Ylli Pata: Kandidatët e importuar në bashkitë e 6 marsit

Ylli Pata: Kandidatët e importuar në bashkitë e 6 marsit

Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve nga partitë politike nga lart poshtë, si për deputetë, ashtu edhe për kryetar bashkie, ka sjellë tashmë një traditë që ka thyer logjikën e përfaqësimin. Ka prekur, madje mund të thuhet hapur që ka fyer komunitetin që jeton në territorin, ku delegohet nga partia autoriteti përkatës.

Krerët politikë të qarqeve lëvizin nga zona në zonë, ndërkohë që edhe deputetët shpesh nuk kanë lidhje me territorin.

E ky fenomen, nisi e u shpërnda edhe për krerët e bashkive, që në mjaft raste jetojnë në Tiranë, ndërkohë që janë zgjedhur kryebashkiakë në jug apo veri të vendin.

Megjithëse është folur gjithë këto kohë për “zgjedhje nga baza”, “primare” apo të tjera premtime propagandistike si këto, për zgjedhjet e 6 marsit, kemi kandidatë që janë importuar nga Tirana, e dërguar në garë.

Disa nga këto kandidatë; përshembull Bardh Spahia, i “Shtëpisë së Lirisë” ka që fëmijë që nuk jeton në Shkodër. Kandidati i PS-së në Dibër, Rrahim Spahiu, ka prej shumë vitesh, bankier që jeton në Tiranë, apo edhe kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” në Lushnjë, Elton Bano, ka gjithashtu vite që jeton në kryeqytet.

Vërtetë të gjithë janë me rrënjë nga zonat ku kandidojnë, por ata janë larguar prej qytetit të tyre, e kështu kanë humbur lidhjet e kontaktin direkt e të përhershëm me rrethin, komunitetin apo edhe reflekset e vibracionet e jetës në territor.

Ndoshta në rastin e deputetit, edhe mund të shkojë që të kandidojë një intelektual apo figurë politike, i cili ka zhvendosur prej kohësh aktivitetin politik në kryeqytet, por megjithatë ka ruajtur ndonjë lidhje a dimension të komunitetit që i ka përkitur dikur.

Ndërkohë, në rastin e kreut të bashkisë, duket se nuk shkon importimi i kandidatëve. Qytetet tona, kanë ndryshuar shumë këto 30 vjet, e lëvizjet e shumta demografike, migrimet e imigrimet, kanë sjellë realitete krejt të ndryshme nga ata që kanë lënë kandidatët që mbajnë mend vetëm fëmijërinë apo të shkollës së mesme.

Plus që bashkitë e sotme, nuk janë vetëm organizim i qyteteve, por më shumë kanë përfshirë të zonave rurale, duke formuar kështu një konstelacion krejt të ri, një bashkim komunitar që duhet njohur në qelizë.

Pikërisht kjo pakujdesi e politikës së lartë për të përzgjedhur njerëzit e duhur dhe të lidhur me territorin, ka krijuar edhe atë distancë që sa vjen e shtohet nga njerëzit dhe politika.

Në vende të tjera, si në Itali për shembull, që prej 30 vitesh kur zgjedhja e kreut të bashkisë është bërë direkt nga populli, më shumë sesa degët apo zyrat e partive, kandidatin e zgjedhin “komunitete civike”, të cilat vit pas viti, janë kthyer edhe në parti në vete, ku nuk ka mundësi qendra që të ndryshojë situatën.

Guvernatori i Campania-s- me kryeqendër Napolin votoi 70% për Vincenzo de Luca-n, edhe kur qendrat e PD dhe Lëvzjes së 5 Yjeve e urrenin.

Në Puglia, Michele Emiliano, vijon të zgjidhet për disa mandate, edhe pse ka pasur gjithmonë qendrën e partisë së tij kundër. Po ashtu Luca Zaia i Lega Nord që drejton Rajonin e Veneto-s, i cili është edhe armiku më i madh i Matteo Salvinit.

Komitetet Civike që kanë në përbërje të tyre: profesorë, ekspertë apo intelektualë nga territori i komuniteteve, janë kthyer në parti politike, me të cilat duhet të negocojnë forcat e mëdha kur kandidojnë në zgjedhjet parlamentare.

Madje në këshillin bashkiak të disa qyteteve, më shumë anëtarë kanë komitetet civike sesa politikanët e degëve të partive që garojnë në lista të veçanta.

Pikërisht kjo lidhje me territorin kanë krijuar një situatë në Itali, ku më popullorë janë Givernatorët e Rajonet, sesa politikanët qendror në Romë, pasi nëpërmjet lidhjes me territorin ata kanë krijuar një përfaqësim më linear. Sidomos në rastin e pandemisë, drejtuesit vendor u bënë edhe më të rëndësishëm për të menazhuar situatën, por edhe të lidheshin politikisht me njerëzit.

Kurse këtu vijojnë me kandidatë të importuar, ndaj edhe ka abstenim të madh. Në shkodër për shembull votojnë gjithmonë më pak se 40% e qytetarëve me të drejtë vote…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!