TIRANE-Opozita do të zhvillojë nesër protestën para Kryeministrisë. Kauza e opozitës është ngritur mbi një përgjim misterioz të publikuar nga PD ku pretendohet se Albert Veliu, një eksponent i njohur i botës së krimit në Vlorë, bisedon me Agron Xhafajn, vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për sigurimin e një sasie kanabisi për trafikim drejt Italisë.

Një ditë para protestës, ministri i Brendshëm ka sfiduar kryetarin e PD, Lulzim Basha. Xhafaj përmes një postimi në Twitter u shpreh se nëse audio-përgjimi rezulton i vërtetë, ai do të largohet nga posti i ministrit të Brendshëm, por në të kundërt duhet të largohet Basha dhe të dalë para ligjit.

Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot : Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim.

Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë?

E vërteta është vetëm një, dhe vetëm një në këtë rast. Ai që nuk është në anën e të vërtetës, duhet të përgjigjet. Këtë e kërkon interesi i ligjshëm i qytetarëve. #Drejtësiderinëfund

Fatmir Xhafaj

Një ditë pasi prokuroria njoftoi zyrtarisht se si po zhvillohen hetimet për audio përgjimin e transmetuar nga PD, Report TV mëson detaje të reja për vendin se ku është dërguar materiali për ekspertizë. Një burim pranë hetimit të kësaj çështjeje deklaroi se audio përgjimi është dërguar për ekspertizë në Itali. Për opozitën audio-përgjimi është i vërtetë dhe për këtë arsye kërkojnë që Xhafaj të largohet nga posti, pasi sipas tyre ka mbrojtur vëllanë, ndërsa shumica dhe kryeministri Rama e kanë mohuar.