Ylli Pata: Dilema hamletjane e Partisë Demokratike: Basha apo Berisha?

Ylli Pata: Dilema hamletjane e Partisë Demokratike: Basha apo Berisha?

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Ajo që po ndodh që prej një jave në Partinë Demokratike, bëhet sa kalojnë ditët një gjendje gjithnjë e më e paqartë, gjithnjë e më e pakuptimtë.

Fjalëkryqi i zgjidhjes së krizës që shpërtheu “papritur” në pallat pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, ngjan gjithnjë e më shumë me një lojë teatrale që fsheh taktika nga palët e përfshira.

Duket si lojë teatrale, pasi tani, nga një pjesë e grupit parlamentar i kërkohet Lulzim Bashës që të largohet si rezultat i zgjedhjeve të pjesshme të cilat i humbi. Ndërkohë, më 25 prill, kur po ky Lulzim Bashë gjithashtu humbi garën për tu bërë kryeministër, pra zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të gjithë këta që sot kërkojnë kokën e tij, dolën si skenografi natën përpara selisë së PD-së, kur Basha tha: “Beteja tani fillon”.

E natyrisht, ata që e kuptuan këtë shprehje e që e shikonin veten të rrezikuar, tentuan ta kthenin në grotesk. Por në fakt, Basha kishte të drejtë, pasi pikërisht në atë çast nisi një betejë e ashpër dhe e fortë në Partinë Demokratike. SHBA shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij “Non Grata” për “korrupsion të rëndësishëm, minim të demokracisë dhe minim të drejtësisë”. Pas kësaj, SHBA bëri të qartë se do të përkrahte një PD e cila nuk do të kishte në gjirin e saj një politikan të ndëshkuar nga qeveria amerikane.

Këtu nisi një përplasje, një metamorfozë e madhe në gjirin e PD-së, e cila realisht ishte një dilemë brenda strukturave të partisë, e jo në shoqërinë shqiptare, e cila e ka të qartë se kërkon një klasë politike pa dinosaurit 30 vjeçarë të politikës.

E në këtë linjë, Lulzim Basha vendosi të përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së. Pas këtij vendimi, nisi dhe lufta e egër tribal në parti për të larguar urgjentisht Lulzim Bashën, e Sali Berisha që deklaroi rikthimin për çdo post kushtetues. Siç dihet ndodhi 11 dhjetori i “Air Albania”, 18 dhjetori i Lulzim Bashës, ku të dy palët morën vendime të ndara ku përjashtuan njëri tjetrin. Më pas 8 janari, ku për orë me radhë u tentua të merrej me dhunë selia e PD-së.

E mbani mend deklaratën e Sali Berishës për sulmin e 8 janarit? “Ishte protesta më paqësore që ka ndodhur ndonjëherë”. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, deklaroi se “ne nuk kemi marrë asnjë aggression ndaj Ukrainës, por vetëm një operacion për të demilitarizuar vendin”.

E në këtë zhvillim të fortë në PD, të gjithë ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës qëndruan pro tij, madje duke e quajtur “Linkoln” dhe e konsideruan veprimin e Berishës si shkelje e asaj vijës së kuqe, që sipas tyre, ka sakrifikuar PD-në për çështjet e tyre personale.

Po sot, çfarë po ndodh? Ata, sidomos Grida Duma e Ervin Saljanji, nuk po kërkojnë thjesht një proces të ri, të hapur dhe demokratik për ta rithemeluar opozitën, por ngritjen e një komisioni të përbashkët të Berishës dhe PD-së aktuale. Po para 9 shtatorit, aty ishin bashkë, edhe Basha edhe Berisha, e nuk bënë komision, pse duhet ta bëjnë sot?

Sali Berisha natyrisht nuk kërkon komision, por hakmarrje ndaj atij që beson se e ka prerë në besë, e ka përjashtuar padrejtësisht. E në këtë logjikë, nuk bëhet fjalë për një fusion të dy palëve, por një rikthim të Berishës me njerëzit e tij në krye të Partisë Demokratike.

E kjo është dilemma reale hamletiane në opozitën shqiptare. Nëse Basha do ta lejojë, do të zerojë gjithë atë zhvillim të rëndësishëm që ka galvanizuar realisht shoqërinë, e cila kërkon një ndryshim të madh. Por nga ana tjetër, dy ujqit e vjetër të politikës së vjetër, po bëjnë qindin që të tregojnë se ata janë “ndryshimi”.

Një ndryshim që do të kthejë sërish një statusquo, jo para 9 shtatorit, as përpara 19 majit, por fiks përpara vitit 2016, kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese  për reformën në drejtësi. E cila duket se s’është më në “modë, madje do të dalin “hijena” virtuale që do të sulmojnë egër në këtë aspekt, fiks si sulmojnë në mënyrë të përditshme ambasadën dhe faqet e institucioneve amerikane në Shqipëri.

Dilema e opozitës është shumë e thjeshtë: do të vijojë trendin e vështirë por që nuk kthehet prapa në deberishizimin jo vetëm të PD-së por gjithë vendit, apo të kthehemi prapa? Ngjizja, nuk ekziston, por si një luftë kur vendoset me mjete të dhunshme humbja e një pale e fitorja e tjetrit, po luhet beteja e radhës. Natyrisht si ajo e Kievit, me rrethim të ngadalshëm…/ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla