Xhovalin Delia merr çmimin e
parë në Bienalen e Firences

Xhovalin Delia merr çmimin e<br />parë në Bienalen e Firences
FIRENCE- Artisti shqiptar Xhovalin Delia ka fituar çmimin e parë gjatë Edicionit të IX Internacional në Biennale-n e Firences me veprën multimediale “Big Bang 3D”, e cila shprehet në pikturë - instalacion-video art. Delia u vlerësua me çmimin “Lorenzo il Magnifico” mes 450 pjesëmarrësve nga e gjithë bota. Bienalja e Firences është një ndër më të rëndësishmet që zhvillohet në Europë. Sipas vetë autorit, konceptimi i kësaj vepre multimediale është ajo e raportit të harmonisë. Me këtë vepër të cilën artisti e lidh në mënyrë simbolike me Shqipërinë, thotë se “jam munduar t’i rikthejë mëmëdheut, në një mënyrë paksa të tërthortë, atë që kam marrë dikur prej saj, pak nga ajo që i detyrohem artit dhe kulturës së vendit tim dhe rolit që kanë pasur në formimin tim si artist”.

Rregull-Relacion- Harmoni, ky është trekëndëshi simbolik i veprës konceptuale “Big Bang” të Xhovalin Delias. E vendosur në një kontekst bashkëkohor, kjo vepër rrëfen strukturën e natyrës, ku përfshihet në kornizën e saj çdo gjë që na rrethon, çdo krijesë mikroskopike apo makro qoftë. Në Biennale-n e Firences nga viti 1997 kanë marrë pjesë më tepër se 5000 artistë të ardhur nga qindra shtete të ndryshme dhe përbën një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore ku artistë nga mbarë bota mblidhen në Firence, në Fortezza da Basso më saktësisht, duke ndarë mes tyre një eksperience aq unike sa edhe autentike, si burim i mirëfilltë i artit bashkëkohor. 

Artisti Delia shprehte se “kam pësuar humbje nga mospërkrahja dhe indiferenca e shtetit shqiptar”, por po ashtu ka ndjerë edhe pasojat e një administrimi sharlatan e prepotent të cilit fatkeqësisht i nënshtrohet arti. Por, ai nuk mohon që Shqipëria e vogël i ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj të çmuar në artin ndërkombëtar dhe sigurisht edhe në veprën multimediale të vetën, e cila përfaqësoi denjësisht mbarë Shqipërinë në këtë eveniment ndërkombëtar të një rëndësie të pamohueshme.

“Por si pjesë e gjallë dhe integruese e Natyrës, ne nuk jemi në gjendje që me anë të shqisave të arrijmë të perceptojmë çfarë qëndron pas fenomenit të dukshëm, çfarë fshihet nën vellon e Mayas schopenhaueriane apo noumeno-ja e famshme e kantiane. Është tejet i qartë edhe karakteri shkencor dhe hulumtues që kjo vepër përmban në vetvete”, shprehet artisti. Ai thotë se vazhdon të kërkoj e eksperimentoj me artin si një fëmijë guximtar(gati i marrë). “E gjithë kjo për një qëllim: pёr të perceptuar të padukshmen gjithnjë të pranishme në jetën tonë të përditshme”, shprehet artisti Xhovalin Delia.

Gjuha artistike e veprës “Big Bang” Gjuha e veprës është njëkohësisht e mistershme por nga ana tjetër, edhe e prekshme, e arritshme, duke qenë se bazohet mbi tre mjete, të cilët janë gjithashtu edhe elemente përbërës dhe identifikues të veprës multimediale “Big Bang 3D”, Pikturë- Instalacion- Videoart.
Teksa flet për veprën e tij, artisti e krahason veten, gjithmonë në një dimension atemporal, me një fëmijë.

Po, pikërisht me një fëmijë, që, siç ndodh në jetën reale, imiton të “Atin”, këtë herë rimishërim i asaj natyre që përmbledh tre elementët bazë Rregull-Relacione-Harmoni, të kthyera me anë të penelit, fantazisë dhe njohurisë së artistit në tre dimensionet reale të veprës, që s’janë veçse shtyllat e një strukture të ngjashme e të përafërt me atë natyrale, pra atësore. Nëse universi në vetvete është i pafund, i pazbërthyeshëm, i pashpjegueshëm për njeriun, universi i vogël artistik i Delias, përkundrazi, është i perceptueshëm edhe nga njeriu, megjithëse deshifrimi dhe interpretimi i tij nuk janë të lehta.

 Në kompozimin e veprës vihet re mungesa e perspektives, e zëvendësuar nga prania e dimensionit të tretë (3D), ku qëndron i gjithë inovacioni dhe risija e kësaj vepre multimediale konceptuale, bashkë me origjinalitetin e formës artistike në të cilën është shprehur. Zanafilla e kësaj vepre që mbledh brenda saj shprehje dhe forma të ndryshme artistike është pikërisht misteri i së padukshmes, i së paperceptueshmes, me të cilin ndeshemi vazhdimisht pa arritur gjithsesi t’i zbërthejmë strukturën e aq më pak bërthamën kuptimore. Arti, që nuk është tjetër veçse një bashkësi forcash e energjish fizike, mendore e shpirtërore të padukshme, me prejardhje nga kjo botë misterioze, transformohet në hulumtues të këtij filli universal të padukshëm e misterioz, ndaj së cilit njohuritë treten pa arritur kurrsesi në bërthamë. Ashtu si në ligjet proporcionale të shkencës, sa më shumë rreze-relacione shtrihen e ndërthuren gjatë jetës, aq më i gjerë dhe i larmishëm do të jetë rrethi i Harmonisë, që në të vërtetë s’është tjetër veçse kuptimi i vetë jetës.

Kush është Xhovalin Delia
Xhovalin Delia u diplomua si piktor në Akademinë e Arteve në Shqipëri, në vitin 1985 dhe punoi si piktor-regjisor i filmit të animuar. Ai realizoi filma të tillë, mori pjesë në ekspozita pikture dhe hodhi shkrimet e para. Largohet drejt Italisë dhe vendoset në Milano. Nuk rresht së punuari dhe krijuari. Kërkon të provojë të gjitha aftësitë e veta, duke lënë shenja në artet pamore dhe në letërsi. I kultivuar me gjuhën e filmit, i dhënë pas arsyes legjitime për ta përpunuar fjalën në mendime, ka ndodhur që ndërmjet dy shteteve ku ai jeton dhe ekspozon, të krijojë në multimedia, performancë, video-art dhe të shkruajë dy libra. Libri i parë “Venere” dhe libri i dytë “God Bless America”. “Nëse ju pëlqen të bisedoni me mua, ejani në Firence dhe ne do të kemi një kafe së bashku, kapuçino, akullore ose dhe një gotë verë të mirë këtu në ‘Piazza Santa Croce”, – fton vizitorët e faqes së tij, artisti shqiptar Xhovalin Delia.

Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë