Ylli Pata: A do t’i hajë Berisha 35 deputetët një nga një?!

Ylli Pata: A do t’i hajë Berisha 35 deputetët një nga një?!

Sali Berisha në Kuvendin e 30 prillit

Bojkoti ‘en block’ i 35 deputetëve të PD-së ndaj “Kuvendit të Sali Berishës” ishte realisht i papritur për të dhe një shock në procesin që ai ka nisur për të rimarrë partinë që e ka drejtuar për 30 vjet.

Luhatja e grupit parlamentar pas zgjedhjeve të 6 marsit, i dha zemër Sali Berishës për të bërë fakt të kryer zaptimin e selisë blu dhe për të vendosur njerëzit e zyrat që dëshironin.

Megjithëse procesi ngeci realisht në degët e PD-së, ku Foltorja hasi rezistencë të fortë dhe tërhoqi në zgjedhje vetëm një pjesë të vogël të strukturave e militancës, ajo nuk shihej sa duhet në qendër. Maksimumi lajmet nga degët janë publikuar në mediat lokale, ku p.sh. ato të Shkodrës i kanë dhënë më shumë hapësirë ngjarjeve që kanë ndodhur, e që nuk ishin gjë tjetër veçse një çarje e qartë e strukturave të PD-së.

Fitorja e Sali Berishës, përveç aktit formal që do ta vulosë Gjykata e Apelit për të drejtën e përdorimit të simboleve, nuk ka asnjë peshë pa grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

E kjo jo vetëm për aspektin formal, se të paktën deri në shtator Sali Berisha dhe 4 mbështetës të tij nuk janë pjesë e grupit të PD-së në Kuvend, por edhe për peshën politike që ka realisht grupi parlamentar.

Ndaj Berisha kreu një kapërcim pindarik që rrëzoi dhunshëm kauzën e tij të “Kuvendit” të 11 dhjetorit për “rikthimin e demokracisë në Partinë Demokratike”.

Në “Kuvendin e 11 dhjetorit” u ndryshua statuti i PD-së, i cili është edhe dokumenti që u njoh nga vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri, që është kontestuar nga PD zyrtare e Enkelejd Alibeajt.

Në statutin e 11 dhjetorit theksohet se në Këshillin Kombëtar të partisë zgjiidhen vetëm ata që kanë marrë vota nga Kuvendi Kombëtar dhe u hoqën anëtarët ex officio.

Por më 30 prill u rrëzua Kuvendi i 11 dhjetorit dhe u shtua pika që deputetët mund të jenë pjesë e Këshillit pa pasur nevojë të zgjidhen, pra ex officio. Një dëshmi se rregullat nuk janë mure apo themele, por thjesht kartonxhez që shërbejnë për të lëvizur hapësira sipas kryetarit.

Megjithatë, doktori e ndryshoi brenda pak minutave rregullin për qëllimin të cilin e shpallin një ditë më pas. Atë deklaratën që të kujton batutën e famshme të filmit “Mësonjëtorja”: “Këtu do të vijnë edhe Stefan Bardhi, edhe mësonjësja e shkollës së vashave, këtu do të vijnë”.

Këtë tha edhe Berisha: do të vijnë ata, ndoshta jo të gjithë përnjëherë, por një nga një.

Pasi koncepti është i qartë; tharja e tokës poshtë këmbës që t’i bëjë parlamentarët të kthehen thjesht në individë në numër, që siç disa prej deputetëve të “opozitës parlamentare” që hynë në Foltore dhe doktori nuk i sajdisi në organin drejtues të partisë së tij.

Sot ai grup deputetësh i Partisë Demokratike, është realisht faktori politik më relevant i opozitës shqiptare.

Që njihet kombëtarisht, por edhe ka forcë potenciale në Parlament, e si rrjedhim ka mundësi më shumë të ndikojë në publik dhe institucione. Madje që nga negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Forca reale e këtij grupi u tregua pas 6 marsit, ku edhe pse jo kompakt dhe me një organizim kaotik mes vetes, u treguan vendimtarë në largimin e Lulzim Bashës.

Ish-kryetari tentoi të krijojë një qark paralel me kolegjin e kryetarëve, kryesinë apo organet e tjera të partisë, për të balancuar procesin, por në fund vendosi fuqia e grupit parlamentar. E ishte pikërisht në këtë grup, që detyroi Lulzim Bashën të deklarojë se ai do të bëjë një hap pas. Ndërkohë që kur ndodhi “hapit pas” i Bashës, deputetët e PD-së kërkuan të njëjtën gjë nga Berisha, kjo nuk ndodhi.

Nuk ndodhi jo thjesht si reagim, por pati një aksion të gjerë që tentoi të konsiderojë nul, një organ jo aq të vlefshëm të grupit parlamentar nga ana e Berishës dhe njerëzve të tij. Madje vetë Sali Berisha hyri në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar për të bërë fakt të kryer “invazionin e tij të pa provokuar dhe të pa justifikuar” të selisë së Partisë Demokratike.

“Zelenski” i PD-së në këtë rast-Enkelejd Alibeaj, nuk përdori raketat Javelin, por një mjet që tregoi se është më i efektshëm se armët konvencionale-Gjuhën Shqipe.

Edhe pse Sali Berisha hyn sa herë zhvillohet mbledhja e grupit të PD-së, aq herë qënia e tij zerohet nga deklaratat e qeta të kryetarit të komanduar të PD-së që është njëkohësisht dhe kryetar i grupit parlamentar.

E kjo fuqi reale e grupit e ka bërë më të fortë impotencën politike të Berishës dhe grupit të tij, sa që agresivitetin e kanë treguar edhe në sallën e Parlamentit. Ku ikonike është shtyrja që Berisha i bëri Alibeajt në podiumin e Kuvendin e Shqipërisë. Akt, i cili i uli shumë pikë doktorit, edhe pse u mundua në mënyra të ndryshme ta kompensojë.

Dashje pa dashje, grupi i PD-së është aktualisht Partia Demokratike, sado zhurmës që bëhet përreth. Pjesa tjetër është garniture. Sali Berisha nuk bashkohet dot me të, pasi deputetët kanë deklaruar se kërkojnë “hap pas nga Berisha”, e parlamentarët, të paktën deri tani nuk janë përçarë për të shkuar një nga një sipas dëshirës. Edhe pse tentativa ka pasur, edhe negociata po ashtu.

Për shembull me deputetët e Shkodrës, Sali berisha tentoi më 2 prill që të ndante ato prej degës së PD-së që drejtohet nga Xhevdet Amuli e kandidati për bashkinë Xhemal Bushati, por nuk arriti. Madje pati edhe deklarata nga mediat pranë Berishës duke përmendur emra që kishin kaluar në anën e foltores, si për shembull Zef Hilën, një faktor i rëndësishëm në PD e Shkodrës, por ky i fundit, ishte pjesë e tridhjetëepesëshes që refuzoi Kuvendin e 30 prillit.

Politikisht, grupi i deputetëve është faktor relevant, që takohet nga të gjithë institucionet e zyrtarët ndërkombëtar që vizitojnë Tiranën. Rasti më i fundit ishte ai i vizitës së delegacionit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Nga ana pragmatike, askush prej grupit-35 nuk e ka të sigurtë karrierën e vijueshme, pra rikandidimin në një parti me kryetar Berishën. Pasi përveç revanshit normal për të dënuar “besëprerët” edhe garancia për të marrë mandatet e 21 prillit 2021 ësht e pasigurtë. Sidomos kur në opozitë shpejt vjen Ilir Meta me një grup “patriotësh” të etshëm për të marrë poste.

Por a ka qenë një vështrim analitik, shkaku që ka bindur deputetët për të bojkotuar Sali Berishën, apo amerikanët kanë qenë më konkretë në shpjegimet e tyre mbi ndëshkimin Non Grata për doktorin? Kjo natyrisht deri tani është një hipotezë, që pritet ta zbardhin vetë deputetët.

Por ajo që pritet realisht nga publiku, ështe që sa më shpejt ky grup të jetë aktiv në idenë e tyre publike se si duan ta bëjnë opozitën dhe vendin, pra të shpallin programin politik sa më parë për të nisur një fazë të re të politikës shqiptare. Jashtë telenovelës së sforcuar me statut e grup-seksione…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit