Ylli Pata: Dalldia Babale, 4 vjet më pas në 40 gradë celcius!

Ylli Pata: Dalldia Babale, 4 vjet më pas në 40 gradë celcius!

Deputeti Ervin Salianji

Prej ditësh tashmë i gjithë arsenali i opozitës, me deputetë e magjistratë, gazetarë e avokatë, analistë e panelistë, së bashku me Sali Berishën në krye, janë vënë në mbrojtje të Ervin Saljanjit. Deputetit të PD-së, i cili dy vite më parë, është dënuar nga një gjykatë shqiptare(çudi si s’e ka kapur ligji i dekriminalizimit) si fajtor për një inskenim me rëndësi të madhe dhe që ka sjellë pasoja të rënda ligjore.

Kanë kaluar katër vjet nga nisja e kësaj historie, ndaj ja vlen për të sjellë sot thelbin e asaj ngjarjeje që sot ka “bashkuar” Partinë Demokratike vetëm për një ditë, e që në fakt përbën një bashkim për të ndihmuar Ervinin, shokun e tyre. Katër vjet më parë, Partia Demokratike publikoi një përgjim telefonik, sipas të cilës njerëzit që po flisnin ishin një trafikant i njohur me nofkën “Babalja” i cili emrin e ka Albert Veliu dhe vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës Fatmir Xhafa. Në audiopërgjim flitej për përgjim.

PD e hodhi atë “audiopërgjim” në tregun e egër mediatik në vend ku shpërthyen portalet dhe emisionet e darkës. Flitej për “dëshmitarin X” ku përmendej Babalja, që sipas gazetarëve VIP që burimet i “kishin të sigurta” ishte një informator i SHISH. Në fund, pas hetimeve nga prokuroria, Babalja rezultoi që nuk ka folur me vëllain e Fatmir Xhafajt, po me Fred Alizotin-kunatin e tij, i cili u bë bashkëpunëtor i drejtësisë për të treguar ngjarjen. Alizoti, rrëfeu se e gjithë ky makinacion dhe montazh mediatik ishte organizuar e mbështetur nga Ervin Saljanji. Të cilin gjykata e dënoi.

Sot pas katër vjetësh, Babalja ka marrë strehim politik, e ku jeton në Belgjikë me familjen, Fredi Alizoti ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtjes, Ervin Saljani vazhdon të jetë deputet, e Fatmir Xhafaj u largua nga posti i ministrit të Brendshëm, e është deputet i Partisë Socialiste.

Në thelb çështja ka mbetur në vend, por reflektimi katër vjet më pas duhej të ishte i ndryshëm. Pasi e gjithë kjo histori sado që të mbulohet me retorikë është një nga ngjarjet më pa lavdi të betejës opozitare në vend.

Megjithatë, në kulmin e vapës kur temperaturat kanë shkuar mbi 40 gradë celcius, pra në afshin afrikan, radhët janë ngjitur. Fatos Lubonja, ka thirrur për rrezikun që i kanoset Shqipërisë dhe drejtësisë me dënimin e Saljanjit. Sali Berisha ka kërcënuar gjyqtarët me emër e mbiemër, ç’ka në gjuhën berishjane përbën ultimatum. PD e Alibeajt ka bërë thuajse të njëjtën gjë, duke çuar deputetët në seancën e Apelit.

Gjyqtarët, në mënyrë elegante kanë shtyrë seancën, çka është një sinjal shpresëdhënës se ata nuk do të marrin vendim në presion.

Tani për ta qartësuar situatën: Duhet të shpëtojmë ushtarin Ervin? Kjo edhe mund të bëhet, nëse mbështetësit e tij dhe ky i fundit bëjnë të ditur se e ka hartuar gjithë këtë mesele ma dashje, është penduar, e nuk do ta përsërisë më. Me këtë mënyrë, trupi gjyqësor, mund të marrë vendim se ndoshta Saljjanji nuk ka qenë në kushtet e duhura psiqike për të vendosur. Pasi edhe katër vjet më parë, thuajse temperaturat kanë arritur në verë këtë nivel, edhe pse videopërgjimi është kryer në vjeshtën e vonë.

Po për të nxjerrë përfundimin se po ishte një montim i inspekuar, por e gjitha u bë për të rrëzuar qeverinë e shkarkuar Fatmir Xhafën, duhet marrë një vendim për të ndëshkuar montimin. Opozita mund të bëjë një mocion për të shfajësuar Saljanjin, pasi mund të rendisë rrethana lehtësuese politike e psikologjike, por këtë duhet ta bëjë me kujdes. Pasi ka një ves të vjetër, ku kundërshtarët sulmohen si “të sëmurë mendorë”. E nëse vërtetë Rama me shokë janë të sëmurë mendorë, opozitarët duhet të sillen me kujdes ndaj tyre, ndryshe i diskriminojnë, e ky është realisht një shkelje e Kodit Penal. Si puna e Babales. E në fakt ka një “dritare” që mund të shfajësohet Saljanji, nëse i bashkohet edhe diskursit për të cilin Babalja mori azilin politik. Të thojë se “ishte shumë vapë atëherë, edhe pse në vjeshtë, e gjërat morën rrjedhë të ndryshme. Unë shkoj në televizione te zonja Eni e i thoja që është montazh, por ajo më kthehej: kjo është perlë do na mbysë audiencën. Do e bëjmë telenovelë. Njëjtë Fevziu dhe të tjerët. Nuk e kisha fajin unë, por vapa dhe panelistët”. Atëherë ndoshta realisht bëhet diçka…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave