Vulinit nuk i lejohet të fluturojë me helikopter mbi Bosnje dhe Hercegovinë

Vulinit nuk i lejohet të fluturojë me helikopter mbi Bosnje dhe Hercegovinë

Aleksandar Vulin

 Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë leje zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të fluturuar me helikopter në Pale, afër Sarajevës, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Vulin duhej të merrte pjesë në një festë të kësaj komune, të njohur si Vellika Gospojina dhe të vendoste lule në Sheshin e Republikës Sërpska, për luftëtarët serbë që humbën jetën në luftën e viteve 1990.

“Edhe pse kabineti i zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Serbisë i kanë dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe me kohë të gjitha informatat e nevojshme dhe dokumentet mbështetëse, e madje kanë deklaruar qëllimin e vizitës, autoritetet në Federatë, me heshtjen dhe mospërgjigjjen e tyre, nuk e kanë dhënë pëlqimin për fluturim”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet, gjithashtu, se Ambasada e Serbisë i ka respektuar të gjitha procedurat e kërkuara, por, pavarësisht kësaj, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i janë përgjigjur kërkesës.

Deri në publikimin e këtij lajmi, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u deklaruan në lidhje me këtë rast. Vulin, megjithatë, arriti në ceremoninë në Pale, por me veturë zyrtare, raporton agjencia serbe e lajmeve, "Beta".

Vulinit nuk iu dha leje për të fluturuar në Bosnje dhe Hercegovinë as më 5 gusht, kur ishte dashur të merrte pjesë në hapjen e një ekspozite kushtuar vuajtjeve të serbëve në Luftën e Dytë Botërore në Prebillovci – një fshat në jug të Bosnjës.

Siç shpjegoi në atë kohë ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviç, Vulinit nuk i është dhënë leja për të arritur në Bosnje me helikopter, pasi kërkesa ka mbërritur shumë vonë dhe se ai nuk ka dashur t’i shkelte procedurat, meqë është person, i cili “e minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës çdo ditë”.

Pas kësaj ngjarjeje, Serbia i dërgoi një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, duke vlerësuar se një vendim i tillë “nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Vulin arriti në manifestimin në Prebillovci të nesërmen. Retorika e Beogradit zyrtar dhe Sarajevës është ashpërsuar muajt e fundit.

Një nga arsyet ishte lobimi i autoriteteve në Beograd kundër miratimit të një rezolute të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën që e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. /REL/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

“Dhimbje barku, temperaturë, të vjella, dobësi trupore”, fluks i lartë fëmijësh në Pediatrinë e Pogradecit

“Dhimbje barku, temperaturë, të vjella, dobësi trupore”, fluks i lartë fëmijësh në Pediatrinë e Pogradecit