohet se u 'eliminua' në sulmin ajror izraelit në fushën e Tulkarem.

Izraeli edhe sot nuk i ndali sulmet ndaj bazave paqeruajtëse të UNIFIL në Libanin Jugor, duke lënë të plagosur edhe 2 ushtarë 'kaska blu' të plagosur, njëri prej të cilëve më rëndë. Tel Avivi e mohoi, por vetë komanda e OKB e konfirmoi, ashtu sikurse edhe autoritetet libaneze.

Ushtarët e plagosur janë nga Sri Lanka, teksa dje pati sulme të tjera ndaj bazave, mes tyre edhe asaj italiane.

Gjithashtu, po sot, Izraeli zhvilloi bombardime në Bejrut, duke lënë 22 të vrarë, teksa raportohet se edhe Hezbollah iu përgjigj me 65 raketa, por nuk ka informacione për dëme dhe viktima.

Franca thirri sot menjëherë ambasadorin izraelit në Paris, për të dhënë shpjegime në Ministrinë e Jashtme. Libani njoftoi sot pasdite se Izraeli kishte sulmuar pozicionet e saj ushtarake, duke vrarë 2 ushtarë dhe plagosur 3 të tjerë në Kafra.

Nga Libani ka pasur përgjigje edhe sot pasdite, me 85 raketa të lëshuara në tokat izraelite, kurse IDF tha se një pjesë të tyre i kapi. Kurse Netanyahu ende është duke planifikuar strategjinë e hakmarrjes ndaj Iranit, sipas "Washington Post".

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, i bëri thirrje palëve që të ndalin sulmet.

“Një sulm kundër një misioni paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara nuk është përgjegjës, nuk është i pranueshëm dhe kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje Izraelit dhe të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:12
Nga Libani lëshohen 85 raketa drejt Izraelit! Burime për ‘Washington Post’: Përgjigja ndaj Iranit ende në fazën e planifikimit

Nga luftimet mes Izraelit dhe Libanit

Përgjigja e Izraelit ndaj sulmit raketor të Iranit të 1 Tetorit është ende në fazën e planifikimit.

Këtë e bëri të ditur një zyrtar izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, për “Washington Post”, pasi mbledhja e kabinetit izraelit të mbledhur mbrëmë (10 Tetor), përfundoi pa dritën jeshile për hakmarrje ndaj Republikës Islamike.

Zyrtari konfirmoi vonesën në vendimin e kabinetit të sigurisë, duke specifikuar se konsultimet janë të vazhdueshme mes Izraelit dhe administratës Biden.

Burimi saktësoi gjithashtu se kabineti i sigurisë mund të thirret me telefon për votim në çdo kohë.

Po sot pasdite, IDF tha se rreth 85 raketa u hodhën nga Libani në veri të Izraelit, disa prej të cilave u kapën, por nuk u raportuan dëme.

Edhe Hezbollah kishte lëshuar 65 raketa më herët drejt territoreve izraelite, teksa IDF në 24 orët e fundit ka shkaktuar mbi 20 të vdekur nga bombardimet në Bejrut, mes tyre edhe dy ushtarë libanezë.

Ora 18:10
Lufta/ Libani: Izraeli vrau 2 nga ushtarët tanë, edhe 3 të plagosur pas një sulmi në jug!

Liban- Ushtria libaneze njoftoi vdekjen e dy ushtarëve dhe plagosjen e tre të tjerëve sot (11 Tetor), nën zjarrin izraelit kundër një prej pozicioneve të saj në jug të vendit, në Kafra.

“Armiku izraelit shënjestroi një pozicion ushtarak në jug, duke lënë dy dëshmorë dhe tre të plagosur”, njoftoi ushtria në një deklaratë.

Me këtë sulm të fundit, numri i ushtarëve libanezë të vrarë që nga fillimi i intensifikimit të operacioneve izraelite në Liban më 23 Shtator, kundër lëvizjes islamike Hezbollah, rritet në katër.

