Ymer Bala, një rrëfim plot dritë e mirësi nga aktori i teatrit Migjeni

Ymer Bala, një rrëfim plot dritë e mirësi nga aktori i teatrit Migjeni

Aktori Ymer Bala

Kur miku im Ilir Bala më propozoi t’i bëja parathënien librit artistik e jetësor të Ymer Balës, që ju, të dashur lexues e keni në duar, t’ju them të drejtën e pata një farë droje. Se nga më erdhi kjo droje nuk di ta shpjegoj, por për çudinë time, gjatë leximit, ajo u fashit shpejt e u kthye në një befasim të këndshëm. Befasim që më përcolli emocion të veçantë falë rrëfimit të kujdesshëm, real, qytetar, të njeriut dhe aktorit të talentuar Ymer Bala.

Përmenda fjalët emocion dhe rrëfim jo më kot. Tashmë Ymeri jeton në një tokë të largët. Me këtë libër kuptova se, edhe pse kalojnë vite e vite - vendlindja nuk harrohet, fëmijëria dhe rrugica e lindjes po ashtu. Me këtë libër kuptova se, edhe pse kalojnë vite e vite - teatri “Migjeni” ku i peshon jeta artistike prej aktori, është depozituar në shpirtin e tij si një kujtesë e pafjetur. Me këtë libër kuptova se, edhe pse kalojnë vite e vite - në zemrën e artistit rri zgjuar një arkiv plot mirënjohje e nderim për mësues, aktorë (partnerë e jo partnerë), bashkëqytetarë që kanë ndikuar në ecurinë e tij, në jetën e tij. Dhe në përfundim kuptova se, kujtesa dhe fakti, kujtesa dhe personazhi, mbeten gurë të çmueshëm në qytetarinë e autorit.

2. Meqë jemi te vitet dhe largësia e tyre, dua të sjell në mendje dhe takimet e mia me Ymerin, djaloshin e qeshur, gazmor e simpatik. Gjithmonë kam menduar se natyra e tij nuk njeh plakje. Them që nuk jam gabuar. Për të mos i humbur rrugën e viteve, po ndalemi te vitet… Ishte viti 1994, plot 24 vjet më parë, asokohe unë gazetar në Radio Shkodra, kur aktori Ymer Bala qe ftuar si personazh në emisionin letrar-artistik. Çfarë kisha atëherë në mendje, që e kam edhe sot, po e shpreh: “Aktori i teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, Ymer Bala, është një nga më potentët. Tanimë ai ka ende se çfarë t’i japë teatrit dhe interpretimit dramatik shqiptar. Kjo është arsyeja që Ymeri shkroi këtë libër. Në faqet e tij, mes tjerash, do të gjeni shumëçka, botë dashurie dhe ëndrrash, botë nga bota e bukur, fisnike e plot dinjitet e Ymer Balës. Tamam aromë Shkodre!"

Ende më kujtohen fjalët e Ymerit gjatë asaj interviste: “...Vende-vende edhe u frikësova kur pashë Harpagonin e interpretuar nga aktori i shkëlqyer Zef Jubani. ...Në skenë Tinka Kurtin, aktoren e madhe të skenës, e kam pasur nënë, motër, shoqe, bile edhe …grua! …Të merresh me recitim të poezisë do të thotë të mos e lesh veten të ndryshkesh. …Aktori e ka për detyrë ta pasurojë figurën. Unë kam parapëlqyer skenën e teatrit. Skena kërkon forcë, temperament të pagabueshëm, sepse ajo nuk ka kohë për truk. Nuk ka kohë, sepse je drejtpërdrejt me spektatorin. ...Sigurisht jo të gjithë rolet lënë mbresa e kujtime; ngjet diçka e afërt me njerëzit që takon në jetë... (Dhe kjo është arsyeja që pjesën e dytë të librit e ka titulluar: “…- Pa skenën”.). ...Në mënyrë të veçantë rolet e rinisë sime në teatër kanë lënë gjurmë, sepse edhe përkushtimi ndaj tyre ka qenë gjithaq i madh”.

E pas këtyre fjalëve, që burojnë nga shpirti poetik e aktoresk i Ymerit, me të vërtetat e tij njerëzore si në jetë dhe në skenë, portreti do t’i mbetej i mangët po të mos shtonim edhe vlerësimet ndër vite të kolegëve për artistin Bala:

- Elez Kadria, regjisor: “Në realizimin e figurës i kushton vëmendje anës sociale të saj. Marrëdhëniet me regjisorin dhe aktorët i ndërton mbi raporte të drejta. Si në punë, edhe në jetën jashtë skene ai është po aq i thjeshtë".

- Tinka Kurti, aktore: “E kam pasur partner që kur ishte nxënës. Është i talentuar dhe i disiplinuar. Aktori nuk shqetësohet kur ka atë partner, përkundrazi, gëzohet se është i ngrohtë në rol, është komunikues. Ndjej krenari që stafetën tonë do ta marrin në duar aktorë të rinj të talentuar, një prej të cilëve është dhe Ymer Bala".

- Rikard Ljarja, aktor: “Ymerin e kam njohur që herët. Në Institut binte në sy serioziteti me të cilin studionte e punonte. Rolin e koncepton si një të tërë dhe lot me vërtetësi në figurat që i besohen, pa dalë jashtë ansamblit. Kjo duket edhe në detajet e studiuara, me të cilat hyn në skenë".

- Josif Papagjoni, studiues dhe kritik: “Ymer Bala ka qenë ndër aktorët e parapëlqyer në këtë teatër (të Shkodrës), me role kryesisht të kahut dramatic, role heronjsh, role dashnorësh e të rinjsh me vlera morale, që ndihmojnë në katarsën shpirtërore të të tjerëve. Në këto hulli ka njëmendësuar me sens realist dhe hijeshi skenike disa syresh, si ato te Djem të mbarë, 1976, Çështja e Blertës, 1984; ose Shpendi te Shpartallimi, Ujkani te Gjaku i arbërit, 1981 – drama të Fadil Krajës; djali i Trimit te drama Çmurosja e Serafin Fankos, 1994; intelektuali te drama Ftesë nga larg e Stefan Çapalikut, 1996. Aktrimi i Ymer Balës është karakterizuar nga tonet e epërme emocionale, shpesh me theksa të fortë. Ai ka një deklamim të ëndshëm të fjalës, me një zë të ngrohtë e melodioz, ku spikamat poetike dhe kadencat fitojnë vlerë e tingëllimë, të soqëruara natyrshëm nga pasioni dhe hijeshia skenike. Ka mëtuar të bëjë të dukshme anët që shprehin qëndrimet burrërore e stoike të personazheve, po ashtu çastet liriko-poetike të tyre.”

3. Titulli i këtij libri, “Me skenën - Pa skenën”, më ngjan si një aforizëm, por që brenda hapësirave të saj, fletëve të librit, shëtit një metaforë emocioni, malli e dashurie, të cilën Ymeri e sjell, e di, e shpirtëzon dhe e shpërfaq bukur gjithë ndjenjë dhe estetikisht.

Emri i autorit të këtij libri nuk është i panjohur. E njohin bashkëqytetarët e disa brezave dhe më gjerë, e njeh komuniteti i artistëve të teatrit dhe i filmit. E kush nuk e njeh Ymer Balën? Por, për ta njohur më mirë, ky shkodran i thekur ka vendosur të shpalosë kujtimet e tij të jetës, ca gjurmë, ca dëshira, copëza biografie e autobiografie, ca mirënjohje, ca shenja e shënime... në faqet e këtij teksti sa mbresëlënës aq dhe jetësor. Po si? Përmes një rrëfimi të magjishëm, si një qytetar i mirë, plot kulturë, plot fisnikëri, plot finesë e humanizëm, plot humor e çiltërsi, plot e plot… I lexon rrëfimet dhe skicat rrëfimore dhe të emocionojnë. I lexon rrëfimet dhe skicat rrëfimore dhe herë pas here shkrihesh së qeshuri. I lexon rrëfimet dhe skicat rrëfimore dhe nganjëherë ndien dhimbje e pse jo edhe trishtim. I lexon rrëfimet dhe skicat rrëfimore dhe dashurohesh, e thua me vete: “Ah, Shkodra, Shkodra ime!”. Dhe Ymeri s’e ka harruar Shkodrën. Libri është një mos-harresë.

4. Në librin e konceptuar e strukturuar nga autori, kujtimet vijnë lineare dhe radhë-radhë, paralelisht me vitet e rritjes së tij. Kujtimet, nga mënyra se si perceptohen, më ngjajnë se vijnë si fluturime ëndrrash të bukura e të jetuara. Udhëtojnë, sigurisht nëpër vite dhe realitete të caktuara. Udhëtojnë e mbartin, e falin, ngrohtësi djaloshare e prindërore. Udhëtojnë e mbartin, e falin, mirësi, dritë e mirënjohje. Udhëtojnë si një copëz Shkodre, si vendlindja e dashtun, që Ymeri e mban aty pranë zemrës si vlerë e si dinjitet.

Duke ia uruar rrugëtimin kujtimeve, ndodhive, mbresave, personazheve autori ka gjetur, me shumë qytetari, t’i përbashkojë në rrëfimin e tij. Një rrëfim pa bujë e zhurmë, plot emocion e puhizë vendlindjeje, plot erudicion e imtësi. Një rrëfim i qëndisur me dituri, me sentenca e frazeologji. Një rrëfim plot jetë, ku kujtimeve u jep përjetime kohe, ndaj dhe lexohen me një frymë e me ëndje.

Diku, në një faqe libri, Ymeri, me modesti por me madhështi aktori, shprehet: “…dua të jem dëshmitar okular i atyre kohërave e atyre bëmave që lanë gjurmë tek ne, sa të jetë jeta”. Dhe mua më vijnë përsëri në mendje fjalët e tij nga intervista e atëhershme: “Aktori është tërë jetën borxhli ndaj teatrit dhe spektatorit”.

5…Vjen një ditë kur ëndrrat nuk mbeten më në sepeten e ëndrrave. Dhe Ymeri e pohon bukur: “…kam patur dëshirë dhe ende kam që të shkruaj diçka për të gjithë regjisorët dhe aktorët, me të cilët punova për tridhjetë vite me radhë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës".

Kjo dëshirë e kahershme e autorit Bala tani është konceptuar dhe pasqyruar përmes rrëfimit linear, për t’i dhënë historisë së jetës së tij në skenë dhe jashtë saj tipologjinë e vazhdimësisë. Kështu zë fill fëmijëria, rritja vit pas viti, formimi, vitet e aktrimit dhe konsolidimi i personalitetit. Të gjitha këto, si fillim, ia besoi dhe ia la si amanet skenës së magjishme, ku përmes magjisë së talentit gdhendi e përjetësoi një përmendore prej më se 60 rolesh; më pas ia besoi asaj që autori e emërton “… - Pa skenën”, ku jeta e takimi me njerëz që nuk harrohen marrin përmasa të veçanta.

Mbresat dhe personazhet do t’iu ndjekin pas, lexojeni dhe do të më besoni.

Shkodër, qershor 2018

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja