Ylli Pata: Dilema politike e opozitës: mbijetesë apo riciklim?!

Ylli Pata: Dilema politike e opozitës: mbijetesë apo riciklim?!

Në një qasje paksa provokative vetëm në titull, dje mora shkas nga zgjedhjet parlamentare franceze, që të sillja në një diskutim në opinion, mbi një sistem që Shqipëria e ka pasur deri në vitin 2001.

Ku deputetët zgjidheshin direkt emër për emër, por edhe kryebashkiakët, sipas një shumice absolute, e jo relative që është sot.

Në një fenomen që përsëritet shpesh, duke pasur parasysh se TemA është gazeta e vetme në vend që lejon komentet e lira, ka një shi komentesh toksike kryesisht ndaj meje, por edhe gazetës.

Janë dukshëm të identifikueshëm, mbështetës fanatik të Sali Berishës, të cilët nuk merren fare, po fare fare me argumentin e shkrimit, por fyejnë personalisht, madje edhe në mënyrë raciste, duke ju referuar emrit, mbiemrit, apo origjinës, pa diskutuar mbi përmbajtjen. Dhe këtë e bëjnë thuajse çdo herë.

Megjithatë, ka një refren, që përsëritet vazhdimisht prej një grupi, që nuk është spontan, përkundrazi, ka një referencë direkte në objektivin e sulmit. E ky refren, që i bie fyllit në një vrimë, tashmë prej vitesh përsërit: “Keni parashikuar fundin e Sali Berishës, por ai sot ka në duar të gjithë opozitën”. Ky është një refren përgjithësisht që dominon në komentet e këtij grupi.

E jo për t’ju përgjigjur, pasi gjetja e një teme për qasjen ditore në politikën e ditës, synon gjithmonë të hapë një rrugë, të provokojë një diskutim, aq sa mundet, por për të krijuar edhe një shteg debati aq sa mundet(pasi fyerjet do vijojnë), pikëpyetja që shtrohet është: A është rikthyer vërtetë Sali Berisha në krye të opozitës shqiptare?

Një vëzhgues i ftohtë, por edhe normal do të mundohej t’i përgjigjej kësaj pyetje, duke ju referuar votave. A ka marrë Sali Berisha më shumë vota, apo më pak në momentin që u “shkri” nga roli në hije i liderit të PD-së dhe mori frenat e pjesës më të madhe të saj?

Përgjigja është 14 maji 2023. Mjafton vetëm ky fakt, të cilit i ikin si djalli-temjanit çdo protagonist dhe opinionist pranë opozitës, për të krijuar një panoramë.

Sado mbështetësit fanatikë që nuk pushojnë në komentet toksike pa u mbështetur në një debat që hap çdo shkrim si argument, në fund situata jep një panoramë të qartë.

Sali Berisha nuk është rikthyer. Pasi në realitet ai sot është jo vetëm në sondazhe, por edhe në vota, më antipopullor se viti i tmerrshëm 1997, i cili ishte më i keqi i tij.

Fuqia dhe influenca për të mbajtur fort atë pjesë që sot ka nën kontroll të opozitës, logjikisht nuk ka përse të konsiderohet si argument. Pasi mjetet dhe indulgjenca që ka në rrjetet e qarqet politike, financiare e mediatike, janë përgjigja më e thjeshtë për t’i dhënë përjgigje pse doktori është grupi më i fortë i interesit brenda opozitës.

Në realitet, këtë fakt, pra që doktori është grupi më i fortë i interesit brenda opozitës nuk e mohon e se ka mohuar askush, sidomos në qasjet tona dhe komentet e mija në gazetën TemA.

Por argumenti i debatit ka qenë krejt tjetër, që natyrisht as ju kërcet, shprehje që e përdorin alla rrojtore tani këta personazhe, dmth “s’më rruhet, s’e rruaj”. Por me këtë koncept berberhaneje, as debat e as diskutim nuk bëhet.

Realiteti është i thjeshtë: kemi të bëjmë me një mbijetesë politike të Sali Berishës, apo avancim? Kjo pikëpyetje duhet elaboruar. E nëse nuk bëhet, sulmet, sharjet, apo edhe fyerjet nuk pinë ujë fare.

Se ka një gjë edhe në logjikën që shtrohet me gjerësi në komentet toksike: “pse nuk merreni me korrupsionin e Ramës, po përmendni vetëm Berishën?”

Sot Shqipëria ka media televizive e elektronike pa fund, madje edhe në pronësi të familjeve, që merren e flasin për korrupsion pa asnjë pengesë. Siç ka një SPAK që bën hetimin e këtij korrupsioni, e Gjykatë të Posaçme që vendos për këtë korrupsion. Por përveç kësaj apo këtyre mekanizmave, Shqipëria ka edhe jetë politike, apo duhet të ketë jetë politike, ku media shtron ide, mendime, qëndrime, për të hapur diskutime.

Po a bëhen diskutimet me sharje personale? Merreni vetëm me opozitën? Po ku ka komoditet më të madh, që mediat që janë kritike me Sali Berishën shtrojnë dhe hapin diskutime, duke e bërë protagonist një publik, që në realitet nuk ka pushtet. Ky debat vetëm e adreson situatën, ndoshta edhe gabim, por mund të hapë diskutim. Mosfolja apo injorimi, apo sulmi poshtë brezit ndaj njerëzve dhe individëve, është një instrument që dikur e përdorte Enver Hoxha apo edhe Vladimir Putini sot në Rusi.

Kur nuk ka sharje, por një diskutim, pse merren mbrapsht vetëm fyerje poshtë brezit? Sepse nuk ka argument. Dhe kjo është në realitet vërtetim i tezës që Berisha nuk është rikthyer. Që në fakt nuk është aspak zbulim për thjesht fakt!/Tema

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille