Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar sërish për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Kosovë ku policia ndaloi djalin e tij Danilo Vuçiç dhe i hoqi bluzën me mbishkrimin provokues ‘Dorëzimi nuk është opsion’. Në një postim të bërë në rrjetin social instagram, Vuçiç pretendon se policët i kanë drejtuar armën djalit të tij dhe në momentin kur e kanë pyetur për emrin e babait, ai u është përgjigjur duke u thënë ‘presidenti juaj’.

Sipas Vuçiçit policët i kanë drejtuar armën djalit të tij vetëm se ky i fundit nuk kishte pranuar të hiqte bluzën me mbishkrimin provokues.

“Vetëm tani kuptova se çfarë po ndodhte në Kosovë. Herën e fundit që ndaluan Danilon, jo shumë larg Podujevës, policia shqiptare kërkoi që ai të hiqte me çdo kusht bluzën ku shkruhej “Dorëzimi nuk është opsion”. Danilo nuk u pajtua dhe më pas i drejtuan armët dhe e pyetën "Emri i babait?" Ai u përgjigj: "Aleksandër! Ky është babai im dhe presidenti juaj"! Këmishën nuk i ishte hequr, fytyra nuk ishte e njollosur. Dorëzimi nuk është një opsion!”- shkruan Vuçiç.

Në kundërpërgjigjie, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla, e quajti presidentin serb një kundërshtar kronik duke thënë se nuk kishte ndodhur asgjë e tillë që ai pretendon. Zveçla tha se policia e Kosovës thjesht i ka marrë bluzën me mbishkrimin provokues që mbante veshur në festën e Vidovdanit që u mbajt në Graçanicë (zonë në jug të Prishtinës). 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:03
Sveçla për djalin e Vuçiç: Policia e Kosovës i mori vetëm bluzën, presidenti serb qenka genjështar kronik

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka komentuar zhvillimet e djeshme për Vidovdan ku mori pjesë edhe djali i presidentit të Serbisë.

Sveçla tha se ai ka hyrë në Kosovë si qytetar i rëndomtë, por që më pas ka shfaqur parulla provokative. Ministri deklaroi se atij i është marrë bluza, përderisa presidentin e Serbisë e quajti gënjeshtar kronik.

“Për djalin e Vuçiçit, ai në Kosovë ka hyrë si qytetar i rëndomtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave deri tash për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Ai u shfaq në Graçanicë me atë bluzë, dhe policia ka marrë vendim që ta ndalin dhe kontrollojnë vetura që janë sjellur në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar, që është realizuar, heqja e bluzës me mesazh provokativ. Ata janë larguar për Serbi. Ne e dijmë që Vuçiç ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit, por që është gënjeshtar kronik po na e dëshmon çdo ditë. Djali i tij nuk është ndalur tri herë, por vetëm një herë.”- tha Sveçla.