Për analistin Ilir Yzeirin, përgjegjësia për largimin e Mariana Koçekut nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk bie mbi deputeten, por mbi ata që e futën në listë.
“Sipas ligjit, në momentin që fiton një mandat deputeti, deputeti është i pavarur në qëndrimet e tij. Ajo është në të drejtën e saj, të shprehet siç e mendon, të dalë nga grupi parlamentar dhe të jetë e pavarur. Ana tjetër është ajo morale. Përgjegjësinë nuk duhet ta kërkojmë tek Mariana. Ajo është në të drejtën e saj të shprehet siçmendon, por tek ata funksionarë politikë që bënë zgjedhje të tilla që gjeten këtë kandidate dhe e futën në lista të mbyllura duke i zënë vendin ndonjë kandidati tjetër. Jetojmë në demokraci. Kjo tregon edhe frymën demokratike që ka Partia Socialiste ku nuk ndihen nën presion për të shtrënguar rradhët por edhe një deputete gjen kurajo dhe del e pavarur. Kjo e shëndosh demokracinë dhe nuk e dobëson atë” tha Yzeiri në emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV
Sa i përket protestave kundër investimit në Zvërnec, Yzeiri tha se ato janë shprehje e një shoqërie aktive dhe e pakënaqësive të grumbulluara ndër vite.
“Zgjime të tilla i bëjnë mirë shoqërisë që nuk e lënë atë të vegjetojë. Tregojnë që është një shoqëri vitale që kërkon një jetë më të mirë duke identifikuar ato plagë që ajo mendon se janë shkaktuar nga qeveria dhe opozita. Në emisionin tim janë ngritur shqetësime serioze për mjedisin. Kjo protestë u bë e tillë sepse ishte efekti flutur. Njerëzit kishin akumuluar pakënaqësi nga më të ndryshmet. U gjet kauza e natyrës që është shumë e ndjeshme se na identifikon të gjithëve. Ana tjetër është kjo që qeveria nuk u tregua korrekte, transparente dhe nuk i dëgjoi shqetësimet e organizatave për mjedisin”, u shpreh ai.
Në analizën e tij, Yzeiri vlerësoi bilancin e përgjithshëm të qeverisjes së Edi Ramës, por nga ana tjetër nuk kurseu kritikat për mënyrën si është trajtuar çështja e Zvërnecit. Sipas tij, mungesa e transparencës dhe vendimet që lidhen me zonat e mbrojtura kanë ushqyer mosbesimin dhe kanë krijuar terrenin që protesta të zgjerohet.
“Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, ne nuk duhet të harrojmë punët shumë të mira që ka bërë PS dhe Edi Rama. Edi Rama është kryeministri më i suksesshëm në këto vite, pavarësisht gabimeve të rënda që ka bërë, sidomos ato që lidhen me investitorët strategjikë, mos kujdesin për zonat e mbrojtura. Ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura. Kujt i duhet ai resorti në Manastir? Mungesa e transparencës totale për Zvërnecin ka luatur rol gjithashtu. Organizatat nuk janë kundër investimit por duan mbrojtjen e zonave të mbrojtura” tha ai.
Një tjetër element që analisti veçoi është përfshirja e aktorëve të ndryshëm rreth protestës si Greqia apo Irani. Sipas tij, ajo që nisi si një lëvizje mjedisore po tërheq tashmë interesa dhe qëllime të tjera kundër familjes së Donald Trump .
““Iu turrën protestës të gjithë ata që donin të përfitonin prej saj. Nisi si një protestë mjedisore, ishte një manifestim i bukur, ndërsa tani shumë janë ata që duan të përfitojnë prej saj, përfshirë këtu të huajt. Çfarë pret ti që Greqia të thojë ‘mbyllni protestën?’ Ajo mezi e priti këtë ditë, Greqia, Irani, të gjitha. Ndërkombëtarët që e kanë paraqitur këtë protestë me klishe të vjetëruara ... mos kujton se u shqetësuan shumë por shfrytëzuan rastin për të ngritur një problem kundër familjes Trump. Kjo frymë kundër familjes Trump është e nxitur nga qarqe të caktuara” tha Yzeiri.
I pyetur mbi përpjekjet e Partisë Demokratike për të ‘kapur’ protestën, Yzeiri sheh ngjashmëri me atë që bëri LSI-ja në vitin 2018 me protestën e studentëve.
“Tani përpiqet të përfitojë Berisha por është vonë”, tha ai.
Sipas analistit, qëndrimi fillestar i Sali Berishës ndaj çështjes ishte më i kujdesshëm, ndërsa më pas ndryshoi dhe e gjithë kjo kishte të bënte me vizën mjekësore që Berisha priste të merrte nga SHBA pavarësisht dizenjimit non-grata.
“Mesa duket Berisha në atë kohë priste përgjigje për vizën dhe prandaj u tregua i kujdesshëm se amerikanët nuk i kishin thënë që do t’ia jepnin vizën mjekësore. Sapo i thanë që e ka vizën, ai ndryshoi kursin”, tha Yzeiri.
Pavarësisht qëndrimi të Berishës, Yzeiri argumenton se protesta në një mënyrë ngriti Shqipërinë në sytë e botës, por ka humbur shkëlqimin e saj të ditëve të fillimit dhe po keqpërdoret nga shumë palë.
Komente








