Vrulli, e më shumë zulmi apo viraliteti digjital në formë uragani i revolucionit të flamingove, është kthyer në një lëvizje.

E cila, duke qenë heterogjene, pra që ka brenda mjaft komponente politike dhe jo, erdhi si një lumë përpos njerëzor edhe virtual e mediatic jo thjesht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Një protestë, e cila edhe pse mund të jetë edhe qytetare, ajo nuk ishte aspak spontane, madje mjaft mirë e organizuar, ç’është e vërteta prej shumë kohësh. Si e tillë protesta është demonstrim civik, është kartolinë e humorit të publikut, është pasqyrë e ndryshimit social, intelektual, apo edhe gjeneracional i vendit.

Një protest e tillë, sidomos në një mjedis politik amorf siç është Shqipëria, edhe si e tillë është një ndryshim epik.

Por siç thonë mjeshtrat e politologjisë botërore, gjithmonë pas epizmit në një lëvizje apo revolucion, vjen hapi i dytë që është komikja e në fund tragjikja.

Thënë të vërtetën, këto dy hapat po vijnë përnjëhershëm e në revolucionin e flamingove, grupet e shumta të interest, rrymat, apo edhe personazhet që synojnë të marrin kreun janë më shumë se vrimat në djathin zviceran.

Logoja “Shqipëria e Re”, që duket sikur ka ardhur nga realizmi socialist, në fakt është një gjetje mjeshtrash që janë marrë fort me pranverat arabe, e u ka rekomanduar se duhen mesazhe të thjeshta, sa më të qarta, sa më të forta, që populli të shokohet. Edhe “plumbi mbi politikanët”, nuk duket se ishte një sjellje emocionale e Dritan Goxhajt në një studio televizive. Është gjithashtu një klishe që “kardashët” që përveçse revolucione shkretëtirash merren edhe me skenare telenovelash epike, e përdorin fort.

Megjithatë, përtej zhurmës mbi personazhin e liderit të Flamingove, të cilin e bënë hasha që ditën e parë, e sërish fermani ka mbërritur nga lart e nga larg, çështja tjetër e “çuditshme” ishte “Paketa”. Jo ajo e Dritanit, e cila ishte mjaft më interesante, por ajo që zoti Goxhaj deklamoi në protestë.

E cila nuk është gjë tjetër veçse paketa e doktor Saliut, e cila na ka mbirë në bark që me protestën e armëve kimike. Domethënë o qeveri teknike pa Edi Ramën, o s’ka zgjedhje, e cila është si mishi në pjatë, plus sallaturinat e garniturës.

Po si ka mundësi që gjithë kjo lëvizje nuk hartoi një paketë më të ndryshme, ku përveç logjikës së qeverisë të kishte një vision apo ide sesi ata duan “Shqipërinë e Re”.

Tashti, duket se profesorët e protestës, nuk se kanë ndonjë draft, por nga lart e nga larg, ende nuk ka ardhur ndonjë gisht kartë në lidhje me këtë gjë. E kjo duket se nuk është aspak rastësi, ashtu siç ishte ai provokimi krejt pa lidhje me ambasadën amerikane, siç ishte caktimi i protestës më 4 korrik, apo prania e elementëve të spikatur antiperëndimorë në vitrinën e Revolucionit.

Më shumë sesa përmbajtja e Paketës, mjeshtrave të pranverave arabe ju pëlqen më shumë forma, simbolika, e mbi të gjitha kopertina. Të cilën në fillim të saj e qepën për mrekulli, por me kalimin e ditëve kërkohet diçka tjetër që ndez, apo kërkojnë nga lart e nga lart që të ndezi. Dhe fabula anti-amerikane, duket se u pëlqen mjaft, ndaj po gjejnë si gjilpëra në kashtë provokime që të ndezin./TemA