Shqipëria mirëpret elitën e padelit botëror “FIP Platinum Albania 2026” në datat 24-31 maj në Tiranë. Lojtarët më të mirë ndërkombëtarë do të dhurojnë një spektakël unik në sheshin “Skënderbej”.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, tha se 4 fushat do të jenë një aset që do t’i mbeten Federatës së Padelit. Ai nënvizoi edhe një sërë përfitimesh që ky event do të ketë në Shqipëri.

“E shohim jo vetëm si disiplinë, por si instrument për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në një aktivitet të ri fizik që promovon jetesën e shëndetshme. Një nga elementët më të rëndësishëm është ndikimi afatgjatë i këtij eventi në vëmendjen tonë. Do të ketë 4 fusha të ndërtuara për zhvillimin e këtij turneu që janë një aset që do të qëndrojë në funksion që do t’i mbeten Federatës si bazë e domosdoshme për çuarjen përpara dhe duke mundësuar organizimin e aktiviteteve të tjera. Përfitimet janë të shumëanshme, e promovon Shqipërinë, transmetimi i ndeshjeve në platformat ndërkombëtare shërben si dritare më e madhe, si dhe ndikimi ekonomik, evente të tilla gjenerojnë një fluks të konsiderueshëm vizitorësh. Kjo përkthehet në të ardhura shtesë për ekonominë lokale, në nxitje të turizmit sportiv. Një dimension tjetër i rëndësishëm është ai edukativ, përfshirja e të rinjve i lidh me miqësi të reja, qendra, ambiente, nisma, aktivitete të reja sportive”, tha ministri Gonxhja.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Padelit, Luigi Carraro, tha se surpriza më e madhe e këtij viti është zhvillimi i tij në sheshin e kryeqytetit të Shqipërisë.

“Surpriza e madhe që bëjmë është vendi ku do të zhvillohet turneu unë sot shkela për herë të parë sheshin ‘Skënderbej’ dhe më ndali zemra nga emocioni. Nuk ka vend më të mirë, sheshi është i mrekullueshëm. Është elegant, me shije dhe që do t’u mundësojë atletëve më të mirë të luajnë në një ambient unik”, u shpreh Carraro duke nënvizuar se qëllimi është të qëndrojnë përgjithmonë.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:35
Sponsorizimet, Gonxhja: Bizneset do të mbështesin drejtpërdrejt sportin, investim më i shpejtë

Aktivitetet sportive dhe sportistët do të mund të mbështeten nga bizneset private, bëri me dije ministri Blendi Gonxhja. Ky financim do t’u zbritet bizneseve direkt nga detyrimi financiar i vitit pasardhës, ndërsa do të përfitojnë edhe nga promovimi. Për vetë aktivitetin apo sportistët, do të rezultojë në financim më të shpejtë.

“Për pak ditë do të kemi një aprovim nga Komisioni Europian për një pjesë të ligjit të sponsorizmit për financimin privat të sportit nga biznesi privat. Do të kemi ligjin e sponsorizimit në parlament. Do të ketë një reflektim në paketën fiskale të vjeshtës. Do të kemi një gjenerim dhe financim nga ana e biznesit privat. Kalimi i drejtpërdrejtë i fondit nga subjektet te sportistët është prokurim i drejtpërdrejtë, zbritet direkt nga detyrimi tatimor i vitit pasardhës, promovohen, bën të mundur që shteti në fund t’i ketë para që janë investuar më shpejt në sport që kthehen në mundësi për të gjeneruar më shumë konsum, formalizon ekonominë, ndihmon sportistët, promovon Shqipërinë dhe rrit kapacitetet”, tha Gonxhja.