Yllka Gjikopulli: Modernizimi i Muzeve në Shqipëri, Investimet dhe Sfida për qëndrueshmërinë e tyre

Yllka Gjikopulli: Modernizimi i Muzeve në Shqipëri, Investimet dhe Sfida për qëndrueshmërinë e tyre

Një nga muzetë në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar

Muzeumet e Shqipërisë , dikur hapësira të harruara dhe të degraduara, janë shndërruar në qendra të gjalla dhe moderne që tërheqin vizitorët. Restaurimet dhe modernizimet kanë sjellë një freskim të dukshëm, duke i përshtatur këto institucione me standardet e sotme dhe duke u ofruar një eksperiencë më të pasur për publikun.

Modernizimi i muzeve, që ka përfshirë ndërhyrje të rëndësishme në restaurim, muzealizim dhe teknologji, përbën një hap historik për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Nga ciceroni tradicional te implementimet multimediale, ky transformim shënon një epokë të re në mënyrën se si i qasemi historisë dhe artit.

Por, a jemi të përgatitur ta mbajmë këtë ritëm? A jemi gati të shfrytëzojmë në mënyrë të qëndrueshme këto investime, duke u siguruar që këto institucione të mos jenë thjesht hapësira të modernizuara, por qendra aktive e të pavarura në funksionimin e tyre?

Transformimi fizik i muzeve nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me një transformim të thellë konceptual dhe organizativ. Edhe pse teknologjia ka hyrë me guxim nëpër muret e këtyre institucioneve, përvoja ka treguar se përdorimi dhe shfrytëzimi i saj mbetet i paplotë, pa stafe të kualifikuara, si dhe pa politika të qarta për trajnimin e tyre. Nëse u referohemi modeleve evropiane, jemi ende shumë larg nivelit të tyre.

Një shembull konkret është Rijks Museum në Amsterdam, i cili, pas një restaurimi të thellë, krijoi një njësi të dedikuar për zhvillimin profesional të stafit të muzeut, duke kombinuar muzeologjinë me komunikimin dixhital dhe menaxhimin kulturor. Këto strategji tregojnë qartë se investimi në stafin e muzeut është po aq i rëndësishëm sa dhe investimi në infrastrukturë.

Një muze që aspiron të jetë një qendër bashkëkohore e kulturës dhe edukimit ka nevojë për një ekip të trajnuar jo vetëm në muzeologji, por edhe në teknologji, komunikim, menaxhim kulturor dhe marketing kreativ. Ajo që mungon sot nuk është vetëm infrastruktura – e cila po ecën me hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit – por një vizion i qartë për zhvillimin afatgjatë të muzeut si një institucion i fortë dhe i pavarur.

Një muze në Shqipëri duhet të shohë përtej funksionit të tij tradicional. Përpjekjet për modernizim duhet të shoqërohen me një strategji që e zhvillon muzeun si një qendër dinamike, të gjallë dhe me potencial për t’u vetëfinancuar. Pavarësia financiare është një sfidë që mund të tejkalohet vetëm përmes një kombinimi të mirë menduar të inovacionit dhe ndërlidhjes së tij me publikun. Nuk mjafton vetëm të implementosh inovacion, nëse nuk përdoret me strategji apo të përçohet tek publiku; ajo mbetet e pavlerë.

Një strategji e mirë menduar do të duhej të zbatohej dhe madje të zhvillohej paralel me zhvillimet teknologjike, për të qenë jo vetëm aty për investimin apo implementimin fillestar, por edhe për përmirësimin e tij të vazhdueshëm.

Po ku është gjendja e stafit të muzeve sot në Shqipëri? Në rastin më të mirë, ai përbëhet nga përgjegjësi i Muzeut, i cili, mes dilemës së ciceronit apo ndryshimit të muzeut në një nivel tjetër, ndihet i menjanuar. A është kjo çështje brezash? Ndoshta! Por më shumë mendoj se është çështje mentaliteti, i cili kërkon guxim dhe trajnim që të ndryshojë thellësisht.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sikurse e kam përmendur, dhe njëkohësisht një sfidë, është kthimi i muzeve në një institucion të fortë, të pavarur dhe fitimprurës. Një prej burimeve të mëdha ende të pazbuluara është pikërisht linja e suvenireve – një praktikë globale që jo vetëm mbështet financiarisht institucionet, por gjithashtu shërben si një vazhdimësi simbolike e përvojës së vizitorit.

Në muzeumet e botës, dyqanet e suvenireve janë pikë kyçe të përvojës së tyre. Një relike simbolike, një libër me imazhe të muzeut apo një kopje e një artefakti, për shumë vizitorë përbën jo vetëm kujtim të prekshëm të vizitës së tyre, por edhe një lidhje personale me atë që kanë parë dhe përjetuar. Ndërkohë, në muzeumet tona, ky thesar mbetet i paeksploruar, dhe mbi të gjitha, ndalohet me ligj.

Një linjë suveniresh – të konceptuara në harmoni me identitetin e muzeut dhe të kontrolluara në një strategji të mirë menduar nga institucionet përgjegjëse – mund të përbëjnë një burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe një platformë për promovimin e trashëgimisë sonë përtej mureve të muzeut.

Për më tepër, muzeu nuk duhet të mbetet një hapësirë e mbyllur që pret vizitorin. Ai duhet të dalë nga vetja dhe të shkojë drejt publikut. Organizimi i aktiviteteve vjetore, si ekspozita me tematika, punëtori edukative dhe programe të dedikuara për shkollat, të rinjtë dhe komunitetin lokal, mund të bëjë që muzeu të jetë më afër tyre dhe të shndërrohet në një institucion të jetës së përditshme. Vizitori duhet të ndjejë se muzeu nuk është thjesht një hapësirë për të parë, por një hapësirë për të mësuar, për të ndërvepruar dhe për t’u frymëzuar.

Në këtë udhë të transformimit, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë. Por nëse mbështetemi mbi këtë valë investimesh dhe ndërtojmë një strategji të fortë për të ardhmen, muzeumet tona kanë potencialin të bëhen jo vetëm dritare të së shkuarës nëpërmjet ekspozitorëve të historisë, por qendra të gjalla të kulturës, ekonomisë krijuese dhe edukimit, që ndërlidhen organikisht me jetën e shoqërisë moderne.

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes sot nuk është thjesht dhe vetëm "A jemi gati për këtë transformim?", por: "A do të dimë ta vazhdojmë dhe ta thellojmë atë?" Përgjigjja duhet të vijë nga vizioni që ndërtojnë institucionet vendimmarrëse. Ndryshimi i bërë së fundmi mbi emërimin e Ministrisë së Kulturës në Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës premton në këtë drejtim. Por përkushtimi, mbi të gjitha, dhe aftësia për të menduar përtej së zakonshmes janë çelësi i suksesit.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vrau kamerierin, Gjykata e Elbasanit dënon në mungesë me 17 vite burg Erjon Llapushin

Vrau kamerierin, Gjykata e Elbasanit dënon në mungesë me 17 vite burg Erjon Llapushin