Mjedisi radikal opozitar në Shqipëri është interesant, madje shumë interesant pasi është detyruar të shpërndajë një narracion të sforcuar, legjenda urbane të pafund dhe fantazi të shfrenuar.
Vetëm e vetëm sepse ashtu siç është, ky formacion stonon, nuk mund të dalë pa filtra Instagrami apo tik-toku para publikut. Thjesht sepse liderin e ka të ndëshkuar nga Perëndimi dhe të pandehur zyrtarisht nga SPAK.
Megjithatë, Sali Berisha me partinë e tij me vulë dhe deputetët e 2021-shit, ka arritur të marrë një primat mediatik të opozitës, i cili realisht nuk mjafton në bindjen edhe të militantëve radikalë. Të cilët, edhe pse radikalë, janë me sy, veshë e mendje që kuptojnë shumë mirë çfarë po ndodh.
Kuptojnë jo vetëm paktet e Sali Berishës me Edi Ramën për mbylljen e listave siç ndodhi nga vendimi i Kushtetueses, apo edhe nga amnistia e përbashkët e të dënuarve apo të akuzuarve nga SPAK. Por kuptojnë edhe aferat ekonomike dhe financiare për kulla e interesa ekonomike.
E siç ka ndodhur këto 34 vjet, kur kemi parë ethet e arit të John MCcgou-t, çekut të bardhë e lloj-lloj thagmash, nuk kanë mbetur prapa edhe sot përrallat dhe legjendat e netëve të dimrit.
Nuk është një, por ka disa, që po t’i dëgjosh, natyrisht që edhe mund të argëtohesh, por kur mendon se këto në mos i besojnë por i artikulojnë militantë të opozitës, kupton se ka arsye përse arsyeja s’puth në këtë nahi.
Legjenda më e çmendur dhe ekstreme është mjaft argëtuese. E dalë nga “shërbimi sekret i enturazhit të doktorit” ngjan si përralla me arin e John MCcgou-t n 1992.
Por që përsëritet ditë për ditë nga agjipropët dhe militantët e zellshëm, aq sa kanë mbetur në terren. Sipas kësaj legjende, në 21 janar, Edi Rama ikën, madje rrëmbehet me helikopter nga amerikanët, kurse doktori edhe pse është non grata e s’ka vizë, do të marrë pjesë në inagurimin e Donald Trump përpara Kongresit të SHBA-së.
Altin Dumani do të shkarkohet së bashku me prokurorët e tjerë të SPAK e në krye të institucionit që do të quhet “Me duar të pastra” do të vihet Argita Berisha. Edhe pse fantazmagorik, ky version qarkullon prej javësh në mjediset fanatike të berishianëve në terren, ku natyrisht edhe ata që e përsërisin nuk e besojnë.
E përcjellin thjesht si një taktikë diversive, disa pa ndonjë koshiencë se pse, disa që e dijeninë mirë se e gjitha kjo bëhet për të balancuar tërë atë mal akuzash e problemesh ndaj doktorit.
Por përveç këtij version “ekstrem” ka edhe një version “liberal” apo “centrist” sipas të cilit, Sali Berisha, në bashkëpunim me amerikanët do të zgjedhë një kandidat për kryeministër, që vjen nga Uashingtoni. Madje i kanë gjetur edhe një emër dhe mbiemër. Nanaj e ka mbiemrin, e thonë vjen nga Durrësi. Si trageti që do të sillte ndihmat në vitin 1992 pas fitores së PD-së.
E gjithë kjo narrativë vjen natyrisht nga një thatësirë totale idesh dhe një moral i rrëzuar i mbajtjes me dhunë o thjesht të një dinosauri politik siç është Sali Berisha, por i një të akuzuari për korrupsion dhe i ndëshkuari nga SHBA dhe Britania e Madhe për tre njollat më të mëdha që një politikan mund të mbajë në ballë: korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë.
Për një mendjen normale e gjitha kjo duket një fantazi apo budallallëk, por ja që ndodh dhe po ndodh përditë politikisht në një zhvillim, ku siç po shikohet do të shkojmë më 11 maj për të pasur si alternativë: Riciklimin apo katërmandatëshin. /TEMA/