Ylli Pata: Pse Berisha e ka humbur vulën politike të Partisë Demokratike!

Ylli Pata: Pse Berisha e ka humbur vulën politike të Partisë Demokratike!

Sado që prej një viti tentohet të jepet një realitet krejt fals dhe i fryrë prej mediave të mëdha që mbështesin Sali Berishën, ai nuk është aspak lider politik i Partisë Demokratike dhe politikisht e ka humbur prej kohësh vulën e përfaqësimit të saj.

Vendimi skandaloz i Agron Zhukrit, dhe përpjekja e fryrë dhe artificiale për ta paraqitur Sali Berishën si kryetar i PD-së nga mediat e mëdha që janë pranë tij dhe Ilir Metës, është një tentativë dritëshkurtër që shumë shpejt do të shfryhet si një tollumbace me helium.

Berisha, përveç aspektit institucional të humbjes së çdo legjitimiteti përfaqësimi të PD-së, ajo që është më e rëndësishmja, është mungesa e çdo legjitimiteti politik brenda partisë më të madhe të opozitës.

E kjo jo vetëm nga tentativa për të kryer një puç në strukturat e PD-së, duke ngritur strukturat e tij paralele, por shkëputja thuajse organike dhe e pakthyeshme të lidhjes së tij dhe grupit që e rrethon me PD-në.

Dallohet fare qartë në çdo aktivitet të tij, ku si gjithnjë flet vetëm ai, mungesa e lidhjes organike me gjymtyrët e partisë. Nuk bëhet fjalë thjesht për grupin parlamentar, ku edhe pas disa aksioneve të rrumujshme, nuk arriti të vendosë kontrollin politik, apo edhe mungesën totale të legjitimitetit ndërkombëar, ku është krejt i izoluar, por edhe për një antagonizmi të fortë politik me gjymtyrët më të rëndësishme të PD-së.

Degët më të rëndësishme të Partisë Demokratike, të cilat janë natyrisht në një gjendje të rëndë stanjacioni, prej më shumë se një viti, po luftojnë më egërsisht me Sali Berishën e Foltoren e tij sesa me mazhorancën. Kjo sepse që nga 8 janari i vitit 2022, Sali Berisha ka ndërmarrë një sulm frontal: fizik, politik, shantazhe dhe kërcënime të çfarëdollojshme ndaj çdo drejtuesi apo përfaqësuesi politik të PD-së kryesisht në bazën e saj.

Pas dështimit të agresionit mesjetar për të marrë selinë më 8 janar, dhe tentativën për të marrë degët e PD-së në rrethe, duke katapultuar njerëzit e tij që nga degët e deri te seksionet, doktori është përballë njerëzve që kontrollojnë organizatat dhe gjymtyrët e partisë.

Por natyrisht, ajo që i vuri vulën humbjes politike të vulës, ishte dalja, garimi dhe përplasja kundër partisë që e ka drejtuar për 30 vjet, e cila e bëri president dhe kryeministër, në zgjedhjet e pjesshme të 6 janarit të vitit të shkuar.

Sado që ato zgjedhje provokuan dorëheqjen e Lulzim Bashës, dalja e Sali Berishës kundër Partisë Demokratike, ishte një gjest politik që në të gjithë ato bashki ku garoi me degët e PD-së, duke u strehuar te sigla e Ilir Metës, ishte një akt politik terminal dhe jo katalizator.

Nuk ka ndodhur në dialektikën politike në asnjë vend, që nëse dy pjesë apo liderë politikë që të garojnë ndaj njëri-tjetrit të bashkohen. Pasi zgjedhjet janë një aksion që nuk bëhen thjesht nga lart, pavarësisht se në Shqipëri si pasojë e centralizmit, kryesisht gjërat vendosen lart.

Zgjedhjet janë aksioni që përfshin politikisht njerëzit në bazë, si një logjikë normale të dëshirës për tu marrë me politikë.

Në qytetin e Shkodrës, Sali Berisha udhëhoqi një aksion politik tejet të mjegullt, pa një qartësi politike, por të orientuar në një ekuilibër forcash protopolitike lokale.

Që bazoheshin në një taraf të grumbulluar në vite nga ish-kryebashkiakja Voltana Ademi dhe grupi që përfaqësonte deputeti Agron Çela i ish-drejtues i LSI-së në qark.

Shto këtu edhe përkrahjen indirekte të mfeshtësisë së PS-së dhe “indiferencës” së faktorëve të tjerë lokalë, në radhë të parë të socialdemokratëve të Tom Doshit.

Fitorja e Bardh Spahisë, e cila dukej që atëherë më keq se një fitore e Pirros, sot është kthyer në një boomerang gjigand. Pasi gjymtyra tjetër që e mbështeti, grupimi i Agron Çelës ka kaluar me Partinë Socialiste.

Të dehur nga “fitorja” njerëzit e foltores larguan të gjithë njerëzit e rëndësishëm të PD-së në bashkinë Shkodër, duke nisur nga nënkryetari, i cili përfaqësonte një nga zonat më të rëndësihme të bashkisë që ka votuar për PD historikisht-Dajçin.

Në territorin e bashkisë, Dajçi ishte e vetmja zonë rrhethinash përveç qytetit, që ishte hambar i votave të PD-së. Dukagjini, Velipoja, Rrethinat apo edhe Bërdica, kanë lëvizur prej kohësh dhe shkojnë sipas temperaturës së faktorëve lokalë.

Sot PD-ja e Shkodrës është pa asnjë mundësi përfaqësimi në bashki, pasi gjysmën e kanë njerëzit që përfaqësohen nga grupi i Çelës, këshillin bashkiak e ka PS-ja, thjesht foltorja ka kryetarin, i cili i ka duart e lidhura politikisht dhe ka përzënë sa u ul në karrike të gjitë demokratët atje.

Kështu në fakt është gjendja në çdo bashki të vendit, ku tollumbacet e të ashtuquajturave primare që u bënë sekondare e më pas tercare janë shfryrë me kohë.

Që nga Dibra, në Kamëz, Mallësi të Madhe, Lezhë, Kurbin etj, degët e PD-së kanë piketuar madje edhe emrat për kryetarë, duke u distancuar nga Foltorja. Njerëzit e të cilës vetëm ziheshin, madje edhe me armë si në Laç, nga stresi që nuk kishin qasje në strukturat lokale të Partisë.

Sali Berisha, normalisht që ka ndjekës dhe influencë, e kjo do të ndodhë për një kohë të gjatë. Pushteti i tij i gjatë, lidhjet piramidale e tribale, por edhe zotërimi i sasive të konsiderueshme të mundësive financiare, nuk është vështirë që të mbajë me vete njerëz që t’i sjellë nëpër sheshe. Sot pas 40 vjetësh nga vdekja e tij, ndjekës që dalin në mitingje ka edhe Enver Hoxha në Shqipëri.

Apo si rasti i Vojislav Sheshelit në Serbi që rrekej rrugëve me turma me bluzën e Donald Trumpit, me shpresën se do ta përfillë dikush, por që s’ja fërshellej njeri.

Por këto ndjekës nuk janë pjesë e PD-së, pavarësisht se kanë qenë deri më 21 prill 2021 votues të Partisë Demokratike dhe opozitës. Por pas shtatorit 2021, ata u bënë votues kundër PD-së. Gjë që ndodhi në 6 bashkitë ku i votua më 5 mars 2022 nën strehimin e formacionit të Ilir Metës.

Sali Berisha mund të krijojë një formacion të tijin politik së bashku me Metën, apo të rrijë sërish tek streha e tij politike, por kjo nuk do të thotë se përfaqëson PD-në.

Kjo turbullirë politike që shkakton Berisha me mjete marramendëse mediatike e financiare, do të kthjellohet pikërisht kur është koha e duhur-zgjedhjet. Ku ndahet shapi nga sheqeri. Mund të bojkotojë 14 majin, mund të nisë një turbullirë tjetër edhe pas tyre por gjithsesi një ditë sërish ujrat do të ktjellohen. Për të treguar realitetin e hidhur politik që është krejt i qartë por që s’duan ta pranojnë panelistët që gjithë këto vite nk ja kanë qëlluar asnjë lloj qasje apo parashikimi. Berisha me PD-në e ka mbyllur dhe ky nuk është akt administrativ, por fakt politik tashmë i formësuar. 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut