Infeksionet urinare janë ndër problemet më të shpeshta që prekin si gratë ashtu edhe burrat, duke shkaktuar shqetësime që ndikojnë në cilësinë e jetës. Pse ndodhin këto infeksione, cilët janë faktorët që i favorizojnë dhe si mund të ndihmojnë bimët medicinale në parandalimin dhe lehtësimin e tyre? Në emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv, specialisti i bimëve medicinale Ylli Merja, u ndal në shkaqet, simptomat dhe trajtimet bimore që përdoren tradicionalisht për mbështetjen e shëndetit të traktit urinar.

“Infeksionet urinare ndodhin kur mikroorganizmat, më së shpeshti bakteret, hyjnë në rrugët urinare dhe shumohen duke shkaktuar inflamacion, kruarje, dhimbje dhe shqetësim”, theksoi Merja në fillim të bisedës.

Llojet kryesore të infeksioneve urinare janë: Uretriti, infeksioni i uretrës; Cistiti, infeksion i fshikëzës urinare, më i shpeshti; Pielonefriti, më i rëndë - infeksion i veshkave dhe i traktit të sipërm urinar.

Po si ndodh infeksioni

“Bakteret (kryesisht E. coli) nga zorra hyjnë në uretrë. Ato ngjiten në muret e uretrës dhe arrijnë në fshikëzën urinare. Bakteret shumohen në urinë dhe irritojnë mukozën e fshikëzës. Shkaktojnë inflamacion, dhimbje, djegie gjatë urinimit. Nëse nuk trajtohet infeksioni mund të ngjitet drejt ureterëve dhe veshkave duke shkaktuar pielonefrit”, thotë Merja.

Simptomat më të shpeshta të infeksioneve urinare:

- Djegie ose dhimbje gjatë urinimit

- Nevoja e shpeshtë për të urinuar

- Urinë me erë të fortë ose e turbullt

- Dhimbje në pjesën e poshtme të barkut

- Në rast pielonefriti: ethe, të dridhura, dhimbje në shpinë anësore, të përziera

Sipas specialistit Merja, natyra na ka falur një sërë bimësh medicinale, të cilat kanë veprim antibakterial, antiinflamator, diuretik dhe qetësues të traktit urinar.

Bimët mjekësore që zvogëlojnë shkallën bakteriale në infeksione

- Manalepa, përmban arbutinë që në trup çlirohet në hidrokinon, me veprim antibakterial kundër E. coli.

- Bishtajka, ka veprim diuretik, antiseptik dhe ndihmon në pastrimin e rrugëve urinare.

- Trumza, vajrat esencialë (timoli, karvakroli) kanë veprim të fuqishëm antibakterial dhe antifungal.

- Gjethe dafine, vepron si antibakterial, antiinflamator dhe ndihmon në eliminimin e baktereve nga rrugët urinare.

- Persilje, diuretik i butë natyral, ndihmon në largimin e baktereve me urinën dhe ul inflamacionin.

- Gjethe ulliri, ekstrakti i gjetheve ka veprim antibakterial dhe antiviral, ndihmon uljen e kolonizimit bakterial.

“Këto bimë zvogëlojnë ngarkesën bakteriale, sidomos E. coli dhe bakteret Gram-negative. Pengojnë ngjitjen e baktereve në muret e traktit urinar, ulin inflamacionin dhe irritimin, nxisin nxjerrjen e baktereve përmes urinës”, thekson Merja.

Faktorët e rriskut që e nxisin infeksionin

Diabeti

Prostata

Çrregullimet e eliminimit të urinës

Ulja e rezistencës së trupit

Marrëdhëniet seksuale me njerëz të infektuar

Mos marrja e lëngjeve mjaftueshëm gjatë ditës

“Pini shumë ujë, konsumoni boronica, pasi kanë proantocianidina që pengojnë bakteret në ngjitje.  Mos e shtyni urinimin, kujdesuni per higjienën tuaj intime”, këshillon Merja.

Trajtimi alternativ, infeksionet urinare

* Kujdes për higjienën personale

* Konsumoni lëngje gjatë gjithë ditës

* Konsumoni më pak sheqer dhe më pak pije të gazuara

* Përdorini çajra bimorë me veti antibakteriale dhe antimykotike, ndër bimët medicinale veçohen: manalepa, bishtajke, persilje, gjelle ulliri, dafine, dëllinjë, këputja e arave, thanë, trëndafil i egër, rigon, trumzë.

* Çaj uromer: Në 2.5 litra ujë zihen 2–3 minuta  10 lugë gjelle çaj uromer, 1 lugë gjelle rigon ose trumzë, 1 lugë kamomil ose lule bliri. Pihen 5–7 gota në ditë.

* Ekstrakt balsamik, pihet 2 herë nga një lugë çaji në ditë para buke.

* Propolis me rigon, pihet 3 herë nga 10 pika në ditë pas buke

* Si shpëlarës të zonës intime përdorim çajin me kamomil dhe rigon, ku shtojmë 10–15 pika propolis me rigon. Ky trajtim bëhet 2 herë në ditë.

* Për fëmijët e vegjël, në varësi nga mosha, mund të përdoren 2–3 gota në ditë nga çaji, me 3–5 pika propolis. Për fëmijët deri në moshën 5 vjeç përdoret çaj me trëndafil të egër, 5–6 kokrra, zihen një orë; një dorë hithër dhe një dorë bishta qershie në 1 litër ujë.

 

Bimët mjekësore janë ndihmë e vlefshme, por nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor kur infeksioni është i rëndë. Përdorimi i tyre i rregullt forcon mbrojtjen natyrale të traktit urinar dhe parandalon përsëritjen e infeksioneve.