Ylli Pata: Pse ndodhi e çfarë do sjellë dorëheqja e Lulzim Bashës?!

Ylli Pata: Pse ndodhi e çfarë do sjellë dorëheqja e Lulzim Bashës?!

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Duket e panevojshme që disa mbështetës të gjatë mediatikë të Lulzim Bashës, që i japin dorëheqjes së tij nota “heroike”.

Është “akt emancipues” tha një panelist e drejtues medieje, mbështetëse e fortë e ish-kreut të PD-së. E parë sin ë “të nxehtë”, por edhe sot nga një largësi më relative prej dy ditësh, akti i Lulzim Bashës nuk ka asgjë “emancipuese” apo “heroike.

Ai është një zhvillim politik, e si i tillë duhet parë e qasur në analizën e tij, të shkaqeve, rrethanave, por edhe pasojave që do të sjellë ai.

Një tezë që po qarkullon në diskutimet e paneleve, është ajo që largimi i Lulzim Bashës ka ardhur si pasojë e asaj që shumica e bazës së PD-së ishte me Berishës, ndërsa vetë ish-kreu i PD-së tha se e bëra për të mos ndarë më shumë partinë.

Realisht, shkaku kryesor i dorëheqjes së Bashës ishte presioni që i erdhi nga një grup i madh deputetësh, të cilët ja vendosën këtë kërkesë në mënyrë ultimative. Nëse nuk do të ishte ky presion që u përfaqësua nga Grida Duma, por që dukej se përbënte qëndimin e disa grupeve të interesit në PD, dorëheqja nuk do të ndodhte.

E këtu duhet nisur realisht kërkimi i shkaqeve që çuan në agresivitetin “akut” të këtyre grupeve ndaj Lulzim Bashës.

Këto deputetë që e kërkuan me urgjencë largimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës, ishin pikërisht ata që e mbrojtën me forcë pas largimit të Sali Berishës më 9 shtator, ata që i qëndruan pranë në sulmin e egër të 8 janarit në selinë e PD-së.

Po atëherë, përse pas 6 janarit, jo thjesht e braktisën por janë gati edhe për një “amnisti morale” për Sali Berishën siç tha Grida Duma?

Dhe pikëpyetja tjetër që ngrihet: përse krerët e degëve dhe kandidatët për kryetarë bashkish më 6 janar ishin kundër dorëheqjes së Bashës dhe sulmuan ashpër grupin e deputetëve që kërkuan largimin?

Përgjigjet mund të kenë disa versione, por fakt është që pas 9 shtatorit, ndërsa Sali Berisha bëri “njësh” siç di të bëjë ai fronti pro tij e kundër Lulzim Bashës, ky i fundit, nuk u tregua koherent në strategjinë e tij pas vendimit shumë të fortë që mori ndaj Sali Berishës.

Ndërsa mori përsipër t’i përgjigjet agresionit fillestar të Foltores që kishte për objektiv delegjitimin e organeve drejtuese të PD-së, me anë të “Kuvendit të 11 dhjetorit”, e më pas agresionit të dytë që ishte sulm fizik dhe barbar ndaj selisë së PD-së, Lulzim Basha nuk bëri asnjë ballafaqim politik me bazën dhe votuesit e PD-së, në lidhje me vendimin e tij për të “vrarë babain”.

Partia Demokratike ka 30 vjet që drejtohet nga e njëjta dorë, madje me dorë të hekurt, ku çdo zë ndryshe është larguar, sulmuar, madje edhe agresuar e linçuar. Strukturat e Partisë Demokratike janë “spastruar” sa herë ka pasur “grupe armiqësore”. E këtu nuk flitet për “grupet armiqësore” të viteve të para me “Neritan Cekën, Gramoz Pashkon, Shahin Kadarenë, Spartak Ngjelën, Arben Imamin, Preç Zogajn, Perikli Tetën, Ritvan Peshkëpinë, Preç Zogajn, etj etj”. Por po flasim për “grupet armiqësore” pas vitit 2005 e deri më sot. Që nga Bamir Topi, Ilir Rusmali, e deri te Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode etj etj. Të cilët janë linçuar nga selia blu, pasi kanë shfaqur opinionin e tyre ndaj udhëheqjes së PD-së.

E duke qenë një parti e tillë, e shoshitur vazhdimisht e deri në rrënjë nga Berisha, dihej që strukturat ishin pjesë e logjikës berishiste të funksionimit të PD-së. Në rastet kur struktura të ndryshme, sidomos ato të Shkodrës, patën një kurajo të fortë për të marrë përsipër mbrojtjen e vendimit të “fortë” të Lulzim Bashës, tregoi se njerëz që drejtonin këto struktura morën përsipër rriskun, duke treguar cilësi lidershipi.

E kjo nuk ndodhi vetëm në Shkodër, por në shumë qendra të “planetit demokrat” ku njerëz me identitet të fortë të djathtë dhe antikomunist morën përsipër të dalin hapur për të shpalosur idetë që ata i kanë pasur gjithmonë. Siç ishte rasti i Roland Bejkos edhe të tjerëve, që në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit shpalosën qartë idenë e “deberishizimit” të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare.

Duhet thënë, se më shumë se në strukturat e PD-së, këto qëndrime e zëra gëlojnë në radhët e mbështetësve e votuesve historikë të PD-së por që nuk janë anëtarë. Njerëzit që morën përsipër ta përçonin deberishizmin u gjendën pranë një agresioni edhe fizik, siç ndodhi me Roland Bejkon në transmetim live më 8 janar, por edhe me shumë të tjerë në zona të ndryshme të vendit. Por si Bejko, ashtu edhe kryetari i PD-së i Shkodrës, por sidomos kandidati për kryetar bashkie, Xhemal Bushati, morën përsipër t’i mbronin me kurajo këto vendime, pa ju trembur konseguencave.

E të gjithë këta njerëz, së bashku me të tjerët që i mbështesnin hapur dhe në heshtje, si Basha, ashtu edhe drejtuesit e tjerë të PD-së, i lanë vetëm. Në kuptimin se nuk pati një ballafaqim të fortë politik. Për shembull në Shkodër, ku dhe pesha e 6 marsit ishte edhe më e madhe, ndërsa Sali Berisha dhe grupi i tij i “Shtëpisë së Lirisë” zhvilloi një fushatë elektorale aktive, agresive dhe reaktive, të përditshme, madje edhe me ndihmën e bashkisë së Shkodrës e kryebashkiakes Voltana Ademi, Lulzim Basha dhe udhëheqja e PD-së, shkoi vetëm një ditë, ku sheshi kryesor i qytetit u mbush plot.

Kandidati i PD-së për bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati, ka bërë të ditur se ai ka pasur kundër në 6 mars shtetin, administratën, qeverinë, Berishën, LSI-në, Ilir Metën, bashkinë e Voltana Ademinin. E kjo është totalisht e saktë.

Të gjithë këta njerëz që i besuan qëndrimit properëndimor të Lulzim Bashës dhe e e mbrojtën këtë ide, sot janë të “dekonspiruar” ndaj “talibanëve” që janë gati të nisin hakmarrjen. Më shumë sesa fati personal i tyre(që në fakt ka rëndësi gjithashtu), peshon koherenca e një vendimi, i cili në vetvete u duk se ishte fillimi i europianizimit të Partisë Demokratike. Jo thjesht sepse ishte ndëshkuar Sali Berisha, por sepse po niste ndarja nga berishizmi. E kjo frymë sipas të gjitha gjasave do ta hapte PD-në dhe do të ndikonte në tërë politikën shqiptare.

Ndaj pasoja më akute e dorëheqjes së Bashës, përveç frenimit të hapjes së PD-së dhe “negociatat” me radikalëve, do të jetë rënia e entuziazmit për një freskim të politikës dhe një efekt politik që përkrah goditjen ndaj pandëshkueshmërisë e ndaj njerëzve të pushtetshëm për 30 vjet.

Ky është në fakt pasoja më fatale e dorëheqjes së Lulzim Bashës, i cili krijoi një iluzion se një segment i politikës është gati të jetë në krye të një aksioni ndaj “Peshqve të Mëdhenj”.

Natyrisht nga opozita. Sepse nëse rikthehet revanshi i radikalëve, Reforma në Drejtësi konsiderohet si një e keqe e madhe. E kështu, i kanë rikthyer Edi Ramës dhe mazhorancës, peshën e garantuesit politik të Drejtësisë së re…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur