TIRANE - Nuk arriti të takohej me frikën e tij më të madhe, plakjen por më vdekjen u takua sot, ndërsa mbylli sytë përjetë këtë mes gushti në largimin e tij të parakohshëm. Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjecare duke u larguar pa zhurmë. Nuk e shihnim prej kohësh në këtë rremuz ngjarjesh, penën e mprehtë dhe kritike të një tranzicioni të gjatë shqiptar. Publicisti, gazetari bashkëthemeluesi i disa prej mediave të shkruara në vend, ndërsa kësaj here ka lënë zbrazëtinë e tij fizike, por jo të veprave, autori i reportazheve te njohura  "Tunel, "Rrugëtim", "Shtëpia e Vjetër" si edhe i shumë dokumentarëve televizive.

Gazetaria është në zi, shuhet një emër i njohur,  ndërsa miq dhe kolegë që punuan dhe e njohën nga afër janë në sinkroni kur duke ndryshuar statuset në Facebook shprehin keqardhjen për humbjen e tij.

Unioni i Gazetarëve shkruan se Baxhaku ishte një nga themeluesit e kësaj shoqate. “Prej disa kohësh kolegu ynë i dashur përballej në heshtje sizifi me sëmundjen e rêndë duke zgjedhur dhe preferuar që kapitullin e fundit të betejës fatale ta vijonte me heshtjen e vet fisnike te modestisë dhe larg zhurmës”.

Përfaqësues nga politika kanë shprehur ngushëllimet e tyre, teksa kanë vlerësuar kontributin e tij në shtypin shqiptar të fillim të viteve '90.

Ti e zgjodhe udhën tënde, atë të përjetësisë, si çdo shteg që shkele për tu rikthyer sërish me penën tënde. Por kësaj here vendose të ikje për të mos u kthyer më.

Lamtumirë Tosi, siç miqtë të thërrisnin në dekata…Pushofsh në paqe…

Kush ishte Fatos Baxhaku

Baxhaku lindi në Tiranë me 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe " 20 Vjetori", (sot Dora D'Istria). Shkollimin e mesëm e kreu ne gjimnazin "Ismail Qemali". Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Unversitetin e Tiranës ne fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua ne histori. Që nga 1986 e deri ne 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i pare i lajmeve në televizionin "Klan". Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme "XXL". Nga 2001 deri ne 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin "Vizion Plus". Nga viti (2015) ai ishte gazetar në profesion të lirë. Fatos Baxhaku ka qenë disa here pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës, si dhe ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar te Helsinkit.