Edi Rama ka ndërmarrë vizitën e tij të tretë zyrtare në shtetin e Izraelit, ku ka mbajtur dhe fjalimin ceremonial në Knesset(Parlamentin e vendit).

Gjatë mandatit të tij 13 vjeçar, Rama e ka vizituar Jeruzalemin 3 herë dhe ka takuar tre kryeministri të shtetit hebre.

Në dhjetorin 2015, Rama ka bërë vizitën e tij të parë zyrtare në Izrael, ku është pritur nga Benjamin Netanyahu, i cili sot është në mandatin e tij të katërt. Një vizitë, ku nisi një relacion i rëndësishëm dhe i afërt mes vendeve, ku dhe u hodhën hapat e para të një asistence të teknologjisë së zhvilluar izraelite për Shqipërinë.

Asistencë, e cila nuk pati një nisje të shpejtë, por që mori fuqinë e saj pikërisht në një moment të vështirë për Shqipërinë. Pikërisht kur Irani sulmoi në mënyrë agresive infrastrukturën digjitale të Shqipërisë dhe arriti të marrë mjaft të dhëna sensitive të qytetarëve shqiptarë, të cilat i publikoi online.

Bëhet fjalë në vitin 2022, e në këtë kohë Edi Rama udhëtoi në një vizitë zyrtare në Izrael, pikërisht për të kërkur ndihmë që të mbrohej vendi nga sulmi Iranian. E në këtë lëndë izraelitët e kanë treguar se janë më të përgatitur.

Në vizitën e tetorit 2022, Edi Rama takoi kryeministrin e atëhershëm Yair Lapid, sot lider i opozitës në vend. Kryeministri Lapid, në mënyrë të menjëhershme ka vendosur që të aktivizohet ndihma ndaj Shqipërisë.

“Irani përfaqëson një kërcënim të përbashkët për Izraelin dhe Shqipërinë, ndaj ne do të asistojmë në të gjitha mënyrët dhe rrugët Shqipërinë, pasi e shikojmë këtë si pjesë e interesit tonë kombëtar dhe përgjegjësisë historike”, tha Lapid në takimin e 23 tetorit 2023, të mbajtur në selinë e Kryeministrisë izraelite në Jeruzalem.

Edhe vizita e dytë e Edi Ramës në Izrael ishte tre ditore, si e para dhe ajo e treta sot. Në vizitën e 2022, kryeministri shqiptar përveç homologut Lapid, ka takuar Presidentin Isaac Herzog, kreun e Knesset, liderin e atëhershëm të opozitës Beniamin Netanyahu, si dhe shefin e famshëm të Drejtorisë së Mbrojtjes Kibernetike, Gaby Portnoy. E cila mori më pas në dorë mbrojtjen e infrastrukturës dixhitale të Shqipërisë.

Në fakt, përveç shtratit tradicional të marrëdhënieve Shqipëri-Izrael, ato u bënë më të afërta, pikërisht pasi Tirana u kthye në një cak të regjimit të ajatullahëve në Iran. Pikërisht pas pranimit të opozitës iraniane që të strehohet në Shqipëri.

Benjamin Netanjahu, bëri gati një vizitë në vitin 2018 në Shqipëri, e cila u anulua pasi shërbimet sekrete izraelite i bënë të ditur se kishte një rrezik të një atentati nga iranianët. Të cilët kishin financuar dhe organizuar një sulm ndaj skuadrës izraelite të futbollit, në Shkodër, në vitin 2015, por që u parandalua.

Ndërkaq, Edi Rama ka takuar edhe kryeministrin Naftali Bennett, gjatë margjinave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Rama, është natyrisht politikani që ka promovuar dhe ka realizuar një marrëdhënie më intensive me Izraelin por këto relacione nuk nisën me të.

Izraeli nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me Shqipërinë e Ever Hoxhës, pasi ky i fundit kishte një politikë të qartë kundër shtetit hebre. Por pas vdekjes së Hoxhës, gjërat ndryshuan. Ramiz Alia vendosi kontakte me Tel Aviv-in(atëherë kryqytet i njohur nga bota) që në fund të vitit 1989.

Me një marrëveshje diskrete pa bujë, Tirana pranoi që një pjesë qytetarësh shqiptaret me origjinë hebreje, të shkonin për të jetuar në Izrael, sipas dëshirës së tyre dhe asaj të shtetit hebre për t’i pritur.

Zbutja e relacioneve erdhi ndërkohë që Shqipëria njohu në vitin 1988 shtetin e Palestinës, siç bënë të gjithë vendet e Konferencës Islamike. Madje në vitin 1990, në Tiranë u vendos Ambasada e Palestinës, e cila është funksionale edhe sot e kësaj dite.

Fatos Nano, menjëherë sapo zgjidhet në krye të Partisë Socialiste, vizitën e parë të rëndësishme zyrtare në një parti socialdemokrate të botës Perëndimore e kryen në Jeruzalem, i ftuar nga kreu i atëhershëm i Partisë Laburiste të Izraelit, Shimon Peres.

Më pas relacionet Tiranë-Tel Aviv kanë shkuar normalisht por pa një afrim të dukshëm. Në mandatin e parë të PD 1992-1997, Sali Berisha pati më shumë një afrim me vendet arabe, kurse në riardhjen në pushtet në 2005 pati një riaktivizim të tyre.

