Shembujt janë afër. Hungari: Në mandatin e katërt të liderit konservator e autoritar Viktor Orban, opozitat e dërrmuara nga disfatat e njëpasnjëshme vendosin të shkrihen të gjitha, e të gjejnë një emër që vinte nga radhët e FIDEZ-it të Orbanit.
Serioz, madje shumë sa fytyra nuk i qeshte kurrë, e njihte anatominë e pushtetit si xhepat e tij, duke kuptuar dobësitë e prioritet, ambicioz në kupë të qiellit, e shumë e përshkruajnë të pamëshirshëm.
Një Atilë-demokrat e konsideronin metaforikisht mjaft analistë që po shikonin lindjen e një ylli në politikë. i cili për 4 vjet arriti t’i marrë ish-shefit të tij 2/3-at e votave popullore, e tani po çmonton të gjithë superstrukturën e lidhjeve të klanit të ish-kryeministrit. Epoka Peter Magyar, një proeuropianist i bindur dhe anti-Putin ka nisur në një entuziazëm të fortë për shumicën e liderëve europianë.
Turqi: Rexhep Taip Erdogan është në pushtet që nga 2003. Njëherë kryeministër e më pas President, duke eleminuar të gjithë rivalët apo edhe pasardhësit e mundshëm brenda partisë së tij. Në rrethin e vet ka vetëm të rinj të devotshëm, që për tu ngjitur e stërvitur kërkojnë kohë, por i duhet të japin bindjen se janë luajalë.
Opozita demokratike properëndimore turke që vjen nga partia që ka themeluar Mustafa Qemali, ka vetëm kuadro të vjetër, mjaft liberalë e te ndryshkur në një Turqi që ka ndryshuar totalisht dhe e pafuqishme të përballet me njeriun e fortë që e nisi rrugëtimin politik si kryetar i bashkisë së Stambollit.
Kështu u zgjodh një sipërmarrës i ri, i cili arriti që të fitojë në metropolin e madh, duke pasur përballë kryeministrin e Erdoganit. Të cilit më pas ky i fundit e degdisi.
Katër vjet më pas, kryebashkiaku popullor i Stambollit, Ekrem Imamoglu, arriti kuota të larta edhe në shkallë vendi, duke e ndarë Turqinë në dysh, me shanse të mira për të fituar. Erdogan del nga shinat dhe burgos shefin e opozitës, duke i dhënë të gjitha mundësitë të bëhet martir.
Këtu tek ne, kundërshtarët e Edi Ramës, qoftë si qarqe politike konvencionale, qoftë edhe të tjera që veprojnë në prapaskenë, kanë tentuar që ta rrëzojnë që sapo hyri në kryeministri, duke bërë të 99-tat për këtë por ende nuk kanë gjetur një Anti-Ramë politik, që të paktën t’i afrohej jo thjesht si profil, por si popullaritet së paku, në radhët e atyre që ky komunitet e quan “populli opozitar”.
Gjithë këto vite, edhe sikur ta kishin çuar në Universitet, mastër e doktoraturë, ishte formuar ndonjë personazh i duhur që ta hidhnin në terren.
Anti-Rama-t par exellanxë në fushë janë Sali Berisha e Ilir Meta si lojtarë të mëdhenj, krerët e partive të Vogla: Agron Shehaj, Arlind Qori e Adriatik Lapaj, si dhe disa ish-socialistë e socialistë s’e kanë dashur prej kohësh, apo kur kanë lënë postet e larta.
Gjithë kjo protestë gati dymujore, ishte agora-ja më e përshtatshme për të nxjerrë jo një lider, por ndoshta disa të tillë, që të zgjidhnin mes tyre kush është më popullori në publik.
Sfilata e fjalimeve nisi me djem e vajza të reja që tregonin patetizëm në largimin e qeverisë së Edi Ramës, por jo me shpalosjen e ideve se si ata e donin Shqipërinë e Re. Por më pas nxorën ata që zgjidhjen e shikonin te plumbi e vdekja. Të cilët i ngjallën krupën publikut se po vijnë sërish “Vitet e plumbit”. Duket ata që janë realisht shefat e protestës që ende nuk është kthyer në lëvizje, e panë rënien drastike të pikëve dhe e lanë duket ta zgjidhnin vetë. Por në shkallë filluan të ngjitet secili që ka diçka për të thënë, duke e kthyer protestën në një parodi.
Pyetja që vjen spontanisht është po përse nuk arrijnë të gjejnë një personazh të denjë për të konkurruar e sjellë ndryshimin? Nuk ka?
Padyshim që ka edhe madje shumë, por fakt është se askush nuk përpiqet ta gjejë, e aq më pak të ketë dikush që të vetëpropozohet i tillë. Kjo nuk bëhet sa hap e mbyll syte, duhet një process, madje i plotë. Protesta e nisur për Zvërnecin ishte mundësia për ta përjshpejtuar këtë process, duke e përdorur edhe si terren stërvitjeje, si një audicion i vërtetë talentesh, që shefat që janë në prapaskenë të zgjidhnin më të mirin, më të pëlqyeshmin që edhe tërhiqet nga njerëzit.
Nuk e kanë bërë, madje sipas gjasave as nuk e kanë në mend. Zgjedhjet vendore janë shumë afër, e ka gjasa që kur të vijë data, të mos kenë gjetur as njerëzit e mundshëm për t’i kandiduar për kryebashkiakë, duke krijuar kështu edhe “llozhën” e re të politikanëve që mund të bëjnë kapërcimin e madh në zgjedhjet politike. Po pyetja mbetet sërish e nuk është retorike, përse nuk përpiqen t’i përzgjedhin? Një përgjigje mund ta japë edhe pasqyra e “zgjedhjeve” të kupolës së “re” të opozitës më të madhe: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”!/ TemA
Komente












Pyetja eshte, kush eshte Anti - Rame??! " Errr, hmm..err.. I'm sorry, eshte i asgjesuar ne vend!!!" Pra, idea e " kultit te individit" nga i cili politikanet dhe drejtuesit e partive, vuajne nuk lejon qe kundershtari, jo te fitoje dhe te udheheqe, por nuk duhet te ekzistoje me ne kete bote"!!! Post Scriptum: Ne boten tjeter, ose ne jeten e pertejme, jane " Ligjet e Perendise", te dukshme dhe te padukshme, thote Rama dhe kori i poltikes..
Përgjigju