Kur fëmija ka gjakun e një familjeje mjellmash? Ky është rasti i Xhoan Shkrelit, djalit me origjinë shkodrane, nipi i Mjeshtrit të Madh Gjon Shllakut, përkthyesit të veprave të lashta greke si Iliada, Apokalipsi etj. Xhoani është vetëm 34 vjeç, i njohur në Shqipëri edhe jashtë saj si violinist. Jeton në Itali, por ka ardhur këtë herë në vendin e tij me grupin Different Trains për të performuar. Në një intervistë për Shqiptarja.com Xhoani duket se kujtimet me gjyshin i ka të rrënjosura thellë.
Ai tregon se në fëmijëri shtëpia e tij ishte kthyer në një shkollë muzike, pasi prindërit këmbëngulnin që fëmijët e tyre të ndiqnin rrugën e artit. Pavarësisht kësaj, vetëm Xhoani i është përkushtuar plotësisht dëshirës së familjes së tij për art, pasi vëllai i është fokusuar biznesit.
”O të mësoja italishten,o violinën”
Kërkesat e familjarëve të tij kanë qenë të shumta, por hera e parë kur Xhoani është ndeshur me njohuritë ekstra, konkretisht me gjuhën italiane ka qenë në moshën 12 vjeçare me gjyshin e tij.
“ Fillova të studioj italisht me gjyshin sepse pretendimet e tij për mua ishin të mëdha. Këshilla që më jepte gjithmonë ishte se për të mësuar një gjuhë të huaj duhet të njohësh shumë mirë gramatikën e gjuhës mëmë, pra atë shqipen. Por unë isha atëherë fëmijë, dhe vetëm 10 leksione mund të përballoja me të dhe aq. Më pas duhet të zgjidhja o të mësoja italishten, o violinën. Dhe ja ku jam”, tregon nostalgjik Xhoani.
Artist në një familje artistësh
I pyetur nëse ndikon rritja në një familje artistësh për t’u bërë një artist më i mirë, Xhoani e pohon këtë.
“Padiskutim që po, të shohësh që në vogëli gjyshin mes librash, kuriozohesh, rritesh me këtë frymë,”u shpreh ai. Në vijimësi të pyetjes nëse Gjon Shllaku tregohej i ashpër duke u bërë shtysë që nipi i tij të punonte më shumë, Xhoani përgjigjet se i ashpër jo, por kërkues. Në kohën dedikuar njohurive, ai kërkonte disiplinë.
Për Xhoanin, liria në art duhet të jetë në bazë të njohurive. “Nuk mund të jesh i lirë, kur nuk je i informuar për atë që po bën, kur nuk di ajkën e muzikës klasike. Nuk mund të jesh. Liria duhet të jetë në bazë të njohurive.
Këtë më ka mësuar gjyshi im”, shprehet Xhoani. Violinisti kthen kokën pas në të shkuarën në momentin kur shqetësimi i prindërve të tij dukej sikur mbaroi pas takimit me mësuesen profesioniste të muzikës klasike,Brunilda Fundo, e cila i injektoi një ambicie interesante.
Ajo kërkonte që çdo instrumentist të bëhej më i mirë se tjetri, por pa e lënduar kështu këtë të fundit. “Ishte një ambicie pozitive. Ajo ishte shumë kërkuese dhe sillte krahasimin e një prej shokëve tanë instrumentist për të punuar më shumë, jo për të ngjallur ndjenja negative. Kështu merreshim të gjithë shembull”, tha Xhoani. Më pas ai ngjit shkallët në skenat botërore.
Përmend këtu, fitimin e çmimit të parë “PREMIO FRANCESCO GEMINIANI në vitin 2004 në Verona ku i jepet për 4 vite një violinë e çmuar e luterisë italiane. Ai tregon se vazhdon bashkëpunimin me organizatorët e këtij konkursi znj. Carla Lenconi dhe z. Lucio Lombardo falë dashamirësisë dhe përkujdesjes së tyre për instrumentistët, njëjtë si të ishin fëmijët e tyre.
“Përveçse njerëz shumë të mirë, ata kanë pasion muzikën. Z.Lucio është noter shumë i mirë në Itali, i cili ndjek me pasion muzikën duke investuar në instrumenta me cilësi të mirë për ne që e duam muzikën klasike ”, tha violinisti.
Marrëdhënia e Xhoanit me të moshuarit
Xhoani, edhe tashmë përpiqet të gjejë tek njerëzit në moshë një pjesëz nga shpirti i gjyshit të tij, përkthyesit Gjon Shllakut. “Ndoshta prej marrëdhënies me gjyshin unë edhe sot shkoj shumë mirë me njerëzit në moshë. Tek ta shoh një farë mirësie, normalisht jo tek të gjithë, por te të moshuarit e kulturuar, që kanë ç’të më tregojnë dhe mund të rri me orë për t’i dëgjuar, ndoshta nga nostalgjia,” shprehet ai.
Gjyshi i violinistit, Gjon Shllaku, ka ndjekur shkollën e lartë të filozofisë dhe teologjisë në Seminarin Papnuer të Jezuitve, zotërues i shkëlqyer i greqishtes së vjetër, latinishtes, frëngjishtes dhe italishtes. Xhoani shprehet edhe se Gjoni ishte i pasionuar pas latinishtes dhe për të forcën e fjalës së latinishtes, që ta rrënjosë në shpirt, në mendje i përafrohet sot gjermanishtja.
10 mijë faqet e shkruara me dorë të fjalorit diakronik
Ai rrëfen me kënaqësi se gjysh Gjoni, ka hartuar një fjalor diakronik nga latinishtja në shqip, i cili ka nevojë për botim. “Gjyshi ka realizuar një punë të palodhur duke hartuar fjalorin latinisht-shqip me rreth 65 000 fjalë. Tani ka nevojë vetëm për botim”, deklaron nipi i Gjonit. Ai tregon sot për Shqiptarja.com se 10 mijë faqe të fjalorit janë shkruar me dorë në letër A4.
Vitet e burgut të Gjon Shllakut
Xhoani nuk harron të tregojë edhe periudhën e errët të jetës së gjyshit e cila fillon më 9 dhjetor 1945, në moshën 22 vjeçare, kur Gjon Shllaku ishte student në degën e Teologjisë dhe u arrestua si anëtar i organizatës "Bashkimi shqiptar" për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit komunist.
Fillimisht ai u dënua me pushkatim, më pas me burgim të përjetshëm me 101 vjet heqje lirie, por si përfundim u lirua pas 11 vitesh. Përgjatë kohës në burg, mendja e artë e Gjonit formoi një libër me thesat e çimentove, ku pasi i priste fshehurazi në formë katrore, shkruante mbi to.
Ky libër ekziston edhe sot në shtëpinë e Xhoanit në Shkodër dhe ai shton se letra e çimentos është rezistuese ndaj kohës. Pavarësisht përkushtimit të Gjonit, torturat ndaj tij ishin të pafundme për nxjerrjen e emrave të bashkautorëve, tregon Xhoani, por edhe pse torturohej gjyshi i tij heshte dhe asnjëherë nuk tregoi emrat e anëtarëve të tjerë.
Megjithatë pas rënies së regjimit Gjon Shllaku gëzon njohjen e duhur të mundit të tij. Edhe sot 14 vjet pas vdekjes, brezi i tij dhe i prindërve tanë, disi më pak të rinjtë e njohin emrin e madh të Gjonit, gjyshit të violinistit Xhoan Shkreli.
Një proverbë e krishterë thotë se “më lini ta edukojë një fëmijë deri 7 vjeç, pastaj merreni e mësojini ç’të doni, por ai do të jetë gjithmonë njeriu që ndërtova unë”.. Mesa duket kjo ka ndodhur me gjysh Gjonin dhe Xhoanin. Gjon Shllaku përcaktoi atë që është Xhoani sot.
Familja përcaktuese për rrugën e jetës
Në një fragment libri të Arthur Golden, Kujtimet e një Geishe, shkruhet se është gjë e rrallë që nga zogj të zakonshëm të lindë një mjellmë e cila mban peshën e përpjekjeve për ta gjetur vetë rrugën në jetë. Po ç’ndodh me mjellmën e vogël kur prindërit e saj nuk janë dy zogj të zakonshëm?
Libri me fletët nga thasët e çimentove
Përgjatë kohës në burg, mendja e artë e Gjonit formoi një libër me thasët e çimentove, ku pasi i priste fshehurazi në formë katrore, shkruante mbi to. Ky libër ekziston edhe sot në shtëpinë e Xhoanit në Shkodër dhe ai shton se letra e çimentos është rezistuese ndaj kohës.
E vërteta për dënimet e Gjon Shllakut.
Fillimisht ai u dënua me pushkatim, më pas me burgim të përjetshëm me 101 vjet heqje lirie, por si përfundim u lirua pas 11 vitesh.