Madje rreth vitit 2007, një grup i rëndësishëm i PR dhe ekonomik izraelit u afrua për investime serioze në Shqipëri, por që më pas nuk u mësua arsyeja e largimit.

Edi Rama, me ardhjen e tij në krye të qeverisë pati një afrim më të madh të këtyre relacioneve, ndërkohë që gjithashtu ka pasur e ka marrëdhënie të mira si me Turqinë, ashtu edhe me vendet e rëndësishme të Gjirit Persik, siç janë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Katari.

Që në fillim të këtyre relacioneve, qarqe të ndryshme mediatike e politike në vend, të cilat nuk janë të nivelit të parë, por politikanë më pak rilevantë e kanë kritikuar kryeministrin hqiptar për këtë afrim.

Siç e treguan vitet, kjo masë dhe konteksti sulmesh, që rritej herë pas here, sipas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ushqeheshin, mbështeteshin dhe financoheshin nga Irani. Diplomatët e të cilit kishin një influencë të dukshme në disa media, pore dhe panelistë të njohur “ekspertë të gjeopolitikës” që dalin përnatë në tv.

Megjithatë, në vitin 2024, përkatësisht në tetor, kur u përurua Xhamia e Madhe e Namazgjasë, Edi Rama dhe miku i tij i ngushtë, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, u përplasen shumë fort publikisht, përpara një numri të madh njerëzish që po i dëgjonin, si dhe në transmetim live, që kishte një audiencë shumë të madhe, o vetëm në Shqipëri.

Përplasja ndodhi pikërisht për Izraelin, ku duke marrë përsipër situatën në Gaza, Erdogan akuzoi ashpër Izraelin dhe kryeministrin Netanyahu. Ndërkaq, Edi Rama akuzoi Hamasin për masakrën macabre të 7 tetorit 2023. 

Ajo deklaratë pati një efekt të fortë, pasi pikërisht në atë kohë, Ankaraja po mbante marrëdhënie të mira me Hamas, liderët e të cilëve strehoheshin në kryeqytetin turk.

Pikërisht pas këtij incidenti, në Tiranë ndodhi një sulm edhe më i madh në lidhje me marrëdhëniet Tiranë-Izrael. Pasi, Erdogan dhe Turqia ka një influencë më të madhe mediatike në Shqipëri, ku jo vetëm ka simpatizantë, pore dhe financon organizata mediatike të ndryshme që botojnë gazeta, revista apo portale.

Prej asaj dite edhe sot, këto qarqe e sulmojnë egërsisht Edi Ramën dhe qeverinë për relacionet e tij me Jeruzalemin.

Por, duket se këto sulme, më shumë se për të mbajtur një qëndrim në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-izraelite, duan të krijojnë një frymë politikë në vend kundra Izraelit. Këto qarqe kanë arritur edhe kufij që nuk kanë qenë të njohur më parë, siç ka qenë ajo e sulmit ndaj një kleriku hebre në Tiranë, çka nuk njihet në traditën por edhe në zhvillimet shqiptare. Ndërkaq, një viktimë e marrëdhënieve me Izraelin, ka qenë edhe Baba Mondi, i cili nga qarqet erdoganiste është sulmuar thjeshte përse ka pritur në kryegjyshatë klerikë hebrenj, apo diplomatë e politikanë nga Izraeli.

Por në realitet këto sulme nuk kanë krijuar një frymë të përgjitshme, ato kanë mbetur në margjina, e sado janë në ekranet kryesore të vendit, ata identifikohen lehtësisht për qëllimet dhe arsyet.

Ndërkaq, relacionet Shqipëri-Izrael kanë qenë të mira edhe në aspektin njerëzor. Turistët izraelitë që vijnë në Shqipëri prej vitesh, jo vetëm që nuk kanë pasur asnjë problem, por janë mirëpritur kudo. Ndërkaq në disa shtete të Europës si në Spanjë, Itali e gjetkë, turistët hebrenj janë sulmuar apo larguar nga bare apo ristorante, prej militantëve siç quhen tashmë Propal. Pasi Propal është kthyer në një ideologji politike në SHBA, Kanada, Australi apo Europë, e cila është përqafuar nga e majta ideologjike kryesisht.

Ndërkaq në Shqipëri, kjo ideologji mbetet ende në qarqet margjinale dhe nuk ka infektuar krijimin e një rryme apo strukture politike, edhe pse fle në qarqe të caktuara të lidhur me politikën.

Megjithatë, Shqipëria nuk ka pasur asnjë humbje, përkundrazi ka pasur favore në marrëdhëniet e saj të afruara me Izraelit. Siç ndodhi jo vetëm në sulmin ndaj Iranit, kur ndihma erdhi menjëherë, pore dhe në rastet e tjera.

Ndërkaq, problemi i “kompleksit të Gazës” nuk ekziston për Tiranën zyrtare, siç po ndodh në Europën Perëndimore, pasi problemin e zgjidhi Ramiz Alia në vitin 1988. Kur njohu shtetin e Palestinës dhe lidhi marrëdhëniet diplomatike. Por Izraeli nuk e ka parë asnjëherë problem, qoftë në kohën e Alisë kur nisi shkrirjen e akujve, e sidomos tani, kur marrëdhëniet janë një nivel shumë të lartë. E mund të thuhet strategjik, parë edhe afërsinë e aleancës së Izraelit me SHBA dhe atë të Shqipërisë./ TemA