Partia e Zoran Zaev që po tenton të krijojë qeverinë në Maqedoni, duke “joshur” edhe shqiptarët reagon ashpër ndaj deklaratave të deputetes së PDIU-së, Mesila Doda, e cila kërkoi pak ditë më parë pavarësinë e “Iliridës”, nëse, LSDM-ja nuk pranonte propozimet e partive shqiptare.
 
Në njoftimin e lëshuar nga kjo parti thuhet se deklarata e deputetes çon në ndarje dhe përçarje, ndërsa shtojnë se ndjehen të provokuar.
 
“E dënojmë retorikën provokative në deklaratat e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë, Mesila Doda, që ka të bëjë me Republikën e Maqedonisë, e cila nuk është në shpirtin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në respektimin e ndërsjellë mes dy vendeve. Qasje të këtilla shkojnë në dobi, vetëm të atyre që krijojnë ndarje dhe punojnë për rritjen e mosmarrëveshjeve dhe jotolerancës, përkundër vlerave evropiane për të cilat jemi përcaktuar”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
 
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe ministrja e cila shprehet se shpallja e saj “non grata” nuk përbën asnjë shqetësim dhe se ajo do të vijojë të mbështesë shqiptarët e Iliridës.
 
“Po lexoj në media se Fyromi ka kërkuar shpalljen time non-grata...Asnjë shqetësim... për mua është po aq i papranueshëm një shtet që nuk ka asnjë bazë ekzistence dhe të vetmen pikë të përbashkët të lloj-lloj etnie e gjen vetëm në bashkëveprimin për dhunimin e të drejtave të bashkëkombasve tanë. Kjo do të thotë që unë do pranoj të shkoj vetëm në Iliridë. Fyrom është gjithaq non-grata për mua dhe ka pushuar se ekzistuari si laborator albanofobie. Mbetëm përkrah shqiptarëve të Iliridës”, ka shkruar deputetja në Facebook.
 
Por, përveç politikës, edhe mediat maqedonase janë “çmenduar” nga deklarata që Doda bëri nga Dibra, për të cilën shkruajnë se Maqedonia do ta shpallë “non grata”.
 
“Do të them dy fjalë për një krahinë që më rrin fort në zemër, është vendi karshi, Ilirida, krahinë e moçme shqiptare që edhe emrin sot ia kemi harruar. Dikush i thotë Maqedoni, dikush i thotë FYROM, ne i themi Ilirida!”. Ishin këto fjalët që çmendën mediat maqedonase.
 
24vesti.mk, ka komentuar deklaratën e Dodës, duke e quajtur të rrezikshme për Maqedoninë, në momentin kur Doda thekson se nuk do të ketë Ivanov, Gruevski apo ndonjë tjetër antishqiptar tjetër që do të mund të vazhdojë të punojë kundër shqiptarëve. Por, ajo që e ka çmendur më shumë median dhe rrethet politike të Maqedonisë, është emri Ilirida.
 
“Për këtë arsye, pritet që Shkupi ta shpallë non grata Mesila Dodën”, shkruan 24vesti.mk.

Redkasia Online
Al.N/Shqiptarja.com