Një bombol gazi ka shpërthyer mesditën e sotme në një banesë në lagjen "30 vjetori" të qytetit të Beratit. Një e moshuar 76-vjeçare, e cila jetonte e vetme në shtëpinë e saj, ka harruar bombolën e gatimit ndezur me tenxheren mbi të dhe e ka zënë gjumi.
Njoftimin në repartin e zjarrfikësve të Beratit e kanë bërë komshinjtë, që kanë ndjerë fillimisht erën e rëndë të gazit e më pas shpërthimin. Zjarrëfikësit janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes por për shkak të ndërtimeve të shumta përreth pallatit hyrja me mjete ka qënë e vështirë.
Ata kanë shpërthyer derën kryesore të banesës dhe kanë shuar flakët, duke vënë situatën nën kontroll për të mos u përhapur zjarri në katet e tjera të pallatit. Mësohet se e moshuara 76-vjeçe që jetonte e vetme në banesë pasi fëmijët i ka në emigrim nuk ka pësuar lëndime. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forca të shumta policie, që raportojnë nga vendngjarja se nga ky shpërthim ka patur vetëm dëme materiale në banesën e të moshuarë dhe asnjë të lënduar.