Tashmë, pas gati dy muaj të protestave që nisën me incidentin e Zvërnecit, janë arritur të kuptohen shumë gjëra të këtij zhvillimi mjaft të madh në Shqipëri.
Dihet(në fakt prej kohësh) që në Shqipëri ka një pakënaqësi apo frustrim politik prej një pjese të madhe të opinionit publik, i cili nuk u zgjidh me zgjedhjet e 11 majit të 2025-s.
Mazhoranca e madhe në Kuvend e socialistëve, përveçse hapi një gropë të madhe në mjedisin opozitar, çoi në krizë edhe partitë e reja që u panë si një valvul shkarkimi që mund të çojë në një proces të ri politik.
Aktorët e rinj, që dërguan në Kuvend tezet e dajat, e më pas u përleshën për postin më të parë, dërrmuan shpresën e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve, të cilët as nuk kishin votuar për socialistët, e as nuk i duan ata dhe qeverinë e Edi Ramës.
Ndërkaq, për një vit, si pasojë e një procesi galvanizues të provokuar nga hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të mazhorancës, krijuan një situatë problematike edhe në gjirin e socialistëve. Prej të cilëve dolën më pas edhe personazhe që nisën t’i trajtonin publikisht këto pakënaqësi e frustrime.
Por e gjitha kjo panoramë nuk është tjetër veçse një dialektikë “ovvio” kur thonë italianët. Në mandatin e katërt të një mazhorance të fortë në numra dhe të një opozitë të dobët në narrativë, karakter dhe fytyrë përfaqësuese, ishte e pritshme një periudhë frustruese dhe tranzicionale politikisht.
Megjithatë, koha siç thotë poema e famshme, apo “fati” solli në skenë një mundësi që i gjithë komuniteti i madh anti-Rama në Shqipëri, zor se do ta ketë më një të dytë, në këtë mënyrë.Disa faktorë të rëndësishëm e madhorë jashtë Shqipërisë investuan fort krijimin e një skene revolucioni në Tiranë.
Flamingo Revolution, një brand që i shtohet revolucioneve me ngjyra e me stinë që i kemi parë shumë që prej dekadave në shumë vende të botës, kryesisht asaj të dytë e të tretë(sipas renditjes së kryetarit Mao-Teoria e tri botëve).
Një revolucion anti-Trump në Shqipëri, ishte një skenë perfekte për opozitën amerikane, përkatësisht fraksionit më majtist të saj, por edhe të majtën europiane, që është pjesë korporative e këtij lobimi politik global.
Ndaj dhe mediat liberale të mëdha amerikane; që nga CNN, Reuters, Politico, New York Times e shumë tituj të tjerë televizionesh, platformave online e shtypi të shkruar i dhanë ballinat e tyre Flamingo Revolution në Tiranë.
Ku pankartat e krijuara me mjaft mjeshtëri kundër Ivanka Trump e Jared Kushner, ishin skenografia e ëmbëlsuar me maskotat e shpendit delikat që rri me një këmbë.
Ndërkaq, një tjetër lob i fuqishëm dhe i rëndësishëm, ai i islamit politik që ka referencën në Turqi, shfrytëzoi rastin ta kthejë Tiranën në skenën e “luftës fatale” me Izraelin e Benjamin Netanyahu-t.
Shto këtu edhe iranianët që përdornin propagandën lego ndaj “satanait” që i urojnë vdekje 24/orë në 7 ditë; revolucioni i Tiranës hynte në lojë me “faktorin e jashtëm” në xhep. I duhej vetëm të përgatisnin kushtet e brendshme që revolucioni të piqej e të farkëtonte në kudhrën e tij bijat e bijtë e tij më të rinj, për t’ja prezantuar popullit që mezi e pret “Shqipërinë e Re”.
E cila u paraqit në fillim si një lëvizje me shije, gjithë elegancë e civilizim, shoqëruar me aksione paralele, që edhe pse faulle politike, ngjitën prej qyetarisë.
Ku fëmijë të protestuesve vizatonin në kartone të mëdhenj me bojna, poshtë zyrës së kryeministrit piktor, që skrivaninë e ka plot me bojna e ku i zografis në fletët A4 e shkresat e shtetit.
Edhe pse një fantazi pak kërcitëse, kreativiteti së bashku me metaforat e gjetura, i dha sërish një shtysë “krijimit të kushteve të brendshme”.
Në ditët e para, në podiumin e ngritur jo pa gjetje; një shkallë shtëpie që përdoret për rregullime, u ngjitën disa vajza simpatike e djem të edukuar. Që sollën deklamimin e revolucionit: Të mos shitet Shqipëria! Domethënë jo oligarkëve që ka thënë Bernie Sanders, socialisti multimilioner amerikan, që prezantoi këtë pranverë në Europë, gjithë bujë librin “Oligarkia”, nga i cili po fiton edhe shumë miliona të tjerë.
Duket se “aktorët” fillestarë vinin nga shtrati aktivist i revolucionarëve që mbruhen në katedrat më të mira të universiteteve europiane. Që është kthyer një totem, thuajse nga fillimi i shekullit XX. Edhe El Comandante Che, nga katedrat universitare doli, shoku (Fadil) Fidel po ashtu, Mandela e gjithë krerët e politikës së majtë europiane ndër vite. Madje, edhe të djathtët.
Shumë nga të cilët, sot konsiderohen si puthadorë të oligarkisë nga të rinjtë e universiteteve. Edhe kjo është një gjë që ndodh e ka ndodhur gjithkund.
Mjafton të kujtojmë tortën e hedhur me dhunë në fytyrën e Joshka Fisherit nga revolucionarët gjermanë në 1999, kur kishte përkrahur bombardimin e NATO-s ndaj Serbisë.
Majtistët filorusë të “Grune Partei” e quajtën shokun Joshka, “shërbëtor i Yanky-ve”, por zv.kancelari gjerman, me fytyrën e përgjakur u përgjigj flakë për flakë se po mbronte të drejtat e një populli që po masakrohet live në tv, e revolucionarët po mbështesnin një tiran-përbindësh si Sllobodan Milosheviqi.
Por “tema e rëndë” e revolucionarëve tanë iku shpejt. Në shkallën e bërë të famshme World Wide, doli një mesoburrë me bishtalec që lexoi 5 pikat drejtuar Edi Ramës.
Ky personazh i kishte mbushur televizionet si ekspert e gjeostrateg me muaj e me muaj(askush s’e di se si e pse), duke sulmuar Amerikën, Izraelin, hebrenjtë e glorifikuar gardistët revulucionarë të Pastaranëve famëkëqinj, që kanë firmosur tmerre në të gjithë botën. Kreu i Gardës Revolucionare Ahmad Vahidi, është i dënuar si organizator i bombës ndaj qendrës hebraike të Buenos Aires-it në 1994, ku vdiqën 85 persona civilë e u plagosën 300 të tjerë. Ndërkohë Hezbullahu konsiderohej një ushtri perfekte, e Hamasi konsiderohej si UÇK-ja. Po përveç këtyre kumbullave, përsëriste nëpër panele se kryeministri aktual hiqet vetëm me plumb.
Nejse, pentalogu i lexuar prej këtij personazhi dihet tashmë; të largohet Edi Rama, të vendoset qeveria teknike, të ndryshohet kushtetuta etj etj.
Dokument, i cili u lexua e vijon të lexohet edhe sot. Po kush e ka hartuar atë dokument? Pasi siç dihet protesta nuk ka kokë, e nuk ka pasur mundësinë, dëshirën, po as vullnetin që të ngrejë një lidership.
Arsyet e shkaqet e kësaj rrumujë më vete janë analizuar, por ende nuk dihet, as nuk është bërë publikę, kush e ka ideuar Letrën me 5 pika? Se në thelb ajo as nuk u miratua nga dikush, apo pranua. Thjesht u lexua, po kush e hartoi, ideja e kujt ishte?
Deri tani nuk e thotë kush, por pikërisht nëse zbulohet kjo enigmë, del në pah edhe misteri i fundit, që shpjegon shumë nga metamorfoza e një revolucioni që ka qëndruar me një këmbë si flamingoja që ditën e parë, edhe pse ka pasur shumë koka./ TemA
Komente










