Ylli Pata: Fabula false e Berishës se SHBA është kundër PD, e jo kundër tij

Ylli Pata: Fabula false e Berishës se SHBA është kundër PD, e jo kundër tij

Sali Berisha

Qasjet e dala nga mediat e Sali Berishës për “marrëdhëniet e bllokuara” të Lulzim Bashës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se kanë një synim të qartë. Një synim, që tashmë është kthyer një ideologji politike e partisë së re të Sali Berishës, e sipas gjasave edhe të Ilir Metës, që po forcon qëndrimet e tij.

Rrekja e krijimit të një narracioni nga njerëz pranë Berishës, se Lulzim Basha është një politikan që ka tradhëtuar SHBA-në e është i refuzuar nga Amerika, nuk se është gjë e re e përdorur në betejën ndërmjet Bashës e Berishës.

E ka përdorur Edith Harxhi në fillim, që tani është pjesë e Foltores, më pas Evi Kokalari, e sot edhe një nga zyrtarët e lartë të qeverisjes së Sali Berishës.

Argumentet e përdorura janë kontradiktore, por gjithsesi  nuk përbëjnë ndonjë të re. Lulzim Basha nuk i ka pasur marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prej zgjedhjes së tij si kryetar i PD-së në vitin 2013. Mbahet mend nga të gjithë përplasja e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu dhe Lulzim Bashës për çështjen e shkatërrimit të arsenalit kimik të Bashar Al Assadit në Shqipëri.

Ku ambasadori Arvizu tha se njëherë Basha i tha se ishte dakord, e më pas njerëz të opozitës dolën kudnër. Mediat e Berishës e lidhën këtë me frikën që Basha paska pasur ndaj të ndjerit Sokol Olldashi, të cilit po i mveshin organizimin e protestave anti SHBA në Tiranë një muaj pasi Edi Rama fitoi zgjedhjet.

Por shqiptarët e mbajnë mend se vërtetë që Lulzim Basha e kundërshtoi atë operacion, por ai që ndikoi më shumë në “JO”-në e Edi Ramës ndaj SHBA-së ishte Ilir Meta, aleat i qeverisë me PS-në dhe kryetar i Parlamentit në atë kohë.

Madje në krye të protestës së parë që nga viti 1990 përpara ambasadës amerikane ishte Sazan Guri, një mbështetës i Ilir Metës, i cili këto ditë ka varur në kangjellat e Presidencës ca postera të mbushura me budallalëqe, ku jo vetëm Mbretin Artur të Anglisë, por edhe shpatën që ai e nxori nga guri sipas legjendës, e cilëson si shqiptare etnikisht.

Megjithatë, këto janë pjesë e një parodie tallava, që si videot e ca mitomanëve në vite janë përpjekur të krijojnë frymë opozitare në Shqipëri e natyrisht nuk qëlluan, janë pjesë e një historie që dihet nga të gjithë.

Thelbi i gjithë kësaj është se Lulzim Basha ka pasur marrëdhënie të ndera me SHBA dhe BE, madje ka qenë pranë caktimit nga Departamenti i Shtetit si organizatë e dhunshme, e përjashtimit nga PPE, pikërisht si pasojë e politikës që PD ka ndjekur këto 8 vite.

Megjithatë, duhet thënë se si SHBA, si BE, kanë identifikuar Sali Berishën e Ilir Metën, si faktorët më të rëndësishëm të kësaj politike, e kjo është natyrisht e dokumentuar në qëndrimet e qarta politike e diplomatike.

Por që nga janari i vitit 2020, kur Lulzim Basha vendosi të kthehet në sistemin politik, marrëveshja e 2 qershorit, e sidomos nga vendimi i përjashtimit të Berishës, duket se ka pasur një ndryshim politik të marrëdhënieve ndërmjet PD-së dhe SHBA-së.

Për marrëveshjen e 2 qershorit 2020, ishte vetë Sekretari i Shtetit Mike Pompeo që përshëndeti rikthimin në sistemin politik të PD-së, e më pas në selinë blu kanë vërshuar delegacione të disa niveleve nga administrate amerikane.

Mbahet mend pas përjashtimit të Sali Berishës, deklarata e ambasadores Yuri Kim që tha se “SHBA kërkon një PD të fortë e të bashkuar”.

Ky është një qëndrim zyrtar, i dokumentuar dhe që përfaqëson vullnetin politik të qeverisë Amerikane.

SHBA problemin e ka vetëm me Sali Berishën, familjen e tij, si dhe grupet e kompanitë që mbështesin një ndivid. Ndaj të cilit qeveria amerikane ka vendosur sansksione shumë të forta.

Nuk ka sesi të jetë ndryshe; SHBA nuk e ndalon PD-në që të forcohet, të bashkohet, të demokratizohet, të fitojë zgjedhjet lokale e qendrore, si dhe do të bashkëpunojë fort me të, nëse qeveria e PD-së nëse vjen në pushtet i përmbahet angazhimeve euroatlantike.

Ndërkaq, nuk është se SHBA ka probleme me demokratët nëse zgjedhin Sali Berishën, por Uashingtoni e ka shpallur “Non Grata” ish-kreun historik të PD-së.

E një organizatë politike me mend në kokë, nuk ka sesi të mblidhet pas një politikani, ndaj të cilit ka sanksione nga SHBA e aleatët e saj.

Nuk ndodh në asnjë parti, pjesë e një vendi që është anëtar i NATO-s, që ka brenda saj njerëz me mend në kokë që të zgjedhin një politikan anti-amerikan.

Shembulli më i qartë është Italia fqinje; ish-Partia Komuniste, e cila kishte një të kaluar shumë të afërt në relacionin me Moskën e ka pasur të pamundur që të vendosë një kandidat të saj për kryeministër.

Në 1993 vendosën Lamberto Dinin e 1996-n, Romano Prodin, që vinin nga Demokracia Kristiane. Vetëm pas një prove në qeverisje e diplomacy, Massimo D”alema u bë kryeministër, e ku siç dihet u tregua edhe më pro-amerikan se paardhësi i tij, kur mbështeti sulmin e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Ngjizja e një frustrimi anti-amerikan në bazën e së djathtës shqiptare, duket se realisht nuk ja ka arritur qëllimin, ndaj po bëhen përpjekje për të treguar se vërtetë Berisha është Non Grata, por edhe Basha nuk është më pak. Gjë që realisht nuk qëndron, pasi SHBA nuk e kanë ndëshkuar Berishën si ish-kryetar i PD-së, por si ish-President e ish-Kryeministër, për veprimet që ka kryer për “korrupsion të drejtësisë”, “pengim të drejtësisë” e “minim të demokracisë”. Kaq e thjeshtë është…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, autor i katër vjedhjeve në banesa, arrestohet 47-vjeçari (EMRI)

Lezhë, autor i katër vjedhjeve në banesa, arrestohet 47-vjeçari (EMRI)