LEZHE - Shprehen të lodhur e zhgënjyer nga intervistat e deklaratat e dhëna në media, për faktin se fjalët e tyre, kërkesat për drejtësi, nuk kanë "pirë ujë". Avokat Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i vrarë më 21 janar 2011, para oborrit të kryeministrisë, në Tiranë, shprehet, "se çështja e të vrarëve nga garda do të shkojë në Strasburg".

"Ekzekutivi e ka mbytur drejtësinë, e ka mbytur këtë çështje. Qeveria nuk i lë gjykatat në punën e tyre", deklaroi Nika në lidhje me 21 janarit, ditën kur u vra nipi i tij në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Z.Nika, nesër mbushen 2 vjet nga tragjedia e 21 janarit, në të cilën u vra dhe nipi juaj...
Po kalojnë dy vite dhe drejtësi nuk gjendet gjëkundi. Gjykatat janë nën presionin e Ekzekutivit. Kryeministri i mban nën presion, nën trysni, që të mos deklarojnë fajtorët e t'i dënojnë ata.

Si e mendoni vazhdimin e procesit gjyqësor?
Mesa kuptoj unë si jurist, kjo çështje do të zvarritet pa fund, vetëm që e vërteta të mos dalë. Do të vazhdojë ashtu siç po ecën tani, ku ekspertët e mbrojtjës deklarojnë se plumbi kishte me vete ashkla druri, pra ka bërë rikoshet. Kjo nuk është aspak e vërtetë, gjë që e tregoi edhe skeprtiza tjetër. Por, dua të them se situata është kjo, dosja nuk zbardhet ndonjëherë.

Çfarë do të bëni ju?
Unë dhe familjarët e tjerë të Aleks Nikës, nëna, bashkëshortja e tij e të tjerët, por mendoj edhe familjarët e viktimave tjera të asaj dite, do ta çojmë këtë çeshtje në Gjykatën Ndërkombëtare për të drejtat e Njeriut në Strasburg.

A ka pasur familja e Aleksit ndonjë ndihmë nga kahet politikë?
Nga mazhoranca që e vrau as nuk bëhet fjalë. Edhe pushteti vendor ne Lezhë është pjesë e kësaj mazhorance dhe nuk ka ofruar askush ndihmë. Partia Socialiste është në opozitë dhe nuk ka mundësi për punësime, pensione etj.

PS e kujton Aleksin vetëm në datat 21 janar?
Jo, socialistët kanë ardhur shumë shumë herë në shtëpinë e Aleksit, kanë vizituar nënën dhe bashkëshorten e tij. Mbështetja e tyre morale është në çdo moment.

Çfarë do t'i kërkoni drejtësisë të hënën, kur do të mbushen plot 2 vjet nga ekzekutimi i nipit tuaj?
Do të donim t'i kërkonim drejtësi, por e di që është e kotë. Për dy vjet rresht, i gjithë procesi është në vendnumëro. Asnjë sinjal nuk ka që autorët vërtetë do të dënohen për krimin që kanë bërë.

Si ndihet familja e Aleksit, 2 vjet pas vrasje?
Si mund të ndihet nëna për djalin e saj të vrarë, si mund të ndihet një bashëshorte që ia vranë burrin dhe rrit dy jetimë?! Lotët e tyre nuk thahen për asnjë moment, siç vajzat e vogla kërkojnë ditë-natë babain e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com, 20 janar 2013
(eç/shqiptarja.com)