Ora 16:51
Sulmet e Izraelit ndaj paqeruajtësve të UNIFIL në Liban, Franca thërret ambasadorin izraelit në Paris!

Nga sulmet afër bazave të UNIFIL

Paris- Pas sulmeve të Izraelit në bazat e misionit paqeruajtës UNIFIL në Libanin Jugor të enjten dhe të premten (10-11 Tetor), me pasojë të paktën katër ushtarë ‘kaska blu’ të plagosur dhe dëme materiale, ka ardhur edhe reagimi i fuqishëm ndërkombëtar.

Franca ka thirrur sot në Ministrinë e Jashtme, ambasadorin izraelit në Paris, për të dhënë shpjegime dhe për ta paralajmëruar për pasojat. Nuk jepen detaje nga bisedimet mes ministrit të jashtëm francez dhe ambasadorit.

OKB dhe UNIFIL reaguan ashpër dhe po ashtu drejtues të BE dhe faktori ndërkombëtar.

Vetë “Unifil” konfirmoi se dy ushtarë nga Sri Lanka u plagosën sot në dy shpërthime të tjera.

“Këtë mëngjes, për herë të dytë në 48 orët e fundit, selia e Unifil në Naqoura u godit nga shpërthime”, shkroi misioni Unifil në rrjetin social X, duke konfirmuar se “dy paqeruajtës u plagosën pasi dy shpërthime ndodhën pranë një kulle vëzhgimi”.

Misioni kujton se "çdo sulm i qëllimshëm ndaj forcave paqeruajtëse përbën një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe Rezolutës 1701 (2006) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Ora 15:26
Lufta/ Sulme të tjera izraelite ndaj bazave të UNIFIL, 2 ‘kaska blu’ të plagosura! 22 të vdekur në Bejrut, IDF: Vramë kreun e njësisë raketore të Hezbollah

Baza e UNIFIL në Libanin Jugor

Izraeli nuk ndalet në sulmet me armë ndaj bazave të UNIFIL, forcave paqeruajtëse të OKB-së që ndodhen në Libanin Jugor me mision humanitar ruajtës. Dy ushtarë të tjerë, nga Sri Lanka, mbetën të plagosur nga bombardimet, prej të cilëve njëri më rëndë.

Ministria e Mbrojtjes së Izraelit e mohoi sulmin e supozuar ndaj bazave italiane, por OKB dhe vetë UNIFIL konfirmuan goditjen e bazës së saj dhe dëmtimet. Edhe faktori ndërkombëtar, përfshi krerët e shteteve Perëndimore, kritikuan ashpër Tel Avivin për katër sulmet e fundit, po me kaq të plagosur, ndaj bazave të UNIFIL në Naqoura.  

Autoritetet libaneze kanë konfirmuar se një predhë izraelite goditi hyrjen kryesore të selisë së Unifil në Naqoura në Libanin jugor. Ministria e Jashtme në Bejrut shprehu "dënim të fortë" për incidentin.  

Nga ana tjetër, IDF bëri me dije sot (10 Tetor), se ka vrarë komandantin e Xhihadit Islamik palestinez, raporton “La Repubblica”.

Sulmi ndodhi në kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor. Muhammed Abdullah dyshohet se u 'eliminua' në sulmin ajror izraelit në fushën e Tulkarem.

Gjithashtu po sot, u raportuan mbi 20 të vdekur në qendër të Bejrutit, për shkak të një sulmi izraelit në 24 orët e fundit, duke lëshuar shi raketash.

Në orën 15:00 Hezbollah lëshoi edhe ​​65 raketa kundër Izraelit verior, siç raportohet nga IDF. Ndërkohë, sirenat vazhdojnë të tingëllojnë në komunitete të tjera, përveç atyre të shënjestruara.

Forcat Ajrore Izraelite (IAF) sulmuan dhe vranë gjithashtu komandantin e njësisë raketore antitank Radëan të Hezbollahut, Raviv al Shjaa. Sulmi i raportuar nga IDF goditi Libanin jugor.

Pasojat e bombardimeve në Liban
S.B/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë