Në vendin tonë kemi shumë dijetarë dhe njerëz që paguhen si të tillë, po kemi fare pak njerëz që vëzhgojnë mjedisin ku jetojnë dhe kapin parametrat e jetës që kemi krijuar së bashku. Një shqetësim i mirëfilltë është fakti i krijimit të disa zakoneve barbare, të cilat krijohen me një shpejtësi fantastike në bazë të parimit të patrandur të imitimit (kaq i përhapur ndër ne). Shumica e këtyre zakoneve vijnë prej një fakti të thjeshtë: mungesa e seriozitetit të institucioneve përkatëse ose më mirë mungesa e dëshirës për të futur parametra rregullatorë në jetën tonë.

Mospasja e rregullatorëve të tillë sjell kaos, le të themi si kaosi urban, apo kaosi i trafikut, apo kaosi i plazheve, e të tilla. Shumica e këtyre zakoneve janë të riparueshme brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Po le të bëjmë një ekspozitë të bëmave tona, ku të përmblidhen shumë prej njësive mendore të ushtruara në jetën tonë praktike, pa mëtuar t’i përmbledhim të gjitha: mania e ndërtimeve pa leje; vendosja e “policëve të shtrirë” përpara shtëpisë; bërja e kanaleve pas shtrimit të rrugës (ky zakon hyn te kulmet); hedhja e fishekzjarrëve në mes të natës; mbajtja e shkopinjve të bejsbollit nëpër makina (a e praktikojmë ne këtë sport?); shitja e misrave të pjekur në çdo cep rruge; shitja e librave përtokë; mungesa e kokoreve dhe semaforëve për motoçiklistët; vendosja e fëmijëve në vend të parë në makinë; parakalimi nga e djathta nëpër rrugë; shitja e mishit dhe bulmetrave në rrugë;

zënia e rrugëve nga shitësit e fruta-perimeve dhe nga karriget e lokaleve; mosbërja e Like në Facebook; bllokimi i rrugëve nga autokolonat e dasmave dhe njerëz që dalin nga dritaret e makinave me gjithë trupin duke tundur shami; shkelja e parave me këmbë nëpër dasma ose futja e parave në gjinjtë e nuseve; falsifikimi i ujit dhe pijeve alkoolike; grabitja e zhavorrit të lumenjve; grabitja e lëndës drusore nëpër pyje; zënia e hapësirave nga plazhet private; trukimi i frutave dhe perimeve me lëndë që shpejtojnë pjekjen e tyre (përzierja e shalqirit me kungull, kastravecit me ure, pjeprit me penicilinë); shtimi i ujit me benzinë (apo e kundërta?); sjellja e ilaçeve të posaçme vetëm për kombin tonë; zënia e tokës së tjetrit; futja e lekëve në xhepat e doktorëve dhe infermierëve; vjedhja dhe mospagimi i energjisë elektrike;

përdorimi i llojeve të ndryshme të pllakave të trotuareve sipas shijeve të pronarëve të dyqaneve; blerja e dyqaneve me çmime super te shtrenjta dhe dhënia e tyre me qira; dëshira e papërmbajtur për t’u pajisur me diplomë të papajisur me dije; edukimi masiv i popullsisë me muzikë bastarde; ndalimi i furgonëve në çdo vend të mundshëm; mundësimi i shfaqjes së gropave dhe të çarave në rrugë të saposhtruara; vjedhja e sinjalistikës rrugore; grabitja e varëseve nga qafa e grave; vendosja e çmimeve super të larta të dhomave turistike pa asnjë nivel; shtimi i pafund i xhepistëve; boshatisja e organizuar e vlerave monetare spitalore, p.sh. ilaçet; hapja e muzikës në nivele ufologjike nëpër makina; prishja e apartamenteve dhe kthimi i tyre në dyqane; kthimi i garazheve në diskoteka; hapja e muzikës më zë të lartë nëpër lokale; pirja e njëpasnjëshme e kafeve;

zgjidhja e punëve të zyrës në kafe; tjetërsimi i shumicës së pronave publike; përdhosja e simboleve fetare; printimi i pikturave të famshme të artistëve të mëdhenj në vend të blerjes së pikturave origjinale; pirja e duhanit nga gratë shtatzëna; pirja e duhanit nga vajzat dhe fëmijët e vegjël; “legalizimi i hashashit” (ka kaq shumë sa duket sikur është legalizuar, po thjesht nuk është botuar në Fletoren Zyrtare – edhe kjo e fundit është bërë zakon) dhe dënimi i kryekomunarëve për këtë; pajisja e mbi 100 mijë personave me pushkë gjahu; shfarosja e gjallesave të egra; Kompleksi i Skrapit (një lloj i ri sëmundjeje); përdorimi i borive të makinave 24 orë në ditë; pajisja e të gjitha dyqaneve me qepena metalikë; të ulëriturit nëpër shkallë; lënia e plehrave në korridorin e pallatit;

mospagimi i parave të ashensorit; kryerja e punimeve në apartamente orë e pa orë; shumica e lokaleve të përgjigjen se nuk e kanë filan asortiment; klienti nuk ka kurrë të drejtë; mungesa e respektit ndaj kohës, ku gjithçka fillon me vonesë; shoferët e autobusëve urbanë janë ekstremistë (ose shumë të shpejtë, ose shumë të ngadaltë, nuk ka fare të moderuar); taksitë shqiptare janë më të shpejtat në botë; këmbimi i parave bëhet në rrugë; shumica e personave që shkojnë të shikojnë një koncert janë të vetëpërmbajtur; fëmijët shikojnë telefilma bashkë me të afërmit e tyre; mediat kanë shumë respekt për kriminelët, sepse këta dhe veprat e tyre zënë ballinat e mediave;

nuk njohim dhe nuk vlerësojmë ata që punuan dhe dhanë jetën për këtë vend, po njohim me rrënjë e me degë dhe respektojmë ata që e grabitën dhe e shkatërruan këtë vend (ai muhabeti i kujtesës: afatshkurtër e afatgjatë); shitja e gjithçkaje nëpër plazhe, me mjete fonike dhe motorike, a thua se plazhi është treg dhe jo një vend pushimi; shitja nën dorë e vendvarrimeve; mbushja e gazetave me kronika të zeza, rozë dhe të kuqe (kronika nga komunizmi), pra ushqimi i popullsisë me OMGJ; dhënia e çmimeve dhe dekoratave pa fund sipas parimit që hahet çdo gjë që fluturon; kamerieri të dhunon; etj., etj., ad libitum.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)