Analiza e Dibrës: PD, më dobët se 2013, PS-ja, më shumë se 2 zgjedhjet e shkuara

Analiza e Dibrës: PD, më dobët se 2013, PS-ja, më shumë se 2 zgjedhjet e shkuara

Kuti votimi

Një nga rezultatet më interesante të leximit të votës së 25 prillit është ai i qarkut Dibër. Në analizat e diskutimet e postvotës, është tentuar të ndahet vendi në dy pjesë të kundërta; veriu blu e jugu lejla, po në fakt situata është më komplekse dhe me nuanca të ndryshme e përfshirëse ngjyrash politike.

Dibra është qarku ku ka pasur lëvizje dhe ndryshime të forta politike që prej zgjedhjeve të vitit 2013.

Edhe pse PD dhe aleatët e saj arritën të dalin forcë e parë, diferenca në qark është vetëm 287 vota.

Deputeti i tretë ju dha PD-së me fotofinish, ndërkohë që krahasuar me vitin 2013, kur PD humbi zgjedhjet në rang kombëtar dhe kishin kryetar Sali Berishën, kanë 1 mijë vota më pak.

Ndërkaq, Partia Socialiste ka 5 mijë vota më shumë nga viti 2013 dhe 4 mijë vota më shumë se viti 2017.

LSI-ja ka pësuar një disfatë të thellë pasi ka 6 mijë vota më pak se 2013 dhe 8 mijë më pak se 2017-a.

PDIU-ja e Shpëtim Idrizit që ishte faktor 4 vite më parë mori 12 mijë vota në 2017-n, por këtë herë duket se këto vota janë ndarë sa te PS-ja e sa te PD-ja, e cila ka marrë pjesën më të madhe të këtyre votave edhe për faktin se ishte në aleancë me këtë forcë politike.

Në rang bashkish rezultati paraqitet kështu: PS ka fituar Bashkinë Mat e Bulqizë, ndërsa në Klos situata është thuajse barazim. Në bashkinë Dibër, PD është në avantazh. Por brenda këtyre shifrave ka ndryshime të rëndësishme bastionesh. Zona e Maqellarës, e cila që në vitin 1991 votoi për PD-në, duke çuar të vetmin deputet në Parlament si përfaqësues i Dibrës, më 25 prill, ka votuar në shumicë për Partinë Socialiste.

Këto janë analizat e shifrave që ofron 25 prilli në qarkun Dibër, por krahas saj ekziston edhe një anë politike e qasjes për këtë zonë.

Partia Demokratike dërgoi në një qark mjaft delikat e të ndjeshëm për cilësinë e përfaqësuesve Xhelal Mziun nga Kamza, i cili njihet si radikal dhe që këputi mufka edhe në ditët e fundit të fushatës, ku u detyrua të kërkonte falje.

Ndërkaq nga Tirana u dërguan edhe Kreshnik Çollakun dhe Dhurata Çupin që me origjinë janë nga Mati.

Ndërkaq, Partia Socialiste e rriti pjacën e përfaqësimit, duke vendosur si drejtues të qarkut dhe të listës Lavdrim Krashin, një intelektual nga Dibra, por që vjen nga Britania e Madhe, ku punon prej shumë vitesh si zyrtar i një prej njësive bashkiake të Londrës dhe aktivist politik i laburistëve.

Krashi, ka operuar në Dibër me një fushatë tipike angleze, ku siç përshkruhet hollësisht në faqen e tij në rrjetet sociale ka zhvilluar plot 173 takime në të gjitha zonat e Dibrës dhe Bulqizës, ku binin në sy takimet në tregje dhe vende ku mblidhen qytetarët, tipikisht sipas modelit perëndimor. Pra shkon politikani tek njerëzit dhe jo thirren qytetarët në zijafete e salltanete në restorante dasmash. Krashi, siç u pa edhe në takimet e mëdha ku mori pjesë edhe Edi Rama, ishte i thjeshtë në ligjërimin publik, ku nuk pati premtime të mëdha, por u fliste se si janë rrugët që një ligjvënës mund të jetë një përcjellës dhe shërbyes publik i komunitetit në institucionet e larta të shtetit.

Një përvojë fushate jo shumë e njohur në Shqipëri, ku përdoret një komunikim invazim dhe i tërthortë me zgjedhësit.

Ndërkaq, në Mat PS-ja kandidoi Aurora Marën, e cila në legjislaturën e shkuar ishte në listat e LSI-së dhe pas diegieve të mandateve nga opozita hyri në Parlament, duke refuzuar aksionin e braktisjes së institucioneve.

Pjesë e një familje me reputacion në Mat, ajo arriti të sigurojë një fitore për PS-në në këtë zonë, ku mazhoranca kishte humbur në dy zgjedhjet e shkuara.

Ekuilibri politik i Dibrës është lajmi në fakt në zgjedhjet e 25 prillit në 12 qarqet e vendit, ku rezultatet kanë përfunduar me diferenca të ndjeshme të njërës palë dhe tjetrës. Nga 12 qarqe gjithsej: PS-ja fitoi 8 ndërsa PD-ja vetëm 4./ Gazeta Tema 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton