“Po përpiqen t’i fusin frikën popullit me skenarë të sajuar.”

Kjo ishte akuza e artikuluar nga lideri i opozitës hungareze Péter Magyar, pasi në veri të Serbisë u gjetën eksplozivë pranë një gazsjellësi strategjik. Ai tha se kishte marrë paralajmërime më herët se diçka mund të ndodhte rreth Pashkëve në Serbi, ndoshta duke përfshirë një gazsjellës dhe, sipas tij, me përfshirje serbe dhe ruse. “Dhe tani ndodhi”, shtoi ai, duke i kërkuar qeverisë të ndalë përhapjen e panikut dhe të mos shkaktojë trazira.

Të dielën, presidenti serb Aleksandar Vuçiç konfirmoi se policia kishte zbuluar dy pako të mëdha me eksploziv dhe detonatorë, të vendosura në çanta shpine, vetëm disa qindra metra larg gazsjellësit pranë Kanjižës. Ai e cilësoi rastin si një atentat të parandaluar, pa dhënë detaje për autorët apo motivet.

Bëhet fjalë për Balkan Stream, që siç raporton CorrieredellaSera, është vazhdim i TurkStream dhe transporton gaz rus drejt Serbisë dhe Hungarisë. Pas ngjarjes, kryeministri hungarez Viktor Orbán konfirmoi se kishte folur me Vuçiç dhe thirrur një këshill të jashtëzakonshëm të mbrojtjes, ndonëse nuk ka ende informacion se kush i vendosi eksplozivët dhe pse.

Ngjarja vjen në një moment kur infrastruktura energjetike është në qendër të tensioneve. Druzhba pipeline, që transporton naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë përmes Ukrainës, u dëmtua nga një sulm rus në fund të janarit dhe ende nuk është riparuar. Hungaria dhe Sllovakia akuzojnë Ukrainën se po e përdor situatën për qëllime politike, ndërsa qeveria e Orbán ka pretenduar se Kievi po përpiqet të shkaktojë krizë energjetike përpara zgjedhjeve të 12 prillit, madje duke bllokuar edhe një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Serbia, që nuk është pjesë e BE-së por është vend kandidat, mbetet shumë e varur nga gazi rus, duke importuar rreth 6 milionë metra kub në ditë me çmime më të ulëta se tregu.

Incidenti ndodh vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari, ku Viktor Orbán përballet me sfidën më të fortë në 16 vitet e fundit nga Péter Magyar, ish-figurë e rëndësishme e Fidesz. Fushata ka vënë përballë dy narrativa: njëra e fokusuar te rreziku nga lufta në Ukrainë dhe siguria, dhe tjetra te ekonomia, korrupsioni dhe shërbimet publike. Në këtë klimë, zbulimi i eksplozivëve pranë një gazsjellësi strategjik ka rritur edhe më shumë tensionin politik në vend.