Ylli Pata: Rrëfimi i “rikthimit të dinosaurve” politikë si telenovelë turke

Ylli Pata: Rrëfimi i “rikthimit të dinosaurve” politikë si telenovelë turke

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Ndërsa pas shpalljes non grata nisi një mani e tregimeve me herkulë e cikllopë, ku Sali Berisha paraqitej si një fuqi e legjendave antike, që hante me gjithë lecka të birin e vet, tani i janë kthyer të shkuarës si “kohë e lavdishme”.

Që prej vitit 2013 nga njerëzit që mbështesin Sali Berishën është thënë se ai është larguar, por siç doli, i gjithë ky narracion ishte një fantazi, një trill i krijuar për ta mbajtur publikun me një fabul sa më shumë kreative.

E gjithë politika që ka nisur që prej humbjes së zgjedhjeve të 2013-s, më pas në 2015-n, 2016-n, përplasjen e frikshme për reformën në drejtësi, zgjedhjet e 2017-s, betejën për Llallën në 2018-n e me radhë në djegien e mandateve, zgjedhjet vendore të 2019-s e më pas ata të 2021, ka qenë një fantazi e shfrenuar se si e si të mbajë një statusquo që ka si bazë Sali Berishën lider të PD-së dhe kryeministër, dhe Ilir Metën, numrin dy të tij.

Një fabul që dihet, është diskutuar e votuar, stërthënë e debatuar, por që u shpërfaq fort vetëm kur Lulzim Basha vendosi ta prishë këtë narracion, duke përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar si pasojë e shpalljes non grata nga SHBA, e prodhoi një zhvillim të rëndësishëm brenda Partisë Demokratike, pra strukturave të saj, por edhe shoqërisë opozitare-votuesve të përhershëm të PD-së, por edhe partive aleate të saj ndër vite.

Situatë, që ka sjellë si pasojë një zhvillim ndryshe nga ajo që tentohet të tregohet si fabulë e deformuar. Pra jemi në rastin e një ndarje brenda opozitës, që është një mundësi për të prodhuar një proces politik në të ardhmen.

Por edhe ndarje që ka si bazë dy botë të ndryshme, dy botë të kundërta; njëra e të shkuarës, dhe tjetra e së ardhmes. Natyrisht që pjesa e opozitës që është në armiqësi me Sali Berishën dhe detashmentin e tij është në sythin e saj politik, e kërkon kohën e vet për t’u fuqizuar.

Mirëpo është një pjesë e publikut në vend, e asaj që quhet koprus mediatik; i cili na jep një fabulë sikur nuk ka ndodhur asgjë, por ka vetëm një ngjarje: Sali Berisha është në krye të opozitës, e ka sfiduar të gjithë, madje edhe fuqinë më të madhe në botë SHBA-në, e tani është gati për të marrë drejtimin e qeverisë pas rrëzimit të Edi Ramës.

Që sipas këtij detashmenti, është “thjesht procedurë”. E, në këtë atmosferë  të rikthimit të dinosaurve Sali Berisha dhe Ilir Meta, përfaqësuesi më i vjetër i Jurasic Parc-ut shpalli sequelën më të re të romanit dhe filmit që prodhon çdo dy vjet nga një riekranizim, doli e foli për nismën më të re.

“Kur të vijmë ne në qeveri nuk do të ketë ka parashkrim për ministrat dhe anëtarët e qeverisë që akuzohen për korrupsion”. Por që tani, me reformën në drejtësi që Sali Berisha e ka kundërshtuar egërsisht, nuk ka parashkrim për veprat penale që ka kompetencë SPAK t’i hetojë.

Njëra nga këto është edhe tragjedia e Gërdecit, e cila është hapur pas disa betejave në gjykatë për ta mbyllur me procedurë. Megjithatë, blogerët e Foltores dhe mbështetësit mediatikë, kanë rinisur të shumfishojnë fabulën tashmë të stërthënë se “Sali Berisha është kryeministri më i mirë që ka pasur vendi”. Lubonja shkoi edhe më tej kur tha se nuk mund të përdoret “lufta ndaj të shkuarës” pasi e shkuara shpesh herë është më e mirë se e tashmja. Megjithë këtë frenezi për të sjellë si fabulë trendy serinë e kushedisatë të “Juasik Parc-ut” të politikës shqiptare, gjërat janë mjaft ndryshe.

Fuqia politike nuk matet në egërsinë e sulmit ndaj kundërshtarit, që duke shpallur armik synon të tregojë forcë reale, përkundrazi. Boris Johnson, deri para tre ditësh ishte njeriu më i fuqishëm dhe i pushtetshëm në Britaninë e Madhe, por një process politik brenda partisë e rrëzoi brenda natës këtë fuqi. E megjithatë forca politike e tij mbetet tek veprat apo vendimet që ka marrë si kryeministër i Britanisë së Madhe.

Një nga politikanët më të rëndësishëm e jetëgjatë të Japonisë, Shinzo Abe, vdiq gjatë një atentati makabër, por fuqia e tij tregohet tek trashëgimia politike që ka lënë dhe respekti që u trajtua nga kombi i tij që i bëri nderimin e fundit.

Ajo që ndodhi të enjte në protestën e Sali Berishës, nuk ishte gjë tjetër veçse një aksion politik i përgatitur nga ai për të treguar se ka mundësi dhe mekanizma për tu ngjallur politikisht. Duke pasur kundër një pjesë të madhe të partisë së tij dhe tërë fuqitë e mëdha të botës, nga SHBA dhe vendet e rëndësishme të Bashkimit Europian.

Realisht nuk pati asnjë risi, vetëm të quhet e tillë përshëndetja e Ilir Metës, sot nga selia e Presidencës. Numrat reale në politikë shikohen vetëm te vota, aty është forca specifike në politikë. Kërcënimi për dhunë apo përmbysje nëpërmjet dhunës pastaj, janë vetëm mënyrë që të fshehur impotencën politike.

Politikë e cila do të ndërlikohet edhe më edhe me hyrjen e Ilir Metës në hullinë e kësaj opozite, të cilët si njëri e si tjetri nuk do të jenë në prapaskenë duke lëvizur telat siç kanë ndodhur këto vite, por në shesh. i cili më shumë se teatër në fund është votë.

Të cilën si Berisha, e si Meta kanë humbur duke u fshehur, por njerëzit e kanë ditur se ata nuk kanë ikur, por janë njerëzit që quajnë fijet. Tani thjesht kanë rënë perdet dhe seritë e telenovelës së diosaurve shqiptare po jepen si serialet turke për trimëritë e “Osmanit”…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja