Revolucioni i Flamingove të Tiranës ishte një rast i artë për shumë faktorë dhe aktorë. Për sponsorët e mëdhenj që sollën kolosët e mediave liberale botërore, që ta përdorin si metaforë e revolucionit ndaj oligarkëve, linjë që shkonte me librin e prezantuar të Benie Sander në Europë.

Ishte një rast i artë për qarqet që i duhej kauza anti-Trump për një “armëpushim” të shkurtër, siç ishin pasdaranët e Gardës Revolucionare të Iranit, të përfshirë në një luftë shumë komplekse. Ishte një rast i artë për islamin politik që po përgatitet herët për të zbritur në politikë këtu, siç e bëri në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje në Kosovë, formula trendi më e fundit e ngjizjes së socialistit antikapitalist me islamin është zbatuar që në vitin e parë të ekspansionit të Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

I cili, largoi shumë themelues të Vetëvendosjes, pikërisht se bënë betejë me radikalët muslimanë. Gazetarja Alma Lama, është pionerja e parë që pësoi linçimin masiv të makinës së baltës së Albin Kurtit.

Alma Lama, një gazetare e njohur në Prishtinë, si korespondente dhe shefe e zyrës së Top Channel atje, u bë ndër mbështetëset e para ëë Vetëvendosjes, nga radhët e së cilës u zgjodh edhe deputete. Më pas, u vu nën sulmin agresiv të hoxhallarëve influencëra, që sulmonin figurat kombëtare shqiptare dhe Perëndimin në ligjëratat që zhvillonin në xhami. Alma i kërkoi Albin Kurtit të zgjedhë ndërmjet hoxhallarëve dhe thelemueses së Vetëvendosjes, e kreu i partisë zgjodhi radikalët.

Flamingo Revolution, ishte jo vetëm një rast, por u përdor me një plan të qartë nga qarqet e islamit politik, që të promovonin axhendat e tyre dhe shtynin përpara personazhet që mbushin prej vitesh panelet televizive të maskuar si “ekspertë” gjithfarësojësh.

E majta radikale amerikane dhe perëndimore, Irani e Islami politik ishin të involvuar në “fushatën ajrore” të bombardimit, kryesisht me mediat e mëdha dhe rrjetet sociale, duke përfshirë edhe luftën hibride me video fake të bërë nga Inteligjenca Artificiale.

Ndërkaq “këmbësoria” e betejës 2 mujore të Tiranës ishte një pjesë e mbushur me njerëz të Albin Kurtit në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, por pjesa më e madhe ishin qytetarë shqiptarë.

Ku dominonin kundërshtarët klasikë politikë të Edi Ramës ndër vite, si dhe një numër i rëndësishëm kundërshtarësh rishtarë, të pakënaqur nga mjaft zhvillime brenda mazhorancës.

Në këtë skenë, ku hapësira ishte goxha e madhe u hodhën edhe politikanët të ashtuquajtur të rinj, krerët e partive të vogla, tashmë prej vitit 2025, me deputetë në Palament.

Ishte në realitet shesi i tyre dhe mundësia për të marrë protagonizmin, por mbi të gjitha mikrofonin e komunikimit publik. Ku ishte mundësia të shpalosjes së ideve të tyre për “Shqipërinë e re”.

Duke pasur kështu mundësinë që të komunikojnë jo vetëm me auditorin e protestës, por mbi të gjitha me publikun e gjerë. Pasi fati i madh ishte se të gjitha ditët protesta trasmetohej live në shumicën e televizioneve shqiptare.

Por, asnjëri prej politikanëve “të rinj” nuk u ngjitën në tribunë, ama shpërndanin video në mes të protestës, duke dhënë të kuptojnë se ata jo vetëm janë, e mbështesin, por kanë peshë. Mesazhet ishin të tipit: Tani Edi Rama ka mbaru, populli do të marrë para, Rama ka mbaru, e batuta të tilla që janë më shumë kore militantësh.

Kështu, politikanët ishin më shumë influencërë, thuajse në një linjë me vajzat e showbis-it që në ditët e para u kthyen edhe në object beteje nga Edi Rama, ngase ishin bërthama virtuale e revolucionit.

Faktikisht, këtu ka një kleçkë e pa sqaruar mirë, e cila çdo ditë po shpjegohet nga emra të njohur të protestës në komunikimet e tyre. Të cilët theksojnë se në podiumin-shkallë të Flamingo Revolution, ekzistonte një politikë e mbyllur e dhënies së mikrofonit. Gjë që tregon se shefat realë të revolucionin nuk kanë dashur që podium të bëhej një shesh për promovimin e politikanëve të “klasës së re”. Nga ai podium, jo vetëm që asnjë politikan i ri nuk u promovua, por pati një metamorfozë tragjikomike që u kthye në meme.

Megjithatë, edhe nëse është e vërtetë që podiumi ishte jo miqësor me ta, hapësirat e debatit janë të shumta.

Madje edhe në Parlament, politikanët e rinj e shfrytëzonin si një mundësi për reels, jo një diskutim shterues mbi atë që çfarë mund dhe duhet të jetë Shqipëria politikisht, përpos largimit të kësaj mazhorance, ç’ka për ta është e natyrshme.

Politikanët e sotëm, në të gjithë botën e kanë hapësirën digjitare si një platformë bombardimi të opinionit, ku luajnë me batutën e shkurtë dhe trullosëse, taktikë që kërkon një punë të kualifikuar për të hyrë në kokën e njerëzve.

Reels-et, qoftë ata reale, qoftë ata që ndërtohen me AI, janë një municion i rëndësishëm i divulgimit, por politkanët që po dallojnë sot, sidomos nga krahu populist, janë të aftë në ndërtimin e një platforme politike reale se kush janë dhe ç’duan të arrijnë. Natyrisht edhe në këtë lëmi ka mjaft hipokrizi, pasi bëjnë shumë moral kundër kundërshtarëve, kur vetë shpesh janë me shumë skelete në dollap. Siç ndodhi edhe tek ne jo vetëm me Agron Shehajn e pasurinë e tij.

Politika është sport i rëndë, e ndoshta arsyeja q ënuk doli një klasë e re nga Revolucioni i Flamingove, përveç të ashtuquajturit monopolizim, është edhe fakti se kjo kastë e re e dogji shansin e jetës./ Tema