Në inflacionin e momenteve historike në këto vitet e fundit, 25 korriku dhe emri i Enver Zymberit do të shënojnë fillimin e fundit të procesit të vulosjes së sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e republikës më të re europiane.

Çdo gjë filloi me vulën. Kosova ishte më 2011 në mes të bisedave teknike me Serbinë të mandatuara nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Një nga çështjet e para që pengonte marrëdhëniet “normale” midis dy shteteve ishte bllokada e mallrave kosovare nga ana e Serbisë. Fqinjët veriorë pretendonin se nuk njohin vulat e Republikës së Kosovës dhe për një kohë të gjatë ushtronin ndalesë të mallrave të Kosovës nëpër - dhe në Serbi.

Në fazat e para të dialogut teknik, dy shtetet u morën vesh për tabela të automjeteve, duke konfirmuar të drejtën sovrane të Ministrisë së Brendshme të Kosovës të furnizon qytetarët me targat e kerreve. Pat sukses edhe në njohjen e diplomave nga Universitetet kosovare për punëdhënësit në Serbi, pikë kjo e rëndësishme për Luginën e Preshevës.

Megjithatë, në çështjen e njohjes së vulave, Serbia vononte të pranonte realitetin. Argumenti i qeverisë serbe ishte shumë i dobët. Produkt i një politike kimerë të ish Ministrit Jeremic, Serbia ishte obsesionuar me simbole dhe semantikë dhe kështu dizajni dhe përmbajtja e një vule doganore që vuloset në deklarata importi e eksporti, mori një vlerë jetike për Serbinë. Ndryshimi i vulave nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës projektonte mu atë llojin e ndryshimit të pakthyeshëm (që nga Serbia quhet edhe “unilateral”) dhe zhdukjes së veprimtarisë së UNMIK-ut në formatin që ka pasur para Pavarësisë dhe zëvendësimit me administratën republikane.

Në anën tjetër, Kosova lejonte importet nga Serbia, bile duke shpenzuar fare lirshëm gjysmë miliardë euro në vjet në ushqime, material ndërtimor, derivate, lëndë druri dhe turli mall tjetër nga Serbia.

Me gjasë, në fillim edhe kishte tolerancë kosovare ndaj këtij akti “jonormal” dhe jofqinjësor të Serbisë. Kjo tolerance ishte më shumë e kushtëzuar nga fakti që mallrat serbe janë të popullarizuara në Kosovë se janë më të lirat e jo se janë serbe dhe se çdo bllokadë mallrave serbe do të krijonte shtrenjtim të mundshëm që do të godiste direkt konsumuesit. Të themi se konsumuesit e mallrave të lira serbe në Kosovë është edhe shtresa më e goditur ekonomikisht nga tranzicioni. Thjesht, për shume familje kosovare, detergjentet serbe janë më të kapshme se ato gjermane, çokollatat serbe janë më të lira se ato austriake dhe se tjegulla serbe është nganjëherë më e lire edhe se ajoprodhuar në Kosovë.

Eh po tashmë bisedat teknike kishin filluar dhe refuzimi serb i ndërprerjes së bllokadës ishte në kundërshti të plotë me planin hap-pas-hapi të normalizimit që presupozohej se duhet të ndodhë në dialog, si pjesë esenciale e integrimeve europiane për të dy shtetet.

Prandaj Qeveria kosovare edhe reagoi duke sjellë dekret për bllokadën ndaj mallrave serbe në shenjë reciprociteti. Kjo solli deri tek situata që në pikat veriore kosovare, vendimi të mos respektohej. Atje që nga 2008 ishte krijuar një vrimë pa kontroll efektiv nga Policia e Doganat e Kosovës dhe çfarëdo tolerance fillestare u zhduk nga efektet e dëmshme të pikëpyetjeve rreth sovranitetit të Kosovës në veri.

Kjo solli deri tek 25 korriku 2011, data kur Kosova hyri në një etapë të re të zhvillimit.

Në inflacionin e momenteve historike në këto vitet e fundit, kjo datë dhe emri i Enver Zymberit do të shënojnë fillimin e fundit të procesit të vulosjes. Vulosjes së sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e republikës më të re europiane.

Në këtë ditë, Kryeministri Thaçi dhe Ministri Rexhepi autorizoi operacionin kur njësitet policore u nisën përgjatë magjistraleve publike për të marrë nën kontroll operativ pikat 1 dhe 31.

Grupe të armatosura dhe njësite të sigurisë paralele të veriut qëllimisht eskaluan gjendjen duke sulmuar policinë e më vonë edhe KFOR-in e bazuar në veri. Polici i ndjerë u bë kurban i rikthimit të Kosovës në familjen europiane dhe anëtarësisë së Kosovës më BE.

“Beteja për vule” zbërtheu ngërçin pesëvjeçar të shkaktuar nga armiqësia e hapur e Serbisë ndaj realitetit të Kosovës si fqinje. Rrahjet e fundit të zemrës së policit Zymberi, u shndërruan në Efekt të Fluturës. E dini teorinë e fluturës sipas së cilës rrahjet e krahëve të fluturës në një anë të botës, shkakton uragan të vërtetë në anën tjetër të botës disa javë më vonë?

Ajo që ndodhi me 25 korrik 2011 ndryshoi pjesën më të re të historisë së Kosovës në më shumë se disa mënyra.

Fillimisht, Serbia pësoi debaklin e tretë dhe përfundimtar diplomatik sa i përket pretendimeve legale dhe legaliste ndaj Kosovës. Që të jemi më të qartë, debakli i parë ishtë fitorja e Kosovës me verdiktin e GJND'së që legjitimoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Debakli i dyti ishte me kthesën totale që u desh të bëjë Qeveria serbe dhe Jeremici në OKB duke u tërhequr nga propozimi i rezolutës që injoronte verdiktin e GJND dhe kërkonte biseda për status në shtator të 2010. 24 orë para votimit për propozimin e papranueshëm serb, Ministri Hague dhe Ministri Westerwelle për herë të parë ja bënë të qartë Beogradit konsekuencat e errëta nëse tenton të vazhdojë sfidimin desktruktiv të Kosovës. Në fund u aprovua një rezolutë e BE-së që mbyll një herë e përgjithmonë çështjen e statusit të Kosovës dhe zhvendos debatin mbi marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë nga Nju Jorku në Bruksel.

Debakli i tretë ishte ky i 25 korrik 2011.

Në aspektin diplomatik, Serbia u desh të tërhiqet dhe të njeh vulat e Kosovës, aq më shumë kur edhe vetë UNMIK e kishte njohur mu këtë vulë që nga 2009, siç e kishte njohur edhe 5 shtetet jonjohëse të BE-së. Lëvizja e plotë e mallrave kosovare në dhe nëpër Serbi u garantua një herë e përgjithmonë. Kundrejt EULEX-it u arrit një një stad i ri i marrëdhënieve. Edhepse në vitet e para EULEX insistonte në status-neutralitet dhe i ikte referencavë në Kushtetutën e Kosovës dhe aplikimit mbarëkosovar të saj, më 25 korrik EULEX u desht të konfirmon se Kosova është një zonë ligjore, një zonë doganore, unike dhe e pandashme dhe si konsekuencë në këtë zonë unike zbatohet vetëm një sistem kushtetues. Pa ambiguitete. Pa dualizëm dhe paralelizëm.

Në aspektin e sigurisë, u zhvesh dhe u bë e ashiqarshme ekzistenca e një strukture të tërë të armatosur në veri, në “payroll” të Serbisë, nën komandë të Serbisë, por thellësisht të infektuar nga strukturat kriminele që morën rrënjë gjatë vakumit shumëvjeçar të krijuar për shkak të mungesës së apetitit të EULEX të zbatonte ligjin e Kosovës edhe në veri (biprodukt bizar i “neutralitetit” të lartpërmendur).

Në aspektin thjesht propagandistik, argumentet e Beogradit poashtu u dekonstruktuan. Makineria mediale serbe hyri në hiperprodhim të lajmeve nën panik se shqiptarët me njësitet ROSU sulmuan serbët, që “populli i gjorë i paarmatosur” po ngrit barrikada për të parandaluar “marsin e ri”. Problemi me këtë linjë të propagandës është se kjo nuk ndodhte në Krajinën e 1991, kur scenario i “balvan revolucija” u zbatua në terrin informativ, por rrumbullak 20 vjet më vonë, kur NATO dhe BE kanë mbikëqyrje të plotë të tërë Ballkanit me instrumente të ndryshme kontraktuale me shtetet.

E vërteta ishte se njësite paralele në veri tentuan ta ndezin situatën, se në këtë proces gjuajtën me qindra projektile ndaj ushtarëve tetëmbëdhjetëvjeçar kryesisht gjermanë. E vërteta është se situata i kishte dalë kontrollit edhe aktorëve të mainstreamit politik në Beograd dhe se në veri po vepronin forca të errëta të rrjeteve të vjetra të Serbisë së vjetër. E vërteta ishte se pohimet serbe se në veri është krizë humanitare dhe uri masive ishin gënjeshtra dhe konvoji i ndihmave ruse ishte i panevojshëm.

E vërteta u shpalos edhe nga politikani serb Vuk Draskovic i cili atë verë e theu konfidencialitetin zyrtar duke konfirmuar se agresori i vetëm në fundit të korrikut ishin trupat e organizura në veri me agjendë sinistre dhe mbulesë nga Serbia.

Edhe një e vërtetë duhet thënë. Në verën e 2011, propaganda serbe dështoi t'i len përshtypje targetit të jashtëm dhe u kthye bumerang më i rëndë se shkelmi i kengurit. Por ishte tmerrësisht efektive në frikësimin deri në palcë të dhjetëra mijëra serbëve që jetojnë në veri dhe kanë jetuar gjithmonë në veri dhe dëshirojnë normalitet si çdo kosovar tjetër. Nëpërmjet frikësimit se “shqiptarët po vijnë” apo se do t'i humbin vendet e punës, serbët e veriut u larguan më shumë se kurrë nga Prishtina, edhepse vetë territori I veriut u integrua pakthyeshëm me pjesën tjetër.

Konsekuencë tjetër imediate ishte se binomi Washington - Londër u pasurua me vëmendjen e Berlinit dhe urgjencës në BE që të insistohet në sjellje europiane nga fqinjët ballkanikë. Vëmendja e kryeqyteteve europiane me vite të tëra ishte e preokupuar me kataklizmin financiar që shkriu miliarda të pasurive kombëtare. Kosova pat shpallë pavarësinë para 5 vitesh por as ajo e as Serbia nuk ishin të afta për të lëvizur përpara në integrime europiane. Kosova si “newborn” tek po hynte në proceset e vërteta tranzicionale me instrumente shtetërore, ndërsa Serbia kishte arritur regres në vetëreflektim nacional.

Por tani Kosova po priste MSA-në pas progresit të shënuar ndër vite ndërsa Serbia priste kandidaturën, pas shumë shpresave të thyera. U krijuan konditat që karota e integrimeve europiane të mund të përdorej me kredibilitet dhe me konsensus midis të gjithë shteteve në BE.

Kështu, efektet e rrahjes së krahëve të fluturave u bënë edhe më të fuqishme. Vinte era ndryshim. Dy vitet pasuese nga 25 korriku filluan procesin e pakthyeshëm të integrimeve dhe shtrirjes së sovranitetit. Ndarja e Kosovës kurrë më nuk u hap si temë apo si frikë. Ky ishte edhe epilogu kryesor i ngjarjeve të verës së nxehtë të anno domini 2011.

...

Shefi i BE-së për Kosovë Samuel Zbogar para ca dite në Mbledhjen Plenare të Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit tha se në Kosovë ka tash një optimizëm që nuk ishte vitet e kaluara dhe se rrugëtimi i Kosovën në maratonën e integrimeve po shkon me hapa shumë më të shpejtë se sa pritej.

Shpejtësinë e hapave e rrahën pjesëtarët e ROSU't dhe dëshmorit Zymberi.

Nga Petrit Selimi