Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në New York, u takua sot me ish të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, ambasadorin Frank Wisner, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në vend dhe për avancimin e proceseve demokratike.

Ambasadori Wisner tha se "Kosova ka arritur përparime të rëndësishme dhe ajo duhet të vazhdojë avancimin e proceseve demokratike".
Presidentja Jahjaga u shpreh se "prania e vazhdueshme ushtarake dhe diplomatike amerikane në Kosovë, është me rëndësi për stabilitetin dhe paqen në gjithë rajonin e Evropës Juglindore".

Presidentja Jahjaga theksoi se "Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme të shtetësisë së kur është e domosdoshme të dëshmohet pjekuria politike dhe gatishmëria për të ndërtuar institucionet e vendit me qëllim të përmbushjes së axhendës evropiane dhe thellimit të reformave të brendshme" /ATSH/