Skenat e Agron Shehajt me Edi Ramën në Kuvend, e përplasja me Ardit Bidon ndërsa po hynte në sallën e Parlamentit, janë fenomeni i ri i javës së tretë të protestës.
E cila nuk është më live në Reuters e CNN, ku Tirana shikohej si “Meka”e re Anti-Trump, apo lajmi i demonstrimit të qytetarisë dhe civilizimit të pjesëmarrësve që shkojnë me familjet e tyre në shesh. Pasi në skenë kanë dalë aktivistët “skifterë”, që po zbatojnë një protokoll të miratuar më parë, për tu kthyer në revoltë që fitoren nuk e shikon në krijimin e një plarforme dhe lidershipi që i sjell shoqërisë një “gjë të re”, por të rrëzojë establishmentin dhe status-quo-në.
Duke imponuar nëpërmjet demonstrimit dhe varianteve të tyre një lodhje, tërheqje, deri në dorëzim të shënjestrës së tyre, që është Edi Rama dhe mazhoranca.
Regjia qëndrore, sipas të gjitha gjasave ka vepruar në një precizion kirurgjikal nga presioni i sheshit me efektet e saj, tronditja e mazhorancës nëpërmjet largimeve të ekspoentëve të saj, siç ndodhi me deputeten e Shkodrës, por mbi të gjitha me hetimet e SPAK.
Synimi është i qartë e që shqiptohet nga panelet televizive apo podkastet që tashmë po bëjnë namin, që duhet një zgjidhje politike përballë këtij impasi.
Po cilat mund të jenë opsionet e kësaj zgjidhje politike? Natyrisht që ka më shumë se një, por presioni po synon jo një zgjidhje, por dorëzim i mazhorancës, e më pas zbatimin e pikave të tjera, ku natyrisht janë edhe anulimi i projekteve të mëdha turistike. Të cilët siç po trajtohet në publik, janë krijesa kriminale. Mjegull që natyrisht ka marrë pjesën e vet edhe nga mënyra sesi diskutohen dosjet e SPAK, të cilat me hetimet e tyre bëjnë pikërisht të kundërtën, ngaqë i fusin në shtratin ligjor nismat, nëse realisht kërkohet më shumë se zhurma, hetimi i të gjitha dyshimeve.
Ndërkaq, fenomeni i fjalorit e diskursit toksit nuk është gjë tjetër veçse një template i gatshëm i përdorur rëndom në vitet e fundit nga politika radikale për të polarizuar situatën. Madje ka shumë gjasa që në ditët e ardhshme, deri sa të arrihet ajo që quhet politika e vlimit, të kemi një rritje të fjalorit toksik. i cili në një vend të NATO-s, e ka mjaft të vështirë të vijmë në një pikë që të shkojë në destabilizim.
Këtu më pas është sfida e institucioneve për ta përballuar këtë mundësi, që nga parandalimi e deri në bërjen e pamundur të precepitimit. Çuditërisht, në panele po trajtohet si ide dhe pezullimi i Samitit të NATO-së vitit të ardhshëm në Tiranë, kur asnjë nga Aleanca apo aleatët nuk e kanë hedhur si tezë.
Pikërisht, duket se janë axhendat e mbivendosura që nuk e ushqejnë kthimin e kësaj lëvizje në një fuqi politike. Kjo sepse faktorët me axhenda brenda protestës, e që janë mirë të strukturuar kanë pikërisht qëllimin që lumi të mos futet në shtratin e vet, atë politikë, por të krijojë përrenjtë e saj, që ta ushqejnë sipas stinës./ TemA
Komente










