Ylli Pata: Kostot politike të devijimit anti-amerikan për hallin e Berishës

Ylli Pata: Kostot politike të devijimit anti-amerikan për hallin e Berishës

Sali Berisha

Me largimin e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike, ranë edhe maskat e grupit mbështetës të Sali Berishës në betejën 6 mujore për të marrë sundimin e opozitës në vend.

Nuk ka më as luftë për statutin, as rithemelim, e as kthim tek respektimi i rregullave brenda opozitës, apo rikthimin e të larguarve nga Basha. Ka vetëm “zaptim” të selisë, posteve e strukturave nga ish-kryetari 77 vjeçar që shpalli largimin nga politika në verën e vitit 2013.

Krejt ashiqare, pa u skuqur a zverdhur, njerëzit e “Komisionit të Rithemelimit” thonë që nuk ka pasur një hierarki në këtë komision, ndërkohë që më 11 dhjetor shpallën kryetarin, strukturat që do të ishin provizore deri më 22 mars.

Njerëzit që e përkrahin Sali Berishën, apo që kërkojnë të përfitojnë nga ai për të bërë karrierë në Partinë Demokratike, e justifikojnë këtë mësumje të liderit të tyre me shprehjen: “kjo është metoda e Berishës, dihet më”.

Pra, mungesën e një procesi politik qoftë për pajtim apo bashkim në PD ata e justifikojnë me një frazë që e përdorin në panele televizive: “PD është në dorën e Sali Berishës, ai e ka marrë partinë”.

Të gjitha fjalët për bashkim e diskutime, duket se kanë qenë thjesht pallavra, siç dhe historikisht ka vepruar Sali Berisha për 30 vjet në politikën shqiptare.

Mendoni për një moment, sikur Partia Demokratike të kishte fituar zgjedhjet e 25 prillit, natyrisht së bashku me LSI-në e Ilir Metës?

Do të ndodhte fiks ajo që Edi Rama e përdori si slogan kryesor në fushatë: “Votoni Lulin, merrni Saliun e Liken”!

Sulmet, sharjet, akuzat ndaj Lulzim Bashës, Gazmend Bardhit, Enkelejt Alibeajt etj, të cilët janë drejtuesit e Partisë Demokratike prej vitesh tashmë, tregojnë se realisht nuk kemi të bëjmë me një marrëdhënie politike normale në opozitën politike të dominuar nga Sali Berisha. Por një grup politiko-financiar, i cili kërkon thjesht kthimin në pushtet. Sipas një aksiome që duket ishte bërë një rregull i pashkruar në këtë vend: 8 vjet pushim e 8 vjet në pushtet.

E gjithë kjo gjuhë e aksion i helmuar ndaj njerëzve që kanë në dorë institucionet zyrtare të Partisë Demokratike, nuk është gjë tjetër, veçse arma politike berishjane që ai di të bëjë dhe e ka praktikuar për 30 vjet me radhë në këtë vend. Me synimin për të larguar një palë dhe për të marrë në dorë gjithçka brenda opozitës; selinë, organet e natyrisht mekanizmat që kontrollojnë aksionin kyç të opozitës politike.

Ndërkaq, për çështjen më të rëndësishme e thelbin e gjithë kësaj zallamahie, pra nëshkimin e Sali Berishës nga qeveria e SHBA si Non Grata për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë, flitet krejt përciptas, ndërkohë që është kryetema që duhet të diskutohet.

Megjithatë, ata që rreken ta diskutojnë tek grupi që mbështet Berishën, kanë tezën se ndëshkimi i Berishës nuk ka ngjitur tek baza e Partisë Demokratike, dhe e ka kthyer doktorin në “viktimë”.

Dhe shtrojnë argumentin se qasja anti-amerikane në një pjesë të bazës së PD-së ka ardhur për faj të qeverisë së SHBA-së, e cila ka ndëshkuar doktorin.

E gjitha kjo retorikë që tashmë ka kohë që tirret e thuret në mediat pranë Berishës e panelet e darkës, nuk është gjë tjetër veçse një skenar i përgatitur nga lart dhe jo një ide e ngjizur politikisht.

Sali Berisha dhe Ilir Meta, nisën ngjizjen e një opinion të komanduar e të sponsorizuar kundër zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së, pikërisht kur nisi reforma në drejtësi, e cila si pjesë kyçe të saj kishte luftën ndaj pandëshkueshmërisë. Natyrisht që duke u aplikuar gjatë, edhe me intensitet në media e rrjete, kjo do të sillte një pasojë, por kryesisht tek një pjesë kaotike e zgjedhësve, të cilët janë ende të fiksuar pas Berishës.

Megjithatë, ky aspekt, pra zemërimi i një shtrese militantësh të etthshëm ndaj qeverisë amerikane, është një pasojë krejt e padëmshme dhe kalimtare. Siç ka ndodhur në vitin 1990 me nostalgjikët e Enver Hoxhës. Problemi në këtë rast është se në opozitën e qendrës së djathtë në Shqipëri, nga lart është instaluar një qasje antiamerikane. Një qasje, që publikisht nuk pranohet nga Berisha dhe përkrahësit e tij, që thonë se ata janë proamerikanët më të mëdhenj. Por çdo ditë, nxisin fanatikët e tyre të sulmojnë në faqen e ambasadës amerikane ambasadoren në Tiranë, zyrtarët e DASH, Sekretarin e Shtetit dhe Presidentin Biden.

E gjitha kjo ka një kosto politike, që i kushton shtrenjtë opozitës, por edhe vendin në përgjithësi. Në vitin 1990, Ramiz Alia dhe krerët komunistë të vendit që e kishin sharë SHBA-në për dekada, firmosën rihapjen e marrëdhënieve diplomatike, e promovonin politikisht një aleancë të re me Uashingtonin.

Edhe pse SHBA mbrojti e mbështeti hapur opozitën e re antikomuniste në Shqipëri, drejtuesit e PS-së nuk nisën një politikë anti-amerikane. Brenda kupolës së PS-së në vitet e para pas 1990, kishte një dyzim për intensitetin e partneritetit me SHBA-në. Disa si Servet Pëllumbi përshembull përkrahnin më shumë marrëdhënien me Europën dhe nuk ishin entuziastë për hyrjen e Shqipërisë në NATO, e disa të tjerë që përfaqësoheshin në media prej Pandeli Majkos ishin përkrahës të zjarrtë të një partneriteti të ngushtë me Amerikën. Por kjo situatë zgjati 2-3 vjet. Pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, e sidomos me ardhjen në pushtet në vitin 1997, socialistët nuk patën dilema në lidhje me partneritetin me SHBA-në. E kjo politikë natyrisht që solli fryte edhe për zyrtarët e kësaj partie që drejtuan qeveritë në vitet kur PS-ja ishte në pushtet. Si për Fatos Nanon, Pandeli Majkon, Ilir Metën etj.

Ndërkaq, Sali Berisha nuk e ka të re qasjen anti-amerikane. Në vitin 1997, vendosi kreun e shërbimit sekret, Bashkim Gazideden të akuzonte CIA-n në sallën e Parlamentit se do të rrëzojë PD-në dhe t’ja japë jugun e Shqipërisë Greqisë. Edhe atëherë fanatikët patën spazma të ethshme kundër SHBA-së, e diplomatëve të tyre. Këta paramilitarë sulmonin në kor me fjalët më të ndyra ambasadoren e atëhershme amerikane në Tiranë, Mariza Lino, të cilën Berisha e cilësonte si mbështetëse e Fatos Nanos në atë kohë.

E kjo politikë e mpaku dhe e rrudhi PD-në, duke mos i dhënë mundësi për të rrokur pjesën jo militante të elektoratit shqiptar.

Në vitin 2005, Sali Berisha, e kuptoi se nuk kishte rrugë tjetër, e me ndihmën e një numri të madh lobistësh e këshilltarësh imazhi investoi në krijimin e opinionit se PD po hapej, por rikthente të larguarit dhe braktiste qasjet anti-amerikane. Në momentin kur Berisha u bë kryeministër dhe u takua me Bushin apo edhe zyrtarë të lartë të SHBA, paramilitarët dhe fanatikët e zjarrttë e kthyen pllakën dhe u bënë proamerikanët më të zellshëm.

Ndërsa tani, sërish u rikthyen në 1997 e hedhin tezën se SHBA ndëshkoi Berishën për interesat e tyre politike. Po çfarë interesi mund të ketë SHBA për të ndëshkuar Berishën? Çfarë fiton një superfuqi ekonomike, ushtarake, politike e kulturore e botës për tu marrë me një politikan në perëndim karriere në një vend të vogël ballkanik, që është më i vogël se shteti i Maryland-it?( siç e thonë mediat amerikane shpesh kur përmendin Shqipërinë).

SHBA është një vend shumë serioz kur flet për angazhime politike dhe natyrisht diplomatike e ekonomike, siç janë natyrisht edhe vende të tjera të rëndësishme botërore. SHBA përfaqëson botën e civilizuar perëndimore që mbron disa vlera, të cilat politikanë si Sali Berisha i thyejnë ato. Por ndëshkimi i Berishës është një problem krejt personal i tij, që nuk ka pse ndikon në politikën shqiptare.

Sikur Sali berisha do të donte të bënte betejën e tij në mediat e SHBA apo edhe në opinion për të mbrojtur veten në raport me Non Grata-n, mund ta bënte fare thjesht. Duke mos pasur një rol politik, kishte gjithë lirinë e tij për tu marrë me heqjen e njollës, megjithëse është një utopi fund e krye.

Por ai u rikthye në PD e u kacavor për të marrë kreun e opozitës në luftën e tij me qeverinë e SHBA-së, një akt që i jep kosto të lartë dhe afatgjatë si opozitës e të djathtës shqiptare, por edhe vendit. Është një betejë që nuk ka lidhje me dinjitetin apo “sovranitetin”, terma që politika shqiptare e në radhë të parë Berisha i kanë fshirë në këto 30 vjet. Por thjesht një problem personal e familjarë, për të cilin po merr zvarrë të ardhmen e PD-së…/ Gazeta "Tema" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vaso: 14/04/2022 09:54

    Ndonje koment per pacavuren qe nxjerr padron Rama ndaj raportit te DASH per korrupsionin apo vetem Salen u kap si stacion radioje???

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë