Ylli Pata: Tezat idiote dhe qesharake se Berisha e ‘hëngri’ nga DASH, se deshi të shpëtojë Kosovën

Ylli Pata: Tezat idiote dhe qesharake se Berisha e ‘hëngri’ nga DASH, se deshi të shpëtojë Kosovën

Sali Berisha dhe Albin Kurti

Kishte disa teza përshkallëzuese pas bombës së djeshme, ku për herë të parë një sekretar Shteti i SHBA, në veten e parë shpallte vendosjen në listën e zezë të njeriut më influent të politikës shqiptare për 30 vjet.

Një herë thanë se është thjesht mos dhënie vize, madje u përdorën edhe batuta se ish-kryeministri nuk shkon në SHBA po në Kanada, apo vende të tjera.

Vendosja e Berishës dhe e familjes së tij, në atë strukturë të zezë të DASH, e ka barazuar ish-presidentin e ish-kryeministrin me statusin e pushtetarëve, politikanëve, apo biznesmenëve që janë nën sanksione në SHBA dhe bllokadën e kanë totale.

Në këtë rang janë edhe disa politikanë rusë, aziatikë, afrikanë etj, të cilët jo thjesht nuk shkojnë në SHBA, por sanksionet e SHBA kanë një fuqi planetare.

Më pas nisën të lëshojnë tezat se vendimi ndaj Sali Berishës është bërë sepse ky i fundit ka luftuar kundër shkëmbimit të territoreve dhe SHBA e ka cilësuar Berishën një pengesë në “lojën e saj në Ballkan”.

Dhe kjo tezë u tha papushim jo vetëm nga Berisha dhe njerëz të medias së familjes Berisha, por edhe nga panelistë e analistë si Fatos Lubonja etj.

Një tezë që nuk ka as fundament, por që nuk e besojnë as idhtarët e teorive më të tmerrshme konspirative.

Kosova u çlirua në vitin 1999, pasi deshti ta bënte këtë SHBA.

E cila mblodhi të gjithë aleatët perëndimorë, i bindi ato, ndërkohë arriti të neutralizojë Rusinë që të kundërvihet.

Në këtë atmosferë ndodhi takimi i Rambujesë në vitin 1999, ku SHBA i kërkoi delegacionit kosovar që të firmosë marrëveshjen e Rambujesë.

Sali Berisha, atëherë kryetar i opozitës i bëri thirrje delegacionit shqiptar që të mos e firmosë marrëveshjen.

Delegacioni shqiptar, që e drejtonte Hashim Thaçi, ku bënte pjesë edhe Ibrahim Rugova, nuk e dëgjoi Berishën  e as Demaçin, por dëgjoi SHBA-në dhe e firmosi marrëveshjen.

Siç dihet SHBA ndërmori operacionin më të madh e të kushtueshëm ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore dhe e çliroi Kosovën.

Pas një situate administrimi ndërkombëtar, SHBA deklaroi se nuk do ta zgjaste më tërkuzën e Kosovës.

George Bush, jo më kot erdhi në Tiranë në vitin 2007, pikërisht më 10 qershor dhe deklaroi se “tani mjaft më, Kosovën do e shpallim të pavarur”.

Pas 8 muajve, Kosova u shpall e pavarur, sipas kufijve që Krahina Autonome Socialiste e Kosovës, kishte pasur nën juridiksionin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Prej dy vjetësh, SHBA ka ndërmarrë një tjetër proces të vështirë për aleatin e saj të ngushtë dhe shtetin që e lindi vetë në Ballkan: Kosovën.

Njohjen e saj nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Për të hyrë Kosova në OKB, duhet që të ketë konsensus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos.

Ky është një process mjaft delikat, i ndërlikuar, që ka mjaft vështirësi e të papritura, megjithatë SHBA është në rrugë për ta mbyllur.

Si administrate e Donald Trump, ashtu edhe ajo e presidentit të sotëm Joe Biden, kanë të njëjtin qëndrim për këtë.

Kjo situatë, pra negociatat apo procesi për të mbyllur njohjen e Kosovës nga Serbia, e rrjedhimisht anëtarësimin në OKB të saj, ka sjellë një protagonizëm të brendshëm dhe pronincionalizëm amatoresk nga liderë politik të Kosovës, si Ramush Haradinaj në fillim e Albin Kurti më pas, që u bënë madje edhe pengesë të një procesi që nisi SHBA.

Haradinaj, i cili e vonoi procesin me taksën e tij 100 përqind, sot është një politikan periferik, kurse Kurti fitoi zgjedhjet në shumicë plebishitare, e tani ka shansin të udhëheqë procesin.

Logjika se Sali Berisha ka qenë ndikues në këtë proces është totalisht një tezë pa thelb.

Sali Berisha nuk ka as mekanizmat e as autoritetin të ndikojë në asnjë proces.

Dhe si për ta përforcuar këtë, DASH i vuri vulën se ai nuk është një aktor, por “një lider i korruptuar që minon demokracinë në Shqipëri”…/ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë